1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Italia e falenderon Gjermaninë për solidaritetin pas tërmetit

Në konsultimet qeveritare gjermano-italiane të dyja palët demonstruan lidhje të ngushta. Kryeministri Renzi e pret Kancelaren Merkel me nderime.

Kryeministri i Italisë Matteo Renzi e falenderoi Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Gjermaninë për solidaritetin dhe qëndrimin e afërt pas tërmetit të rëndë me gati 300 të vdekur. "Dëshiroj t'i shqiptoj Angelas falenderimin tim të thellë, që ishte që në orët e para pranë nesh", tha Renzi në Maranello pas konsultimeve qeveritare italo-gjermane. Ai është i gëzuar për "miqësinë dhe mbështetjen" e Gjermanisë, theksoi socialdemokrati.

Merkeli tha se Gjermania do të dërgojë ndihma për rindërtimin pas tërmetit të javës së kaluar, që tronditi Italinë. Veç 300 vetëve që e humbën jetën, tërmeti solli shkatërrime të mëdha. "Ne do të financojmë me dëshirë ndërtimin e një shkolle", bëri të ditur Kancelarja.

Ndeshje futbolli si ndihmë për tërmetin

Jo vetëm qeveria federale në Berlin do të ofrojë ndihma. Edhe ekonomia gjermane dhe Liga Gjermane e futbollit do të angazhohen, tha Merkeli. Në nëntor do të zhvillohet një ndeshje miqësore futbolli midis Gjermanisë dhe Italisë. Qeveria gjermane dhe njerëzit në Gjermani kanë simpati të madhe për viktimat e tërmetit, tha Kancelarja.

Renzi: Refugjatët të ndahen në mënyrë të drejtë

Në lidhje me krizën e refugjatëve, kryeministri Renzi kërkoi që Gjermania dhe Italia të vazhdojnë të punojnë edhe më tej që refugjatët të ndahen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë. "Ne e dimë se ka kufij", tha kryeministri italian. "Eshtë e papërfytyrueshme që Evropa t'i pranojë të gjithë".

Merkel dhe Renzi

Merkel dhe Renzi

Renzi e lëvdoi njëkohësisht Merkelin për "sinjalin e saj të madh"me pranimin e shumë refugjatëve vitin e kaluar. "Ne duhet ta ndërtojmë së bashku me sukses të ardhmen e kontinentit tonë", theksoi Kryeministri i Italisë. Merkeli theksoi se bashkëpunimi me Renzin në temën e refugjatëve është bërë shumë i ngushtë. Më parë Gjermania e ka hedhur vështrimin më tepër drejt Lindjes, kurse Italia nga Libia. Kurse tani ekziston një agjendë e përbashkët, tha Merkeli.

Merkeli rithekson "Ne do t'ia dalim mbanë"

Kancelarja e mbrojti sërish fjalinë që ajo tha saktësisht para një viti në krizën e refugjatëve: "Ne do t'ia dalim mbanë!""Unë jam thellësisht e bindur se kjo fjali ishte e drejtë", deklaroi Kancelarja në Maranello të Italisë. Kjo fjali ka shprehur një qëndrim të caktuar dhe një motivacion të caktuar. "Besoj se kemi arritur shumë gjëra, por mbetet mjaft për të bërë", tha më tej Merkeli. "Por në vështrimin tim kjo fjali ishte e justifikuar dhe e drejtë."