1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ish-drejtori i FBI-së Comey akuzon qeverinë e Trumpit për gënjeshtra

Pohimet e ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, bien si bombë në Uashingtonin zyrtar. Trumpi reagon me tone luftarake.

James Comey përsëriti në deklaratën e tij para Komisionit të Senatit për Shërbimet Sekrete ato që kishte thënë më parë me shkrim. Pra se Presidenti Donald Trump i ishte lutur që t'i ndërpriste hetimet ndaj ish-këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare, Michael Flynn. Flynn-i konsiderohet si një ndër figurat kyç në aferën për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet në SHBA. Këto pohime ranë si bombë në Uashingtonin zyrtar.

James Comey u betua para komisionit për deklaratat e tij, të cilat ishin edhe më të forta se sa ato me shkrim. Sipas tij ai fjalët e Trumpit: "shpresoj se ju do të gjeni një rrugë për ta mbyllur çështjen e Flynn-it,"  ai i kishte kuptuar si urdhër.

Urdhër apo dëshirë

Republikanët shprehën dyshime, nëse fjala "shpresoj" duhet kuptuar si nga pikëpamja juridike si urdhër. Kurse demokratët mendojnë se me mënyrën se si Trumpi e kishte formuluar fjalinë e tij, ai ka dashur që të ndikojë ndaj drejtësisë.

Ish-drejtori i FBI-së kritikoi ashpër rrethanat e shkarkimit të tij nga detyra. "Më vjen keq që qeveria vendosi të më përbaltë mua. Dhe më e rëndësishme akoma FBI-në, Ato që u thanë ishin gjënjeshtra të pastra dhe më vjen keq që FBI-së dhe popullit amerikan iu desh t'i dëgjonte ato." 

Megjithatë James Comey tha se nuk është detyra e tij që të gjykojë, nëse me veprimin e tij Trumpi është fajtor për pengimin e drejtësisë, sepse kjo është detyre e hetuesit të posaçëm të FBI-së Robert Mueller.

Trump do " të luftojë dhe të fitojë"

Pas deklaratave të ish-drejtorit të FBI-së Comey, Trumpi u shpreh me tone luftarake para pasuesve të tiji në Uashington. "Ne do të luftojmë dhe do të fitojmë" - tha Trumpi. Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë akuzat e bëra nga James Comey. "Presidenti nuk është gënjeshtar" - tha zëdhënësja e tij, Sarah Huckabee Sanders.

Presidenti Trump vërtet që nuk rrezikohet që nga deklaratat e ish-drejtorit të FBI-së të përballet me pasoja të drejtpërdrejta ligjore. Por këto deklarata mund të nxisin debatin në lidhje me nisjen e hetimeve për shpërdorim detyre. Akuza se ishte përpjekur për të vënë nën presion gjyqësorin, çoi në rrëzimin nga posti të Presidentit Richard Nixon në vitin 1974.