1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Itinerari i Ballkanit

Barbara Wesel29 Janar 2016

Përgjatë itinerarit të Ballkanit po mbyllen gjithnjë e më shpesh kufijtë. Pikërisht Maqedonisë në krizë mund t’i drejtohet lutja për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian. Cili do të jetë çmimi për këtë?

https://p.dw.com/p/1HlUA
Flüchtlinge an der Grenze von Mazedonien zu Griechenland
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Maqedonia i mbylli së fundmi sërish kufijtë me Greqinë. Vendet përgjatë itinerarit ballkanik qëndrojnë gjithmonë në kontakt me njëri-tjetrin. Nga Maqedonia përmes Serbisë, Kroacisë e Sllovenisë - të gjitha shtetet e prekura përpiqen të ruajnë kontrollin në fluksin e refugjatëve. Arsyeja për mbylljen e fundit të kufijve ishte se Austria nuk po i regjistronte të porsaardhurit. „Duhet të veprojmë njëkohësisht, kështu do të kemi më pak probleme“, thotë Anastasija Ilieska, sekretare e shtetit në Ministrinë e Brendshme të Maqedonisë dhe e ngarkuar me çështjen e refugjatëve.

Një herë në javë ajo dhe kolegët e saj nga Ballkani zhvillojnë një konferencë telefonike me Brukselin për të diskutuar për gjendjen. “Ne shkëmbejmë mendimet mbi situatën, shënojmë numrin e kalimeve kufitare, si është siguria në kufi, dhe nëse kemi nevojë për më shumë policë të mbrojtjes kufitare.” Aktualisht në kufirin greko-maqedonas ndihmojnë policë hungarezë, por edhe sllovakë e serbë. Pa këtë policia maqedonase nuk do ta kishte përballuar dot situatën. Edhe me vazhdimin e ngritjes së murit kanë ardhur në ndihmë hungarezët, të cilët tanimë kanë përvojë me gardhet me gjemba.

Mazedonien Grenzübergang zu Griechenland Gevgelija
Fluks refugjatësh në GjevgjeliFotografi: picture alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Vazhdimi i udhëtimit për në Veri

Për sa kohë që Austria e Gjermania nuk i mbyllin kufijtë, edhe Shkupi i qëndron kësaj politike dhe i nis të organizuar refugjatët në veri. „Ata duhet të nënshkruajnë një letër që duan të shkojnë në Gjermani, Austri, Suedi, këtë duhet ta tregojnë në çdo kontroll kufitar dhe lejohen të vazhdojnë udhëtimin.“ Nga mbyllja e kufijve të Maqedonisë në nëntor dhe vendimin për të lejuar vetëm kalimin e refugjatëve sirianë, irakianë e afganë, fluksi i refugjatëve ka rënë. Ilieska përmend se në vitin e kaluar ka pasur 10.000 njerëz në ditë, tani janë rreth 2.000. Në drejtim të veriut lejohen vetëm refugjatët nga zonat e luftës.

Politikanja maqedonase pranon se ka probleme me përcaktimin e saktë të identitetit të njerëzve. „Vitin e kaluar kemi kthyer 12.000 vetë në kufirin grek. Ka ca kohë që është shtuar numri i marokenëve. Shumë prej tyre kthehen në Athinë dhe sigurojnë pasaporta të falsifikuara, madje edhe vërtetime për përfundimin e shkollave profesionale. Më e preferuara aktualisht është marrja e identitetit të sirianëve që kanë ndërruar jetë“, shton sekretarja e shtetit në Ministrinë e Brendshme.

Policët maqedonas munden të identifikojnë vetëm një pjesë të dokumenteve të falsifikuara. Në pikën kufitare të Gjevgjelisë policia arrin të kontrollojë vetëm dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet greke dhe i lejon refugjatët të vazhdojnë udhëtimin. Në kufirin serb janë vendosur ndërkohë skanera për të kontrolluar për armë, por edhe këtu për policinë ka prioritet përfundimi i shpejtë i kontrolleve e lejimi i kalimit të refugjatëve.

Mazedonien Grenzübergang zu Griechenland Gevgelija
Pika kufitare, GjevgjeliFotografi: picture alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Arrati në karrige invalidi

„Aktualisht kalojnë shumë më tepër familje me fëmijë. Ne shohim se numri është përafërsisht i tillë, 40% burra, 40% fëmijë dhe 20% gra“, thotë Anastasija Ilieska. Arsyen për këtë ajo nuk mund ta shpjegojë, gjithsesi vihet re një tendencë e re. Sekretarja e shtetit supozon se në fillim udhëtuan baballarët, dhe tani po vijnë nënat me fëmijë. Për autoritetet maqedonase organizatat humanitare kjo do të thotë përkujdesje intensive. Herë pas here shikon se kufirin në pikat „ilegale“ e kalojnë edhe njerëz në karrige invalidësh apo gra shtatzëna.

Një mjek në qytetin e Preshevës raportoi se gratë shtatzëna vazhdojnë udhëtimin edhe pse janë në muajin e tetë dhe qëndrojnë shumë pak sa për t'u trajtuar, megjithëse duhet të qëndronin në spital. Por ato nuk duan të largohen nga grupi, me të cilin udhëtojnë. Edhe fëmijët me bronshit apo infeksione të tjera nuk trajtohen intensivisht, sepse familjet duan të vazhdojnë rrugën drejt veriut sa më shpejt.

Po qe se kufijtë mbyllen? Duket se refugjatët nuk kanë shumë informacione mbi debatin që bëhet në Europë për ta, megjithatë të krijohet përshtypja se ata udhëtojnë nën presion kohe. Anastasija Ilieska nga ana e saj është e shqetësuar për planet e mundshme që Maqedonisë t'i ngarkohet sigurimi i kufijve të jashtëm të BE-së. Ajo gjithmonë përmend se refugjatët duan të shkojnë në Gjermani. Por nëse Austria e Gjermania do t'i mbyllin kufijtë, do të përpiqej Maqedonia të mbyllte për një kohë të pacaktuar kufirin me Greqinë?

“Kufiri nuk mund të mbyllet plotësisht”, thotë Ilieska dhe pranon se “ ne po përgatitemi për këtë situatë”. Maqedonia do të merrte shumë ndihma nga BE për të kapërcyer problemet aktuale. Deri më tani qeveria në Shkup nuk i ka kundërshtuar me zë të lartë këto plane. Çmimi politik për këtë mund të jetë një afrim më i shpejtë i Maqedonisë me Bashkimin Europian. Por as këtë Maqedonia nuk do ta konfirmojë.