1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish punonjësit e gjykatave pengohen të hyjnë në godina

Bekim Shehu / Prishtinë28 Shkurt 2008

Forca speciale të policisë dhe trupat e KFOR-it, penguan sot dhjetra ish punonjës serbë që të hyjnë në objektet e gjykatave në pjesën veriore të Mitrovicës. Protestuesit janë shpërndarë të qetë.

https://p.dw.com/p/DF9W
Ura e Mitrovicës
Ura e MitrovicësFotografi: AP

Dhjetra ish punonjës serbë të gjykatave në Mitrovicë, kanë tentuar të futen në godinat e gjykatave që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës, por janë penguar nga policia dhe forcat paqeruajtëse. Zyrtarë të organeve të rendit thonë se godinat e gjykatave janë barrikaduar nga forcat e policisë ndërkombëtare dhe trupa të NATO-os janë vendosur për mbajtjen nën kontroll të gjendjes.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, as punonjësit shqiptar të gjykatave nuk janë lejuar nga policia të shkojnë në vendet e tyre të punës në pjesën veriore të Mitrovicës. Kjo sipas policisë ka ndodhur për të shmangur ndonjë incident të mundshëm me serbët protestues të cilët protestojnë vazhdimisht në pjesën veriore të Mitrovicës kundër pavarësisë së Kosovës. Autoritetet e komunës së Mitrovicës, thonë se strukturat paralele serbe ekzistojnë ende në pjesën veriore ndërsa, serbët e atjeshëm tash po tentojnë të marrin nën kontroll edhe objektet që administrohen nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës.

Prania ndërkombëtare në pjesën veriore të Kosovës është më e kufizuar posaçërisht pas shpalljes së pavarësisë dhe protestave të vazhdueshme të serbëve. Personeli i misionit të BE-së, akoma nuk është kthyer në këtë pjesë të Kosovës, mirëpo autoritetet e larta ndërkombtare janë të vendosuara që ta shtrijnë misionin në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe pjesën veriore të vendit.