1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ishinger: "Kemi rrotulluar çdo gurë, por palët nuk arritën ndonjë marrëveshje"

28 Nëntor 2007

Dështuan bisedimet shqiptaro-serbe në Austri. Trojka bën të ditur se ka filluar me hartimin e raportit, i cili më 10 dhjetor do t’i dorëzohet sekretarit të përgjithshëm të OKB, Ban Ki Mun.

https://p.dw.com/p/CUHA
Diplomati Volfgang IshingerFotografi: AP

"Kemi rrotulluar çdo gurë dhe kemi provuar çdo mundësi, por palët nuk arritën ndonjë marrëveshje për zgjidhjen e statusit të Kosovës." Kështu u shpreh përfaqësuesi evropian në trojkën ndërkombëtare, Volfgag Ishinger pas dështimit të të gjitha përpjekjeve për arritjen e një zgjidhje kompromisi mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit.

"Ky proces, që është element shumë i rëndësishëm, ka shterruar të gjitha mundësitë për një marrëveshje përmes negociatave. Kemi provuar të gjitha, të gjitha. Trojka ka paraqitur edhe idetë dhe propozimet e veta. Ishte ky një proces i cili ka ofruar të gjitha mundësitë për marrëveshje", theksoi Ishinger.

Ka ardhur koha për vendime

Trojka ndërkombëtare disa herë theksoi se ata kanë punuar së bashku në një atmosferë uniteti, ndonëse përfaqësuesit e SHBA dhe BE thanë se ka ardhur koha kur duhet të merren vendime. Ndërsa përfaqësuesi i Rusisë ishte i mendimit se procesi duhet të vazhdojë. Sidoqoftë, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nuk shfrytëzuan as këtë mundësi për kompromis.

Për kosovarët ekziston vetëm Kosova e pavarur

Presidenti Fatmir Sejdiu theksoi se delegacioni kosovar edhe në Baden të Austrisë ka paraqitur qëndrimin e vet për pavarësi, që është alfa dhe omega e angazhimit kosovar. Presidenti Sejdiu u shpreh se synimi i institucioneve të Kosovës është ndërtimi i shtetit demokratik dhe të lirë ku do të respektoheshin të gjtha të drejtat e qytetarëve dhe minoriteteve.

Kosova do të jetë shtet modern dhe i civilizuar, anëtar i Natos dhe BE, duam të kemë fqinjësi dhe miqësi të mirë me të githa shtetet fqinje, pra edhe me serbinë.

Serbia ka ardhur me ofertat që i kalojnë të kaluarës dhe i kanë sjellë vetëm dëme, vrasje deportime që janë të papranueshme. Për ne ekziston vetëm një zgjidhje: Kosova e pavarur dhe sovrane. Prej sot po hapet një histori e dy shteteve të pavarura", theksoi Thaçi.

Delegacioni i Kosovës paralajmëroi se pas dështimit të bisedimeve, shumë shpejt do të marrë vendimet përkatëse, që nënkupton edhe shpalljen e pavarësisë së njëanshme. Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se: Delegacioni i Kosovës ka kunërshtuar edhe kërkesën serbe për vazhdimin e procesit. Presidenti dhe kryeministri serb Boris Tadic dhe Vojisllav Koshtunica u shprehën se procesi tani kalon në KS. Sa i përket shpalljes së njëanëshme të pavarësisë së Kosovës, presidenti Tadiq theksoi se Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës sepse një zgjidhje e tillë jo vetëm që do të destabilizonte Serbinë dhe do të ishte në kundërshtime me të drejtën e parimet ndërkombëtare, por edhe për faktin se nuk do të ishte funksionale dhe do të destabilizonte tërë rajonin dhe Evropën.

Serbia nuk do të përdorë dhunën

Ndërsa në pyetjen se çfarë do të bëjë Serbia në qoftë se institucionet e Kosovës e shpallin pavarësinë, presidenti Tadiq u përgjigj: "Ne nuk duam dhunë dhe nuk do të përdorim dhunën. Duam që me mjetet juridike të mbrojmë ineresat tona legjitime, kombëtare dhe shtetërore. Serbia do ta anullojë çdo akt të tillë të Kosovës dhe do të përdorë të gjitha mjetet juridike dhe diplomatike për mbrojtjen e interesave të veta shtetërore dhe nacionale", theksoi Tadiq.

Përfaqësuesit e trojkës ndërkombëtare bënë të ditur se tanimë kanë filluar me hartimin e raportit, i cili më 10 dhjetor do t’i dorëzohet sekretarit të përgjithshëm të OKB, Ban Ki Mun.