1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ishin serbët të pambrojtur në Kosovë? Reagime pas letrës së Boris Tadiqit

Udhëheqësit kryesorë politikë dhe diplomatë të BE-së kanë reaguar pas letrës së presidentit serb, Boris Tadiq, i cili akuzon bashkësinë ndërkombëtare për mosmbrojtje të serbëve në Mitrovicë.

default

Boris Tadiq

Presidenti i Serbisë Boris Tadiq i ka dërguar së fundi një notë proteste bashkësisë ndërkombëtare lidhur me incidentet e fundit që ndodhën në veri të Mitrovicës, njoftojnë mediat në Kosovë dhe rajon. Forcat paqeruajtëse, misioni EULEX-i dhe UNMIK-u nuk kanë reaguar me kohë për të parandaluar, siç është shprehur ai, sulmet mbi serbët e veriut të Mitrovicës. Presidenti Tadiq thekson në letrën e tij se autoritetet e Kosovës dhe ekstremistët shqiptarë po përpiqen që me dhunë të provokojnë konflikte me serbët, në mënyrë që të pengojnë zbatimin e marrëveshjes gjashtëpikëshe ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Serbisë, që është kundërshtuar nga Prishtina.

Pas kësaj letre ka reagime nga politika kosovare. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu nga ana e tij i sheh pa shqetësim letrat e Serbisë. Sipas tij bashkësia ndërkombëtare tashmë është e njohur me qëndrimet destruktive të Serbisë në raport me Kosovën. Sejdiu: "Ju e dini se përpjekjet e Serbisë janë gjithmonë përpjekje për të ndaluar proceset. Por unë mund të them se Kosova është një vend i pavararur i njohur ndërkombëtarisht, do të ketë edhe njohje të tjera dhe Kosova mirëpret funksionet e rëndësishme që ka misioni EULEX në territorin e saj, poashtu mirëpret edhe punën e KFOR-it".

Reagime ka patur edhe nga ambasadorja e Çekisë në Kosovë, Janina Hrebickova, vendi i së cilës kryeson presidencën e radhës së BE-së. Hrebickova thotë se për ngjarjet e fundit në Mitrovicë është mirë të priten rezultatet e hetimeve para se të bëhën komente se kush ishte fajtori. Hrebickova: "Është çështje e KFOR-EULEX-it dhe policisë së Kosovës që të zhvillojnë dhe udhëheqin hetimet lidhur me ngjarjet e fundit në Mitrovicë. Duhen pritur rezultatet e ketyre hetimeve. Perderisa nuk ka rezultate, nuk është mirë të bëhen konstatime se kush është fajtori. Nëse bëhen vlerësime paraprake, kjo atëherë mund të cilësohet një spekulim i pastër. Bashkimi Evropian është i njohur me letrën e presidentit serb Tadiq dhe së shpejti do të bëjë të ditur qëndrimin e vet".

Policia e Kosovës dhe policët e misionit EULEX tashmë janë duke zhvilluar hetimet për ngjarjet e fundit në Mitrovicë. Ata thonë se nxitësit e trazirave janë të njohur për policinë dhe shumë shpejt do të ketë arrestime.


  • Data 06.01.2009
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GT0W
  • Data 06.01.2009
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GT0W