1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore- tërheqëse për IS

Kur flitet për milicinë terroriste të Shtetit Islamik, bota hedh vështrimin nga Lindja e Afërt ose Afrika e Veriut. Por Shteti Islamik po vë në shënjestër ish-republikat sovjetike në Azinë Qendrore.

Ishte një manovër ushtarake e pashembullt, bënë të ditur mediat rajonale: me mjete të rënda luftarake, rreth 45.000 ushtarakë taxhikas dhe rezervistë ushtruan në mes të marsit, së bashku me 2000 ushtarë rusë, si mund të mbrohesh nga një trupë ushtarake që vjen nga jashtë. Pjesa e fundit e manovrës u zhvillua në jug të ish-Republikës Sovjetike të Taxhikistanit, rreth 15 kilometra larg kufirit të Afganistanit. Mesazhi me sa duket iu drejtua si talibanëve, ashtu edhe luftëtarëve të milicisë terroriste "Shteti Islamik" (IS).

Prej muajsh, Rusia vështron me shqetësim, se si po i afrohet IS Azisë Qendrore. Rreziku që islamistët mund ta përdorin Afganistanin si trampolinë për t'u përhapur në rajon, ka marrë "përmasa reale": për këtë e tërhoqi vëmendjen një zëdhënëse e ministrisë së Jashtme ruse që në fund të vitit 2015. Moska e vështron Taxhikistanin, Uzbekistanin, Turkmenistanin, Kirgistanin dhe Kazakistanin si zona nën ndikimin e saj. Veç kësaj Rusia sheh rrezik për krahun e saj jugor dhe u ofron këtyre shteteve ndihmë ushtarake, në kuadër të Organizatës së Marrëveshjes për Sigurinë Kolektive.

Numri i luftëtarëve rritet

Të dhëna të besueshme për luftëtarët e IS nga Azia Qendrore në Siri dhe Irak nuk ka. Qendra e Nju Jorkut "The Soufan Group" e vlerësoi në dhjetor 2015 numrin e luftëtarëve të IS që vijnë nga ish-Bashkimi Sovjetik në gjithsej 4700 vetë. Prej tyre, rreth 2400 vetë janë shtetas rusë, para së gjithash me origjinë nga Kaukazi Verior. Numri i tyre u trefishua në një vit. Nga Azia Qendrore besohet se janë 2000 luftëtarë, tendenca është në rritje. Midis tyre, uzbekët dhe kirgizët, secili me 500 vetë përfaqësojnë numrin më të madh të luftëtarëve. Burime të tjera përmendin shifra më të larta.

"Megjithë pasigurinë për shifrat, këtu kemi të bëjmë me një numër të vogël nga komunitetet myslimane, të cilët megjithatë janë të mjaftueshëm për të sfiduar politikën e sigurisë", thotë Uwe Halbach nga Fondacioni Shkenca dhe Politika në Berlin. Veç kësaj, lidhja e IS me hapësirën postsovjetike në Kaukazin Verior, që bën pjesë në Rusi, është më e ngushtë se me Azinë Qendrore.

Shtete autoritare, qytetarë të varfër

Dhe megjithatë, Azia Qendrore, me një numër të përgjithshëm popullsie prej gati 70 milionë banorësh është një zonë gjithnjë e më tërheqëse rekrutimi për IS. Në pesë ish-Republika sovjetike sundojnë prej dekadash regjime autoritare, të cilat mendohet se bëjnë pjesë në më të korruptuarat e botës. Pjesë të mëdha të popullatës kryesisht myslimane jetojnë që prej shpërbërjes së BS në varfëri të madhe.

Ushtarë taxhikas në kufi me Afganistanin

Ushtarë taxhikas në kufi me Afganistanin

Para së gjithash të rinjtë janë të prekshëm nga idetë e IS, paralajmëron Akeschan Kaschegeldin, ish-kryeministër i Kazakistanit, në një bisedë me DW. "Kur rinia nuk sheh perspektiva dhe nuk ka as lirinë për ta ndryshuar sistemin, ajo nis të dëgjojë politikanë ekstremistë", thotë Kashegeldin, i cili sot jeton jashtë vendit. Ideali i IS për një "Kalifat" tej për tej kufijve ka mbështetje atje, thotë Kaschegeldin. Këtë e konfirmon edhe Halbach nga Fondacioni Shkenca dhe Politika në Berlin. Ai tërheq vëmendjen se edhe "një shoqëri më e drejtë për myslimanët" vazhdon të jetë një temë, me të cilën IS shënon pikë në Azinë Qendrore.

Këmbana alarmi në Taxhikistan

Numri i simpatizantëve të IS sidoqoftë është rritur në atë masë, sa në shtete si Taxhikistani "bien këmbanat e alarmit", thotë Halbach. Për shkak të kufirit të tij prej 1300 km të gjatë me Afganistanin, Taxhikistani konsiderohet veçanërisht i rrezikuar nga Shteti Islamik.

Por gjasat, që IS t'i sulmojë direkt republikat e Azisë Qendrore, për ekspertët është i vogël. Në Afganistan ekziston vetëm një grup i vogël simpatizantësh të IS, thotë Kosimsho Iskandarov, Drejtues i Qendrës për Studimet e Afganistanit në kryeqytetin taxhika, Dushanbe. Në këtë përfundim arrin edhe Akademia Federale për Sigurinë në Berlin. Në një dokument të publikuar në shkurt thuhet megjithatë se IS ka gjasa që të përpiqet të përhapet gradualisht në Azinë Qendrore. Për ta penguar këtë, e nevojshme është një pjesëmarrje në politikëbërje e islamistëve të moderuar, thuhet në dokument.