1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ivanoviq: Më vjen keq që pikërisht tani është arritur uniteti i plotë i pushtetit në Serbi

Esat Ahmeti15 Nëntor 2007

Edhe pse i regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje, subjekti më i madh serb 'Lista Serbe për Kosovën dhe Metohinë' i është bindur vendimit të klasës politike në Beograd për të bojkotuar këto zgjedhje

https://p.dw.com/p/CHq8
Në foto lideri i serbëve të Kosovës, Oliver IvanoviqFotografi: AP
Përkundër thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare drejtuar serbëve që ata të marrin pjesë në zgjedhjet e së shtunës si rruga e vetme për integrimin e tyre në shoqërinë kosovare, ndikimi i Beogradit zyrtar ka qenë më i fortë tek shumica e serbëve të Kosovës që ata me 17 nëntor të qëndrojnë larg kutive të votimit. Lideri i ‚Listës Serbe për Kosovë dhe Metohi’ Oliver Ivanoniq fillimisht sqaron në gjuhën shqipe shkaqet përse subjekti i tij politik ka vendosur të mos dal në këto zgjedhje:

Pasi që rekomandimi i Beogradit ka qenë unik dhe kësaj here edhe kryetari i Serbisë Boris Tadiq ka qenë kundër pjesëmarrjes në zgjedhje, ne kemi një situatë të atillë që elektorati nuk do të dal në këto zgjedhje. Ai që do të zgjidhet me shumë pak vota nuk do ta ketë legjimitetin e plotë por me pikëpyetje dhe nuk do të jetë i përkrahur nga elektorati. E dyta nuk do të ketë kurrfarë mundësie që të krijohet ndonjë marrëdhënie me Beogradin.

Tani në prag të zgjedhjeve shtrohet pyetja se çfarë do të ndodh me komunat kosovare ku aktualisht pushtetin e kanë serbët. Në Shterpcë përshembull ku 80 përqind e banorëve janë serb zgjedhjet e 17 nëntorit sipas të gjitha gjasave do të fitohen nga pakica shqiptare. Ivanoviq:

Kjo do të jetë pasoja e mospjesëmarrjes dhe ne ju kemi tërhjekur vëmendjen atyre që janë përgjegjës që mospjesmëarrja në zgjedhje mund të ketë pasoja si përshembull në Shtërpcë dhe Novobërd e poashtu në tre komunat e veriut. Mirpo mua më duket që Unmiku është duke e shqyrtuar këtë situatë dhe janë duke u munduar për të gjetur një zgjidhje në atë mënyrë që pasojat mos të jenë shumë të mëdha. Në rast se shqiptarët prapë kthehen në Kuvendin e Shterpcës apo Novobërdes pa përmendur këto tre komunat e veriut një gjë e tillë do të ishte arsyeja për të pas një situatë të tensionuar dhe nuk i kisha përjashtuar as mundësinë e demonstratave me përleshje mes policisë së Unmikut dhe vendorëve.

Megjithatë Ivanoviq apelon tek klasa politike shqiptare por tani në gjuhën serbe që:

Apeloj tek pjekuria e tyre politike sepse edhe pse ata kanë tërë legjimitetin politik, pjekuria e tyre politike do të duhet të ju thoshte që në këto momente mos të insistojnë në një zgjidhje të tillë. Edhe kështu gjendja është e tendosur dhe serbët janë nervoz dhe ndoshta një veprim i tillë do të shtonte numrin e serbëve që do të largoheshin nga Kosova.

Bojkotimi i zgjedhjeve nuk është rruga e duhur për integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare. Këtë e shpreh në bisedë me Deutsche Vellen edhe zoti Ivanoviq:

Ky është një prej shkaqeve kryesore që unë kam insistuar për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje dhe më vjen shumë keq që aktualisht ndoshta në momentin e gabuar, për çështjen e gabuar është arritur uniteti i plotë i pushtetit në Serbi. Pavarësisht mënyrës se si do të zgjidhet statusi unë do të dëshiroja që serbët të qëndrojnë këtu. Natyrisht që unë si serb shpresoj që Kosova do të jetë pjesë përbërse e Serbisë me një autonomi të tillë që do të kënaqte kërkesat e shqiptarëve... Integrimi ynë në institucionet e Kosovës, vendosja e kontakteve me shqiptarët dhe liderët e tyre është shumë e rëndësishme jo vetëm për mbetjen tonë këtu por edhe për stabilitetin e Kosovës dhe me këtë edhe të tërë Ballkanit.

Kryetari i Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, Marko Jakshiq ka deklaruar së fundi se në rast që Kuvendi i Kosovës shpall pavarësinë dhe ajo njihet nga vendet perëndimore atëherë Rusia do të hap bazat e saj në Serbi dhe territorin e Kosovës. Sipas Ivanoviq të thuhet diçka e tillë është qesharake dhe naive:

Unë nuk e besoj që Rusia do të hap ndonjë bazë në Kosovë dhe ky ë shtë një mendim qesharak dhe naiv i një njeriu që siç duket nuk ka perspektivë të gjerë. Por për një gjë ai ka të drejtë. Nëse shqiptarët shpallin pavarësinë e njëanshme kjo hap mundësi për veprime të njëanshme të të gjitha llojeve. Do të thotë pastaj secili ka të drejtë të shpall njëanshëm çfarë të doj. Përshembull ndarja e veriut apo nuk do të përjashtoja mundësinë që edhe Shterpca të shpall pavarësinë. Aktualisht ata nuk mirren me këtë cështje por një gjë e tillë nuk mund të përjashtohet...

Pavarësisht qëndrimeve të Beogradit zyrtar dhe Prishtinës zyrtare, Oliver Ivanoviq është i brengosur për zhvillimet që do të pasojnë:

Jam shumë i brengosur. Asnjëherë nuk kam qenë kaq i brengosur sikur tani. Thjesht mendoj që Kosova nuk udhëheqësi e cila mendon dhe kërkon perspektivë për tërë popullin. Kemi të bëjmë vetëm me disa pak kërkesa të cilat janë romantike dhe do të na shpiejnë në një cikël të ri jorendi, trazirash dhe jostabiliteti. Nëse vie deri tek shpallja e njëanshme e pavërsisë mendoj që viteve të ardhshme do të kemi shumë probleme dhe kam frikë se një gjë e tillë do të ndodh shumë shpejt.