1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Itinerari ballkanik faktikisht i mbyllur

I ashtuquajturi itinerari ballkanik i refugjatëve me drejtim Europën Veriore është gati plotësisht i mbyllur. Sllovenia, Kroacia e Serbia nuk do të lejojnë kalimin e refugjatëve. 36.000 refugjatë bllokohen në Greqi.

Griechenland Mazedonien Flüchtlinge bei Idomeni

Gardhi kufitar në Idomeni

Në të ardhmen në Slloveni do të mund të hyjnë vetëm ata persona, që duan të aplikojnë për azil në këtë vend, ose në raste të veçanta për asrye humanitare, bëri të ditur, Ministria e Brendshme e Sllovenisë. Serbia, vendi më jugor reagoi pak më vonë në të njëjtën mënyrë. Rregulloret e reja do të praktikohen si në kufirin me Maqedoninë ashtu edhe me Bullgarinë, bëri të ditur Ministria e Brendshme serbe. "Me këtë praktikisht itinerari ballkanik është i mbyllur", citojnë media serbe deklaratën e ministrisë.

Ndërsa në faqen e internetit të qeverisë serbe vërehet se "Serbia nuk mund të kthehet në një pikë grumbullimi për refugjatët". Edhe Kroacia, në mesin e Serbisë dhe Sllovenisë, ndoqi shembullin e fqinjëve të saj. Ndërsa Maqedonia lejon vetëm pak qindra refugjatë në ditë të kalojnë kufirin. Në Greqi janë bllokuar ndërkohë 36.000 refugjatë në Idomeni. Gjendja është kritike.

Turqia dhe Greqia demonstrojnë unitet

Megjithatë ka shpresa për përmirësimin e gjendjes. Bashkëpunimi me Turqinë dhe Greqinë është i një rëndësie vendimtare, theksoi kryeministri turk, Ahmet Davutoglu në një takim me kryeministrin grek, Alexis Tsipras në Izmir. Egjeu nuk duhet të jetë më një "det i hidhërimit dhe mungesës së shpresës", shtoi Davutoglu. Edhe Tsipras tha se kalimi kaq i rrezikshëm i detit me gomone të pasigurta është "turp për kulturën tonë".

Davutoglu shkaktoi habi në Bruksel në samitin e 7 marsit me ofertën e pranimit të të gjithë refugjatëve të kthyer. Ndërkohë që deri më tani në qendër ndodhej lufta kundër trafikantëve, Davutoglu propozon të marrë refugjatë në Greqia. Por për çdo refugjat të pranuar, BE do duhet të pranojë një sirian nga Turqia në mënyrë legale, bëri të qartë kryeministri turk. Propozimi është përshëndetur "përzemërsisht" në Bruksel.

Kryetari i Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk tha se "nuk kam dyshim që do të arrijmë në një ujdi". Kanë marrë fund me këtë "ditët e imigrimit të pakontrolluar në Europë", thotë Tusk. Më shumë se 1 milionë vetë erdhën vitin e kaluar në Europën Perëndimore përmes itinerarit ballkanik. Shumica prej tyre tranzitoheshin nga qyteti në qytet, sepse dëshironin të shkonin në Gjermani, Austri apo vendet skandinave.