1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Italia miraton partneritetin e regjistruar për homoseksualët

Pas disa javë debatesh të nxehta parlamenti italian miraton partneritetin e regjistruar për homoseksualët.

Homoseksualët në Itali mund të lidhin së shpejti një partneritet të regjistruar zyrtarisht. Dhoma e Deputetëve në Romë i dha dritën e gjelbër një ligji të qeverisë së kryeministrit Matteo Renzi. Ai parashikon ndër të tjera një pension për partnerin në rast të vdekjes së tjetrit, si dhe mundësinë që njëri të marrë mbiemrin e tjetrit.

Senati e kaloi ligjin pas disa javë debatesh të nxehta në shkurt. Me 369 vota pro dhe 193 kundër deputetët i shprehën të mërkurën (11.05) besimin e tyre qeverisë së Renzit. Në mbrëmje ata pranuan edhe ligjin për regjistrimin e partneritetit të homoseksualëve me të cilin lidhej edhe mocioni i besimit. 372 deputetë votuan pro, 51 kundër dhe 99 abstenuan.

Kompromise të mëdha

Që ligji të mund të miratohej Renzit iu desh të bënte kompromise të mëdha. Rezistencë ndaj këtij projektligji kishte jo vetëm nga ana e Kishës Katolike dhe e partnerit të koalicionit të qendrës së djathtë, por edhe nga një pjesë e social-demokratëve të Renzit.

Kështu Renzi nuk arriti që të miratohej edhe ligji i planifikuar që njëri nga parnerët të adoptojë fëmijët e tjerit. Ky paragraf u anulua nën presionin e partnerit të koalicionit, i cili kishte frikë se kjo do t'u hapte rrugë "shtatzanive kundrejt pagesës" që janë të ndaluara në Itali. Por birësimi i fëmijëve nuk është i përjashtuar absolutisht, për këtë duhet të vendosin sipas rastit gjykatat.

Po ashtu në ligj nuk u përfshi e drejta e dhënies së premtimit të martesës përpara nëpunësit të gjendjes civile.