1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ish presidenti gjerman Christian Wulff shpallet i pafajshëm

Christian Wulff nuk është fajtor ndaj akuzave për shpërdorim të postit. Gjykata e landit në Hanovër nuk ishte e bindur se Wulff ka shpërdoruar postin për përfitime personale në kohën kur ka qenë kryeministër.

Ish - presidenti gjerman Christian Wulff akuzohej se në kohën kur ka qenë kryeministër i landit të Saksonisë së Poshtme ka marrë donacione ilegale nga sipërmarrësi David Groenewald, të cilin më pas e ka mbështetur në projektet e tij. Gjykata vendore në Hanover vendosi se dëshmitë e paraqitura kundër Wulfit, sipas kësaj aktakuze, nuk mjaftojnë. Gjykatësi Frank Rosenow nuk ishte fare i bindur se argumentet e prokurorisë mjaftojnë për të dënuar ish presidentin e Gjermanisë dhe ish kryeministrin e landit të Saksonisë së Poshtme. Gjykatësi Rosenow ka lënë të kuptohet disa herë gjatë procesit tremujor se dëshmitë e paraqitura ndoshta nuk do të mjaftojnë. Mbrojtja natyrisht ka kërkuar lirimin e plotë të Christian Wulffit.

Akuzat për 720 euro

Prokuroria akuzonte ish presidentin federal për përfitime materiale në kohën kur ka qenë kryeministër në Saksoni të Poshtme. Njëkohësisht me Wulffin ishte i akuzuar edhe sipërmarrësi, David Groenewald, i cili dyshohej se gjatë "Oktoberfest" në Mynih në vitin 2008 i ka paguar një pjesë të kostove të hotelit të kryeministrit të atëhershëm të Saksonisë së Poshtme dhe mikut të tij Christian Wulff po ashtu ia ka paguar një pjesë të llogarive të hotelit.

Prokuroria pohonte se si kundërshpërblim Wulffi është angazhuar tek firma Simens për financimin e filmit të Groenwaldit "John Rabe". Por të dy ata kanë hedhur poshtë këto akuza si të pabaza. Llogaria kontestuese për të cilën bëhet fjalë është në vlerë prej rreth 720 euro, sa janë paguar për hotel, për ushqime dhe për një babysitter (kujdestare fëmije).

Christian Wulff ka mundur të denohet me burg për këto akuza deri në tre vjet heqje lirie. Por ai u shpall i pafajshëm. Prokuroria ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi, por duhet të dëshmojë se gjatë procesit ka pasur gabime. Ish presidenti ishte i bindur për pafajësinë e tij. Ai ka refuzuar marrëveshjen me prokurorinë për të paguar një shumë të hollash dhe ka kërkuar që procesi të vazhdojë deri në fund.