1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ischinger: "Ndëshkimi i Putinit jo objektivi më i rëndësishëm"

Angela Merkeli shkon në kohë dramatike në Uashington. Por pas aferës së NSA-së, kriza e Ukrainës ofron shansin për t'i forcuar marrëdhëniet transatlantike, mendon Wolfgang Ishinger në intervistë me DW.

Wolfgang Ischinger

Deutsche Welle: Ambasador Ischinger, këtu në Uashington flasin për dështim dramatik të politikës ndaj Rusisë. Disa shohin riaktivizimin e Luftës së Ftohtë. Cilat janë sfidat që sjell kjo krizë për raportin transatlantik?

Wolfgang Ischinger: Unë më tepër kam përshtypjen se kriza e Ukrainës me një krizë pasuese tani do t'a forcojë politikën tonë ndaj Rusisë, marrëdhëniet transatlantike. Në njëfarë mënyre - këtë nuk e them shumë seriozisht - tani mund të thuash: Faleminderit, President Putin, na kujtuat neve gjermanëve dhe amerikanëve se NATO-ja mund të luajë ende rol. Na kujtuat se ka rëndësi që Evropa të flasë me një zë dhe se mbetet një objektiv i rëndësishëm strategjik që furnizimi me energji i Evropës duhet diversifikuar, që të mos jemi të varur vetëm nga një burim.

Këtu në Amerikë po mendohet shumë intensivisht edhe një riformulim i politikës globale të sigurisë dhe politikës së jashtme edhe në drejtim të Rusisë. Çfarë presin SHBA këtu nga Gjermania?

Mund të thuash këto gjëra: së pari, BE nuk u përça nga zoti Putin. Kjo regjistrohet pozitivisht në Uashington. Nuk ka vetëm një zë evropian, por ka edhe një koordinim shumë të mirë transatlantik. Së dyti: sanksionet natyrisht nuk e zëvendësojnë politikën. Ne do të shohim nëse do ta ndryshojnë sanksionet sjelljen e qeverisë ruse. Për këtë mund të dyshojmë. Kjo do të thotë që na nevojitet një strategji. Objektivi i parë i kësaj strategjie nuk duhet të jetë ndëshkimi i Putinit. Në disa komente amerikane lexon sikur nuk ka gjë më të rëndësishme se ndëshkimi dhe vënia me shpatulla pas muri e Putinit. Kjo është shumë e gabuar. Presidenti Putin dhe udhëheqja ruse do të na nevojiten në shumë tema ndërkombëtare. Pra ne duhet t'i përcaktojmë qartë prioritetet.

Cilat janë këto prioritete?

Prioriteti i parë është: SHBA dhe partnerët evropianë duhet të bien dakord për një strategji për Ukrainën. Në atë masë që do t'ia dalim mbanë që prej shtetit jofunksionues të viteve të fundit të bëjmë një shtet funksionues, në atë masë do të arrijmë një fitore jo ushtarake, por civile, të Soft Power mbi Vladimir Putinin.

Në ç'masë mund ta hedhin hapin me të tjerët gjermanët? Në Uashington kritikohet se gjermanët nuk janë vërtet të gatshëm të mbështesin sanksionet. Angela Merkelin, që nga një anë e shohin shumë të fortë, nga ana tjetër e kritikojnë se ndjek një politikë qetësimi (Appeasement) përballë Putinit.

Kjo është garantuar e gabuar. Kundër kësaj kritike duhet punuar në mënyrë masive. E parë me vëmendje, puna është e tillë që thuajse çdo sanksion që të vendosin amerikanët kundër Rusisë thuajse rezulton pa pasoja për ekonominë amerikane, sepse tregtia e Amerikës me Rusinë është e parëndësishme. Çdo masë sanksionesh që ndërmarrim ne, ka për Rusinë një efekt dhjetë herë më të madh se çdo sanksion amerikan...ndoshta ka pasoja negative edhe për interesat tona.

Wolfgang Ischinger ishte prej 2001 deri 2006 Ambasador i Gjermanisë në SHBA. Aktualisht ai është kryetar i Konferencës së Sigurisë të Mynihut.