1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ischinger: Fusnota paraqet shans për Kosovën

BE duhet të bindë edhe pesë vendet tjera që të njohin Kosovën. Wolfgang Ischinger, drejtor i Konferencës së Mynihut për Siguri dhe ish-ndërmjetësues e BE mbi dialogun Kosovë-Serbi.

Wolfgang Ischinger dhe Bahri Cani

Wolfgang Ischinger përgjigjet...

Zoti Ischinger, si i shihni Ju vendimet e fundit të Bashkimit Evropian, që Serbisë t'i jepet dritë jeshile për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ndërsa Kosovës studimi i fizibilitetit?

Woflgang Ischinger: Me siguri që këta ishin hapa të mirë dhe në drejtimin e duhur. Natyrisht që edhe më mirë do të kishte qenë sikur njëkohësisht me shqyrtimin e mundësive për afrimin e Serbisë me BE, të ishte arritur marrëveshje që edhe pesë vendet e mbetura të BE-së të njohin pavarësinë e Kosovës. Dëshiroj që në një të ardhme të shpejtë të mund të bindim ndonjë prej këtyre pesë vendeve që ardhmëria e Kosovës, ashtu sikur edhe Serbisë, është në BE. Anëtarësimi i Kosovës në BE nënkupton që ajo të njihet nga të gjitha vendet anëtare si shtet. Ky hap është i rëndësishëm dhe dikur duhet të bëhet. Por me këto vendime jemi në rrugën e duhur.

Mendoni se marrëveshjet e fundit mes Beogradit dhe Prishtinës do të influencojnë këto pesë vende, që problemin e Kosovës të shikojnë më ndryshe dhe të ndryshojnë qëndrimin e tyre të ngurtë për mosnjohjen e pavarësisë?

Ischinger: Unë nuk pres mrekullira. Por besoj, se duhet shikur mundësinë se cili prej këtyre pesë vendeve i pari mund të bëjë këtë hap - dhe të njohë pavarësinë e Kosovës. Në qoftë se vetëm një prej tyre e bën këtë hap, atëherë me siguri që herët apo vonë do të pasojnë edhe vendet tjera. Kjo është tani detyra jonë kryesore.

Fusnota në mbishkrimin e Kosovës, ku përmendet edhe Rezoluta 1244, ka shkaktuar reagime të shumta si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Pala serbe pohon se në këtë mënyrë është pranuar se kjo rezolutë ende është gjallë dhe se Kosova është pjesë e Serbisë. Ndërkohë, që qeveria në Prishtinë thotë se me këtë marrëveshje Serbia e ka bërë hapin e parë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Si duhet lexuar kjo fusnotë: është kjo për Kosovën një mangësi apo shans?

Ischinger: Unë e shoh këtë më shumë si një shans. Shikoni, mua ende më kujtohen kohrat kur ne në Republikën Federale Gjermane flisnim për "të ashtuquajturin DDR" (Gjermania Lindore). Nga perspektiva e sotme kjo duket qesharake. Kjo vlen edhe për Kosovën me këtë yllëz (fusnotë). Pas 20 vitesh njerëzit do të qeshin me këto pohime. Ky është një gjysëmhap, ndoshta i domosdoshëm në këtë moment. Unë e shoh këtë si shans për Kosovën.

Meqenëse Serbia këtë fusnotë e lexon si njohje e të gjitha atyre që shkruhen në Rezolutën 1244, që hap dhe apetite për praninë më të madhe të Serbisë në Kosovë, a ekziston rreziku që kjo fusnotë të cënojë gjendjen e sigurisë? Më konkretisht, a paraqet kjo fusnotë bazë për nxitjen e kërkesave të reja të Serbisë ndaj Kosovës?

Ischinger: Jo, ky rrezik nuk ekziston aspak. Besoj se është shumë me rëndësi që BE-ja t'ia bëjë  Beogradit të qartë pa ndërprerë se ne e dimë që ndërkohë është shtuar numri i serbëve të mençur, jo vetëm në Beograd por edhe në brendësi, të cilët e kanë kuptuar se kërkesat  e Serbisë ndaj Kosovës nuk kanë kurfarrë baze reale. Shumë njerëz që i njoh unë thonë se natyrisht që e kanë të qartë se kjo çështje i takon të së kaluarës. Por e kaluara nuk mund të harrohet aq shpejt. Prandaj është e rëndësishme që Serbia të ketë kohë të mjaftueshme për t'u përballur me këtë realitet. Ndërkohë që detyra jonë është që Beogradit t'ia bëjmë të qartë se nuk do të ketë afrim me BE-në, në qoftë se nuk i jepet fund kapitullit dhe kërkesave që Kosova të jetë e Serbisë.

Mendoni se negociatat me Serbinë për anëtarësim në BE do të fillojnë së shpejti? Beogradi pret që kjo të ndodhë deri në fund të vitit...

Ischinger: Mendoj se duhet edhe ca kohë, por është e sigurt se nuk do të ketë ndonjë automatizëm. Çdo hap i Serbisë drejt BE-së do të varet nga raportet mes Prishtinës dhe Beogradit. Nuk guxojmë të lejojmë që Kosova të mbetet mbrapa. Treni duhet të shkojë së bashku përpara. Afrimi i Serbisë me BE duhet të nënkuptojë edhe afrimin e Kosovës me BE-në.

Ka ndonjë mundësi që Serbia të pranohet para Kosovës në BE, apo e kundërta që Kosova të bëhet anëtare e BE-së para Serbisë? Kjo duket shumë e rëndëesishme, sepse nëse njëra prej tyre bëhet më parë anëtare e BE-së, atëherë është shumë e mundur që të bllokojë vendin tjetër...

Ischinger: Unë nuk shoh ndonjë domosdoshmëri që të gjitha gjërat të ndodhin menjëherë. Por gjërat duhet të lidhen mes vete. Neve na duhet një zgjidhje e përgjithshme, e cila ka një qëllim të përbashkët: të dy këto shtete, Serbia dhe Kosova, duhet që në fund të këtij procesi të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë qëllimin e synuar.

Intervistën e zhvilloi: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama