1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ish-ushtarë izralitë akuzojnë operacionet e ushtrisë

Një vit pas luftës në Gazë, një OJQ publikon dëshmi të ushtarëve izraelitë pjesëmarrës në operacionin "Protective Edge".

"... Ndonjëherë kemi hedhur një shtëpi në erë, sepse aty mund të kishte bomba të fshehura. Në fund pothuajse e hodhëm tërë lagje në erë ...." Një dëshmi anonime e një ushtari izraelit, i cili ishte në Rripin e Gazës në verën e vitit 2014 për të luftuar kundër Hamasit. Kurse një tjetër i përshkruan ngjarjet në front kështu: "Në një zonë lufte nuk ka asnjë njeri që nuk është i përfshirë në një farë mënyre. Gjithçka brenda (RRipit të Gazës) është një kërcënim: Edhe në qoftë se dikush ngre lart një flamur të bardhë dhe bërtet 'dorëzohem '- ai konsiderohet si kërcënim dhe ne kemi lejen për ta vrarë. "

Këto dëshmi janë pjesë e një botimi të ri të organizatës izraelite "Thyerja e heshtjes" ("Breaking the Silence"). Nën titullin "Si kemi luftuar në Gaza" 60 ushtarë të njësive dhe gradave të ndryshme përshkruajnë, se si i kanë përjetuan luftimet në Rripin e Gazës. Dëshmitë, shkruan organizata, paraqesin "një pamje shqetësuese të ushtrisë izraelite, që ka dhënë urdhër për të qëlluar (pa dallime)" dhe "ka devijuar në mënyrë drastike nga standardet e saj të mëparshme të veprimit."

Kjo ka çuar në shumë viktimave civile në radhët e palestinezëve. "Ne mendojmë se është e rëndësishme që në shoqërinë tonë të nisë një debat", thotë Avihai Stollar, që kryeson ekipin hulumtues të organizatës.

"Thyerja e heshtjes" është themeluar para rreth dhjetë vjetësh nga rezervistë dhe ushtarë. Që atëherë, ajo dokumenton veprimet e ushtrisë izraelite në bazë të dëshmive nga ana e ish-ushtarëve. Gjatë luftës së fundit në Gaza, e cila filloi në korrik 2014 u vranë më shumë se 2.100 palestinezë. Numri i saktë i civilëve të vrarë është ende i paqartë. Sipas OKB-së ai shkon në më shumë se 1,400 civilë, mes tyre dhe të paktën 500 fëmijë vdiqën. Mijëra të tjerë janë plagosën. Pala izraelite flet për 66 ushtarë dhe gjashtë civilë të vrarë.

Procedurë e diskutueshme

"Gjithëkush në Izrael thotë se ushtria jonë ka standarde të larta morale", thotë Avihai Stollar. Gjatë operacionit ushtarak "Protective Edge" zëdhënësi i ushtrisë dhe qeveria kanë krijuar gjithmonë përshtypjen se është bërë çdo gjë e mundshme për të shmangur viktimat civile në radhët e palestinezëve. "Për fat të keq, publiku izraelit nuk ka asnjë ide se si ishin udhëzimet dhe se sa joproporcionale ishin urdhërat për të hapur zjarr", thotë 32-vjeçari, i cili vetë ka shërbyer më parë në ushtri. Gjatë luftës së Gazës 2008/09 ka pasur urdhëra të ngjashme, por me çdo operacion të ri ushtarak vija e kuqe tejkalohet më tej.

Ushtria izraelite i mohon akuzat. Ish-komandant i njësive të stacionuara në jug i quan akuzat si "të rreme" dhe "fyese". "IDF-ja akuzuar në mënyrë të gabuar si vrasëse" tha Zvi Fogel në radion e ushtrisë izraelite. Nëse ka pasur krime, ato do të hetohen brenda ushtrisë.

Paralajmërimet për evakuim ishin të pamjaftueshme

"Ushtria ka marrë masa parandaluese për ta paralajmëruar popullatën palestineze nga sulmet dhe u ka kërkuar atyre që të largohen nga zona. Ata kanë shpërndarë fletëvolante dhe u kanë dërguar edhe sms familjeve të prekura", thotë Michael Sfard, avokat dhe këshilltar i organizatës "Thyerja e heshtjes ". "Por kjo nuk do të thotë se për këtë arsye duhet hequr dorë nga bërja e dallimit midis civilëve dhe luftëtarëve. Ka pasur njerëz të cilët nuk kanë mundut të largohen për arsye të ndryshme."

Reagimi i parë i ushtrisë izraelite erdhi para botimit. Ushtria ndjehet e detyruar, thuhet në të, që të hetojë dhe shqyrtojë "çdo akuzë nga organizatat, mediat dhe nga zyrtarët në lidhje me qëndrimin e ushtrisë." Por "Thyerja e heshtjes" nuk ka paraqitur as ndonjë provë dhe as dëshmi okulare para publikimit. Organizata e veteranëve e hedh poshtë këtë akuzë. Në një deklaratë, thuhet se ata kishin kërkuar një takim me Shefin e Shtabit për t'i dorëzuar dëshmitë, por ky nuk u zhvillua.