1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Italia kërkon nga BE para dhe roje

15 Shkurt 2011

Përballë vërshimit të refugjatëve tunizianë në ishullin mesdhetar Lampedusa, qeveria italiane ka kërkuar ndihmën e BE-së.

https://p.dw.com/p/10HKy
Tunizianë të rinj mbërrijnë në LampeduzaFotografi: picture alliance/dpa

5000 mijë emigrantë nga Tunizia kanë mbërritur ditën e fundit në ishullin jugor të Italisë, Lampedusa. Pjesa më e madhe e tyre janë të rinj nën moshën 30 vjeçare. Ditën e hënë të tjerë të rinj mbërritën me anije.

Ministri i Brendshëm Roberto Maroni i kërkoi Komisionit Eropian angazhimin e agjencisë për mbrojtjen e kufijve Frontex si dhe mbështetje financiare prej 100 milionë eurosh. Kryeministri italian Silvio Berlusconi tha se bëhet fjalë për një emergjencë, që prek gjithë BE-në. Ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini mbërriti për një vizitë në Tunizi, ku do të bisedojë me kryeministrin tunizian Mohammed Ghannouchi për zgjidhjen e krizës së refugjatëve.

Tunesien Mohamed Ghannouchi und Catherine Ashton
Kryeministri Mohamed Ghannouchi dhe Catherine Ashton, e ngarkuara e BE-së me politikën e JashtmeFotografi: AP

BE ndihmon Tunizinë

Më parë në Tunizi shkoi edhe e ngarkuara e BE-së me politikën e Jashtme Catherine Ashton, e cila i premtoi qeverisë kalimtare një ndihmë emergjente prej 17 milionë eurosh.

Qeveria tuniziane pati hedhur poshtë propozimin e Italisë, për dërgimin e policëve të saj në këtë vend të Afrikës së Veriut në përpjekje për të ndalur vërshimin e mijëra refugjatëve në drejtim të Italisë. Kjo ështe e papranueshme, tha zëdhënësi i qeverisë tuniziane Tayeb Baccouche, duke shtuar se kontrollin e bregdetit e kanë në dorë autoritetet tuniziane.

Ministri i Brendshëm italian Roberto Maroni kishte njoftuar se do t'i kërkojë qeverisë së përkohshme në Tunizi leje për stacionimin e përkohshëm të policëve italianë në territorin tunizian. Me qëllim që të pengohet që refugjatë e tjerë të marrin rrugën drejt Evropës.

Italien Lampedusa Flüchtlinge Nordafrika Tunesien Boot Flash-Galerie
Djem nën moshën 30 vjeçare largohen nga TuniziaFotografi: picture alliance/dpa

Gjermania refuzon ndarjen e refugjatëve

Ndërkaq socialdemokratët dhe ekologjistët në Gjermani kërkuan, që edhe Gjermania të pranojë refugjatë nga Afrika e Veriut. Qeveria gjermane refuzoi ndarjen automatike në vende të tjera të BE-së të refugjatëve nga Tunizia, të cilët kanë zbarkuar në Itali. Përpjekje duhen bërë për t'u ofruar refugjatëve perspektivë në vendin e origjinës, tha sekretari gjerman i shtetit për rendin, Ole Schröder, në një kongres të policisë në Berlin. Politikani kristiandemokrat iu përgjigj kështu edhe kërkesave nga socialdemokratët dhe ekologjistët, për pranimin në Gjermani të më shumë refugjatëve nga Afrika e Veriut. Sekretari i shtetit tha se megjithë përshtypjen e krijuar në opinion, nuk është Italia ajo që pranon numrin më të madh të refugjatëve. Ai përmendi si shembull Suedinë e cila ka pranuar pesë herë më shumë refugjatë se Italia.

Autor: DW/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama