1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Italia nuk do të vdesë nga kursimet

Kryeministri i ri italian Letta po e fillon detyrën e tij të vështirë me një paradhënie besimi. Lëshime nga Berlini ai nuk duhet të presë, mendon redaktori i DW Bernd Riegert.

default

Italia ka përërsëri një qeveri të aftë për të vepruar. Të dy dhomat e parlamentit i dhanë besimin kabinetit të Enrico Letta-s. Ky është lajmi i mirë. Tregjet financiare u qetësuan dhe i japin një paradhënie besimi njeriut të ri të pakonsumuar në krye të koalicionit të madh. Normat e interesit për obligacionet shtetërore italiane afatgjata janë aktualisht relativisht të ulëta. Pas gjashtë muajsh vendnumëro, që prej dorëheqjes së teknokratit Mario Monti, në Itali po lëviz sërish diçka. Enrico Letta nuk do të ketë shumë kohë për të realizuar reforma. Kjo martesë e detyruar politike e socialdemokratëve dhe e përkrahësve konservatorë të Berlusconi-t do të mbajë ndoshta 12 deri 18 muaj. Vetë Letta deklaroi se do të tregojë rezultate pas 18 muajsh. Para së gjithash parlamenti duhet të reformojë ligjin elektoral tejet të komplikuar, në mënyrë që në rast zgjedhjesh të reja, të mund të krijohet një shumicë e qendrueshme dhe të shmangen situata të paqarta si ajo e dy muajve të fundit.

Faktet ekonomike do ta detyrojnë Letta-n dhe ekipin e tij të vazhdojnë reformat e filluara nga Mario Monti. Italia është e mbingarkuar me borxhe, prodhon me kosto shumë të larta dhe në nivel evropian dhe ndërkombëtar nuk është konkurruese sa duhet. Ndryshe nga Greqia, Italia ka një bazë industriale të fortë, e cila prodhon produkte për eksport dhe mund të shërbejë si pikë mbështetjeje. Ekonomia duhet të rikthehet në rrugën e rritjes përmes një reforme të ligjit të punës dhe kushteve më të mira për investimet. Vetëm atëherë mund të ulet papunësia shumë e lartë. Programet koniunkturore me kredi nuk ndihmojnë në periudhë afatmesme dhe afatgjatë.

Nëse kryeministri Letta mendon se Italia po vdes, pasi kursimet po i marrin frymën, atëherë duhet të shpjegojë se cila është alternativa. Deri tani nuk ka dhënë përgjigje konkrete. Edhe pse gjatë fushatës elektorale thuajse të gjitha kampet politike fajësuan Gjermaninë dhe Brukselin për mjerimin në vend, nuk janë ata fajtorët. Në vizitën e tij të parë zyrtare tek kancelarja Angela Merkel, Enrico Letta do të gjejë mirëkuptim për situatën në të cilën ndodhet, por ndryshime rrënjësore kursi nuk do të ketë. Aksioma e Merkelit është: kursim dhe rritje.

Bernd Riegert, analist i DW-së për Evropën

Bernd Riegert, analist i DW-së për Evropën

Hapësira e veprimit për kryeministrin e ri italian është e kufizuar. Në fund të fundit partneri i tij në koalicion Berlusconi e konsideron një shpikje gjermane primin për rrezikun për obligacionet shtetërore italiane "II Spread".  Me argumente të tillë absurdë Letta-s do t'i duhet të merret edhe më tej. Nuk duhet harruar se edhe lideri i opozitës radikale, Beppe Grillo, i fajëson gjermanët për kursin e kursimeve dhe parapëlqen të dalë nga unioni monetar.

Me heqjen e taksës për truallin Letta plotëson një nga premtimet e fushatës elektorale të partisë së Berlusconi-t. Kjo do të jetë e shtrenjtë për shtetin italian, rreth katër deri tetë miliardë euro në vit. Se si do të zëvendësohen këto të ardhura të munguara në buxhet është ende mister. Me siguri jo me borxhe të reja pasi borxhi shtetëror italian ka arritur tashmë 130 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Kryeministri italian nuk mund të shpresojë për ndihmë nga Berlini në formë huash të lira, euro-obligacionesh apo kolektivizimi të borxheve. Kancelarja gjermane Merkel ka përpara zgjedhjet parlamentare në shtator. Deri atëherë nuk lëviz asgjë.

Në shtëpinë e tij Enrico Letta duhet të luftojë kundër lodhjes së bashkëqytetarëve nga politika. Të ashtuquajturit "grillini", përkrahësit e Beppe Grillos, janë izoluar dhe nuk duan të kenë të bëjnë me asnjë prej partive të vjetra. Me këtë kurs kokëfortësie Beppe Grillo si të thuash e detyroi aleancën e panatyrshme të partive thellësisht të armiqësuara të majta dhe të djathta.

Grillo beson se në zgjedhjet e ardhshme do të fitojë shumicën dhe do të fshijë përfundimisht nga skena sistemin e vjetër politik. Enrico Letta duhet t'ia dalë mbanë të marrë timonin në Itali dhe t'u japë përsëri shpresë të papunëve të zhgënjyer, akademikëve të rinj dhe italianëve të frustruar. Ndryshe Italia do të vdesë, jo nga kursimet por nga paaftësia e klasës së saj politike.