1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ish-presidenti pakistanez Musharraf kthehet në atdhe

Sipas sondazheve të deritanishme partia e Musharrafit nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm.

Megjithëse kërcënohet nga mundësia që ndaj tij të fillojë një proces penal, ish-presidenti pakistanez Pervez Musharraf u kthye në atdheu për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare më 11 maj. Musharraf jeton prej katër vjet e gjysmë në mërgim në Londër dhe Dubai. Ish-presidenti tha se "kthehet në Pakistan për të ndihmuar, që të rimarrim vendin tonë në histori si një shtet islam i begatë, i moderuar dhe progresiv."

Të premten e kaluar, një gjykatë në Karaçi e pezulloi kundrejt një dorëzanie një urdhër-arresti ndaj Musharrafit. Në këtë mënyrë atë nuk e kërcënon më arrestimi i menjëhershëm. Musharraf akuzohet ndër të tjera në lidhje me vrasjen e ish-kryeministres Benazir Bhuto në fund të vitit 2007.

Pakistan Benazir Bhutto

Benazir Bhuto

Partia Popullore PPP e akuzon ish-diktatorin se nuk kishte marrë masa adekuate për ta mbrojtur Benazir Bhuto nga sulmet, edhe pse ajo qe e rrezikuar. Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch bëri thirrje që Pervez Musharraf të nxirret para përgjegjësisë, menjëherë pas kthimit të tij për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë kohës së tij si president.

Mërgim në Londër dhe Dubai

Musharrafi erdhi në pushtet pas një grushti shteti pa gjak në vitin 1999. Pas vdekjes së Bhuttos, partia e Musharrafit PML-Q pësoi në shkurt 2008 një disfatë dërmuese në zgjedhje ndaj Partisë Popullore PPP.

Në gusht të atij viti, Musharraf dha dorëheqjen si president për t'i dalë kështu përpara procesit të shkarkimit nga posti. Në këtë post ai u pasua nga i shoqi i Bhuttos, Asif Ali Zardari. Pas dorëheqjes Musharrafi ka jetuar më shumë se katër vjet në mërgim në Londër dhe Dubai.

Kalim demokratik i pushtetit?

Pas ditësh të tëra lufte mes qeverisë dhe opozitës, komisioni zgjedhor emëroi të dielën një kryeministër të përkohshëm. Katër nga pesë anëtarët e komisionit votuan në favor të ish-gjyqtarit Mir Hazar Khan Khoso, tha kryetari i komisionit Fakhruddin Ibrahimi në Islamabad. Khoso u propozua nga Partia Popullore, PPP, e cila drejtonte qeverinë deri në fund të seancës legjislative fundjavën e kaluar. Ky pritet të përgatisë tani zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbahen siç është planifikuar në maj, ky do të ishte kalimi i parë nga një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike në një tjetër në historinë e Pakistanit. Që nga pavarësia e Pakistanit në vitin 1947, rreth gjysmën e kohës, aty ka qeverisur ushtria.

Sipas sondazheve të deritanishme partia e Musharrafit nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm. Të dy partitë kryesore janë deri tani PPP dhe Lidhja Myslimane e Pakistanit (Nawaz / PML-N) e ish-kryeministrit Navaz Sharif.