1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ish kryeministrja ukrainase Timoshenko dënohet me shtatë vjet heqje lirie

Vendimi gjyqësor në procesin Timoshenko është një sinjal shkatërrimtar. Ai e largon Ukrainën nga Evropa. Megjithatë bisedimet mes Kievit dhe Brukselit për një marrëveshje tregtie të lirë duhet të vazhdojnë.

Komenti

Shtatë vjet burg, për abuzim me postin - ky është vendimi i gjykatës për Julia Timoshenkon, ish kryeministren dhe figurën galion të kthesës demokratike në Ukrainë. Vendimi i rëndë i gjykatës në Kiev u mor në bazë të një ligji penal, i cili pjesërisht është trashëguar nga koha e komunizmit sovjetik. Timoshenko akuzohet se i ka shkaktuar shtetit në vitin 2009 një dëm financiar milionësh, gjatë negociatave për një marrëveshje për gazin me Rusinë. Ajo me sa duket ka tejkaluar atëherë kompetencat e saj si kryeministre. Për këtë tani ajo duhet të qëndrojë shtatë vjet pas hekurave të qelisë së burgut, si një kriminele.

Me kopanin e së drejtës penale

Nëse veprimet e qeverive në botë do të shqyrtoheshin me këtë perceptim të së drejtës penale, burgjet do të ishin sot të mbushura plot me ish kryeministra. Pasi ata që mbajnë përgjegjësi politike, nuk ia dalin mbanë gjithnjë të ruajnë vendin e tyre nga dëmet financiare. Julia Timoshenko nuk u akuzua për përvetësim fondesh. Pra ajo nuk ka futur para në xhepat e vet. Ajo thjesht ka qenë e detyruar në bisedimet për gazin në Moskë, që të pranojë një çmim shumë të lartë. Kur një vend është thuajse plotësisht i varur nga gazi rus, siç është rasti i Ukrainës, atëherë nuk je në pozitë të arrish kondita të mira në negociata.

Nuk është aspak për t'u habitur që politikanë të BE-së dhe vendeve të tjera perëndimore flasin për një proces të motivuar politikisht. Që prej ndryshimit të pushtetit në Ukrainë në vitin 2010, Timoshenko nuk është politikania e parë, mbi të cilën bie me forcë kopani i së drejtës penale ukrainase. Ish ministri i Brendshëm në qeverinë Timoshenko ka kohë që është në burg. Ish ministri i Ekonomisë ka marrë azil politik në Çeki. Ka të ngjarë që këta politikanë të kenë cënuar normat juridike. Por mënyra e veprimit të drejtësisë dhe retorika, me të cilën e shoqëron atë politika në Kiev, të krijojnë përshtypjen se gjykatat nëpërmjet kriminalizimit të figurave politike, synojnë të mbysin përgjithnjë zëra të rëndësishëm të opozitës.

Eksperti i Deutsche Welle-s, Bernd Johann.

Eksperti i Deutsche Welle-s, Bernd Johann.

Një hap më larg Evropës

Si duhet të reagojë BE-ja? Negociatat me Ukrainën për një marrëveshje të gjerë tregtie dhe asociim, janë në prag të përfundimit. Presidenti ukrainas Viktor Janukoviç ka deklaruar vazhdimisht se synon ta afrojë vendin me vlerat dhe normat evropiane. Por vendimi i gjykatës në procesin Timoshenko e largon mjaft Ukrainën nga Evropa. Megjithatë bisedimet nuk duhet të pezullohen. Ndryshe Ukraina do të përfundonte në një izolim si Bjellorusia totalitare, ndaj së cilës BE ka shumë pak ndikim.

Ka të ngjarë që fjala e fundit në çështjen Timoshenko të mos jetë thënë ende. Flitet për ndryshime në ligj, revizion e madje për falje. Presidenti Janukoviç madje ka interes për këtë. Edhe ai vetë ka lidhur një marrëveshje për gazin me Rusinë në vitin 2010. Sipas asaj marrëveshjeje Ukraina merrte kushte më të mira, por në këmbim lejonte zgjatjen me 25 vjet të marrëveshjes së stacionimit në Krimé për flotën ruse në Detin e Zi. Qeveritë e ardhshme në Ukrainë mund të mendojnë se edhe kjo marrëveshje i ka shkaktuar vendit dëme!

Autor: Bernd Johann

Redaktoi: E. Xhani

DW.COM