1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ish-Presidentes Jahjaga i ndalohet hyrja në Serbi

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ishte e ftuar për promovim në Beograd të librit me rrëfimet e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

Autoritet e Serbisë i ndaluan ish-Presidenes Atifete Jahjaga pjesëmarrjen në një aktivitet të shoqërisë civile, në Beograd. Ish-Presidentja e Kosovës, ishte e ftuar të merrte pjesë në Beograd në promovimin e librit "Unë dua të dëgjohem", në kuadër të festivalit "Mirëdita, dobar dan!" që dy ditët e fundit po zhvillohet në kryeqytetin e Serbisë.

Jahjaga, ishte e ftuar të mbajë fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Mirëpo, autoritet serbe, në përgjigjen e tyre dërguar zyrës së Presidentes Jahjaga, thonë se ata nuk mund t'i ofrojnë siguri në Serbi ish-Presidentes së Kosovës. Dy netët e para të festivalit në Beograd, janë shoqëruar me protesta të serbëve, të cilët kundërshtonin pjesëmarrjen e ish-Presidentes së Kosovës. Jahjaga në një postim në facebook, thotë se "hyrja e saj në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd”.

"Shpjegimi absurd" i Serbisë

"Përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë. Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë me Marrëveshje. Por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t'i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time”, thotë Atifete Jahjaga.

Sipas saj, "pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara”.

"Unë nuk kam iluzione që zyrtarët e sotëm të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, sepse ata po e vazhdojnë politikën e viteve të 90-të, kur kanë qenë edhe protagonistë. Por dua të shpreh respektin tim për organizatorët e festivalit, një grup të rinjve dhe aktivistëve, që nuk do të lejojnë që e ardhmja e tyre dhe e tërë rajonit të mbahet peng nga këta udhëheqës që duan ta fshehin të vërtetën. E vërteta nuk njeh kufij”, thotë në reagimin e saj, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ministres në detyrë për Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri. Ajo thotë se ka njoftuar Bashkimin Evropian për ndalesën e vizitës së ish-presidentes, Atifete Jahjaga, në Beograd nga ana e autoriteteve të Serbisë duke theksuar se me këtë akt refuzimi "Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve”. "Akti i refuzimit nga Serbia tregon qartë se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj agresore dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe kjo po ashtu tregon se ata nuk janë të gatshëm për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila është një objektiv kryesor i dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në reagimin e Edita Tahirit.

Ndërkohë, nga Serbia aktivistja për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, akuzon rëndë qeverinë e Serbisë që nuk ia mundësoi hyrjen në Serbi ish-Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

"Ish-Presidentja e Kosovës nuk ka marrë leje për hyrje në Serbi. Qeveria preferon shqiptarët në varreza masive, nën këmbët e gjeneral Dinkoviq”, shkruan Natasha Kandiq.