1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Isa Mustafa: Nuk mund të tërhiqen marrëveshjet

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një intervistë ekskluzive për DW, flet se si e sheh ai zgjidhjen e krizes politike në Kosovë, ku e sheh rolin e opozitës, sa është i qëndrueshëm koalicioni me PDK-në ...

DW: Z. kryeministër Mustafa, ka disa javë që opozita kosovare po bllokon punimet e kuvendit të Kosovës, kishte edhe skena dhune në parlament. Opozita po kërkon tërheqjen e nënshkrimeve nga dy marrëveshje, ajo për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionionin me Malin e Zi. Më intereson të di, si e shini ju zgjidhjen, daljen nga kjo krizë?

Isa Mustafa: Unë mendoj se zgjidhja nuk është në kërkesat e opozitës, sepse kërkesat janë pa zgjidhje. Nuk është zgjidhja që të tërhiqen nënshkrimet nga marrëveshjet që i kemi bërë me ndërmjetësimin e BE-së, nuk është zgjidhje po ashtu që të anulohet marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, por zgjidhja është kuvendi i Kosovës, ku duhet të ulemi dhe të japim argumentet tona për marrëveshjet që i kemi arritur dhe po ashtu arbitër kryesor për marrëveshjen e asociacionit është Gjykata Kushtetuese, ndaj zgjidhja është në Gjykatën Kushtetuese, prandaj ҁdo kush që pretendon që është shkelur diҁka nga kushtetuetshmëria, mund t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe ajo do të japë verdiktin e saj, i cili do të jetë i pranueshëm dhe i zbatueshëm prej nesh të gjithëve. Ndërsa, ҁdo kush që ka vërejtje për një metër katror që ne e kemi humbur në shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, poashtu duhet të jap argumete. Ne atë sipërfaqe e kemi administruar prej vitit 1974 deri më 31 dhjetor 1988, e cila është argumentuar dhe shprehur në mënyrë eksplicite edhe me pakon e Marti Ahtisarit që është territori që Kosova e ka në administrim edhe pas shpalljes së pavarësisë. Nëse nuk është ashtu atëherë do të kërkojmë nga Mali i Zi që të bëhen korigjime, mirëpo, deri më sot ne nuk e kemi pasur asnjë argument ndryshe. Zgjidhja nuk është me gaz lotsjellës me ushtrim të dhunës në kuvend me dhunë dhe kërcënime që iu bëhen institucioneve të Kosovës, por është në argumentim dhe është në parlament. Ne jemi në gjendje që në ҁdo moment në parlament të japim ҁdo shpjegim, për ҁdo pikë, për ҁdo fjalë për ҁdo fjali të marrëveshjeve, dhe po ashtu jemi në gjendje që atë ta mbrojmë dhe të bartim përgjegjësi për marrëveshjet. Unë konsideroj që marrëveshjet janë në dobi të Kosovës janë në dobi të stabilitetit në rajon dhe janë në dobi të shtensionimit të raporteve dhe në dobi të ushtrimit të sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministër, ju përmendet argumentet tuaja, opozita ka argumentet e saj, por parë edhe në rrafshin politik, e keni shumë të vështirë që t'i tërhiqni këto nënshkrime në mënyrë që të kthehet gjendja në rrjedhë normale ashtu siҁ po thotë opozita?

Unë mendoj se tërheqja e nënshkrimeve është vetëm një pretekst që nuk është i bazuar, sepse ne nuk kemi nënshkruar diҁka, për të cilën nuk kemi pasur një bazë ligjore. Marrëveshja e parë është arritur në prill të vitit 2013 dhe në qershor të vitit 2013 kuvendi i Kosovës me mbi 2/3 e deputetëve ka ratifikuar ligjin e marrëveshjes ndërkombëtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë ligj është ratifikuar një marrëveshje në të cilën në pikën e parë thuhet se do të krijohet asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe pasojnë edhe gjashtë pika të tjera që i destinohen asociacionit, prandaj ne këtu nuk kemi ҁka me tërheq ose me vënë nënshkrime, sepse, nënshkrimin e kanë vënë 84 deputetë të kuvendit të Kosovës me miratimin e ligjit për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje dhe kjo ҁfarë është bërë tash, janë përcaktuar vetëm parimet kryesore mbi të cilat do të ndërtohet asociacioni. Ne nuk kemi tash vendim për themelimin e asociacionit, vendimin e ka marrë kuvendi. Pra kot është, i hoqën apo nuk i hoqëm nënshkrimet ne nuk efektojmë në ligj dhe ne nuk mund t'i tërheqim nënshkrimet nga një detyrim ligjor që e kemi, sepse krijimi i asociacionit është detyrim ligjor. Në qoftë se kuvendi do të votonte me dy të tretat e votave të dyfishta që ta shfuqizonte atë ligj, atëherë ajo është punë tjetër, por unë nuk e shoh këtë mundësi, sepse me vetëdije të plotë dhe me synime që raportet të normalizohen, kuvendi e ka miratuar këtë ligj në vitin 2013.

Megjithatë, z. Mustafa, realiteti në parlamentin e Kosovës tash është ndryshe dhe këto ditë pamë edhe skena të dhunës. Sa ekziston rreziku që dhuna nga parlamenti të bartet në rrugë?

Nuk do të dëshiroja që ta kemi këtë tension as brenda e as jashtë parlamentit. Unë mendoj se tensioni po zhvillohet brenda, sepse opozita nuk ka përkrahje jashtë, sepse po të kishte përkrahje jashtë ata presionin do ta bënin jashtë. Ata thirren në emër të qytetarëve por nuk e kanë përkrahjen e qytetarëve. Ju e keni pa në dy tre raste kur ata i kanë ftuar qytetarët dhe kanë qenë një numër i vogël qytetarësh që i ke numëruar në gishta. Qytetarët nuk shohin dëm nga kjo, qytetarët nga kjo shohin dobi, sepse ne me këtë po ushtrojmë sovranitetin në tërë Republikën e Kosovës, po i integrojmë serbët, po e heqim një problem që e kemi pasur me infiltrimin e Serbisë në territorin tonë, dhe po mundohemi të krijojmë kushte që serbët të veprojnë sipas Kushtetutës së Kosovës, sipas ligjeve të Kosovës dhe të pranojnë sovranitetin e Kosovës. Prandaj, unë me sjelljet e opozitës në parlament, vetëm po shoh dëm, dëm që po i shkaktojnë edhe vetvetes, sepse ata nuk e kanë përkrahjen e qytetarëve, ata ҁfarë po bëjnë me këtë peticion është punë krejt tjetër, sepse qytetarëve duhet t'u shpjegohet së pari se ҁfarë po nënshkruajnë, ҁfarë po bëjnë dhe pastaj të kërkohet nënshkrim nga ta.

Kryeministër Mustafa, sa është i qëndrueshëm koalicioni me PDK-në. Kemi parë që brenda kryesisë së kuvendit janë përfaqësuesit e partisë suaj LDK që po kritikojnë kryetarin e kuvendit, që vjen nga PDK-ja, i cili sipas tyre, nuk po zbaton rregulloren e kuvendit që do të mundësonte funksionimin normal të parlamentit?

Koalicioni është shumë i qëndrueshëm ne kemi besim reciprok në të gjitha aktivitet që po i bëjmë dhe kjo ka krijuar kushte që ne t'i marrim disa vendime, të cilat kanë qenë shumë të rënda. Neve na ra mbi kurriz që të marrim vendime që nuk janë marrë një kohë të gjatë, ajo që ka të bëjë me gjykatën speciale, me shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe marrëveshja për asociacionin. Në kuvend ka pasur mendime të ndryshme sa i përket zbatimit të rregullores, është në përgjegjësinë e kryetarit të kuvendit të vlerësojë se si të zbatohet rregullorja dhe pastaj të kërkojë prej kryesisë që të marrin vendime. Edhe unë jam i bindur që kuvendi duhet të zbatojë rregulloren e vet të punës në mënyrë që të ndërmerren të gjitha masat që kuvendi të funksionojë dhe të sigurohen deputetët brenda kuvendit sepse, deputetët janë të rrezikuar me këtë sjellje që po bën opozita. Është e papranueshme që opozita të hedh gaz lotsjellës në ambiente të mbyllura. Është e ndaluar edhe me konventa ndërkombëtare. Është e sqaruar se kush mund ta bëjë atë, atë mund ta bëjë ushtria mund ta bëjnë policitë, por mund ta bëjnë gjithnjë duke respektuar konventat ndërkombëtare të përdorimit të gazit lotsjellës, e jo individët që thirren në patriotizëm dhe ta përdorin gazin në ambiente të mbyllura, kjo nuk guxon të lejohet.

Z. Mustafa, a nuk mendoni se ju takon juve si kryeministër i vendit që t'i thërrisni liderët e partive politike opozitare dhe të arrini një koncensus politik për këto marrëveshje?

Instrumentin e konsensusit ne nuk e kemi si instrument kushtetues mbi të cilin ne bëjmë marrëveshje ose mbi të cilën ne i përcaktojmë rregullat e sjelljes, sepse demokracia e ka rregullin e shumicës. Sa isha i rreshtuar në kohën e VLAN, që ishte një marrëveshje koalicioni, lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht kërkonte që vendimet të merren me konsensus dhe ne edhe ateherë u kemi thënë atyre që vendimet në demokraci merren me shumicë jo me konsensus. Unë e di që vendimet që i kemi marrë edhe për asociacionin dhe shumë vendime të tjera janë vendime të rënda dhe askush nuk kish dashtë që të jetë pjesë e atyre vednimeve, por, janë vendime që i ndihmojnë vendit tonë. Opozita nuk ka ofruar zgjidhje për veriun e vendit, nuk ka ofruar zgjidhje sesi të integrohen serbët, nuk ka ofruar zgjidhje sesi të komunikohet me serbët, nuk kanë ofruar zgjidhje, i kundërshtojnë marrëveshjet por nuk ofrojnë zgjidhje, ata kundërshtojnë marrëveshjet, thirren në Republikën e Kosovës, por mohojnë simbolet e Kosovës, himnin Flamurin, ndërsa tash e mohojnë edhe konceptin e shtetit multientik, ndërsa prej botës perëndimore ne njihemi dhe jemi pranuar nga mbi 110 shtete si vend multietnik dhe këtë ne e kemi futur si parim dhe rregull kushtetues të vendit.

Sa ndiheni përgjegjës për gjendjen e krijuar në Kosovë, pavarësisht se në deklarimet tuaja përgjegjës bëni opozitën?

Unë ndiej përgjegjësi pozitive për vetveten, sepse kam pasur kurajon që të marr vendime, të cilat nuk kanë qenë të lehta, mburrem edhe me bahskëpunëtorët me të cilët kam punuar dhe i kemi marrë këto vendime, por jam i zhgënyer me opozitën dhe pretekstin që ata duan ta shfrytëzojnë në këtë situatë dhe të ndërtojnë kauzë mbi marrëveshjen për asociacionin dhe shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi për të ardhur në pushtet në mënyre jodemokratike dhe përmes dhunës. Unë do të vazhdoj dhe nuk do të heq dorë nga ajo ҁfarë kemi bërë së bashku me qeverinë dhe ekipin, sepse, konsideroj se në këtë moment nuk kemi përkrahje tjetër nga SHBA dhe BE dhe po ashtu nuk kemi zgjidhje tjetër që mund t'u ofrojmë qytetarëve tanë, sepse zgjidhja tjetër është konflikti, është lufta dhe nuk mundemi që me luftë ta zgjidhim problemin e integrimit të veriut të vendit, por duhet ta zgjidhim përmes kompromisit dhe dialogut. Kompromisi nganjëherë është i dhimbshëm por kompromisi në pikpamje afatgjatë, shembull kompromisi të gjitha vendeve demokratike u ka ofruar zgjidhje, i ka ofruar zgjidhje, Gjermanisë, Francës, dhe shumë vendeve të Evropës dhe edhe ne nuk jemi diҁka i veҁantë, popull i veҁantë me merita të veҁanta, apo me ndonjë shenjtëri të veҁantë dhe që edhe ne të mos mund të zbatojmë rregulla që nuk i kanë zbatuar vendet tjera.

Kryeministër Mustafa, të flasim pak për dialogun me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve. Bashkimi Evropian në dokumentin për Serbinë në nisjen e negociatave për anëtarësim me saktësisht në kapitullin e 35 e kushtëzon Serbinë me përmirësimin e raporteve me Kosovën, si kusht për nisjen e negociatave për anëtarësim. Madje kushtëzimi vjen drejtpërdrejt nga Gjermania. Nëse Gjermania mund ta kushtëzojë Serbinë, pse qeveria e Kosovës nuk mund ta kushtëzojë Serbinë në mos vazhdimin e dialogut pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura?

Jemi në gjendje dhe duhet të vemë kushte. Nuk mundet Serbia të sillet papërgjegjshëm ndaj këtyre marrëveshjeve, sepse Serbia po nënshkruan marrëveshje me ne në Bruksel, ndërsa, në Beograd po emëron organe paralele për Kosovën, qoftë nëpër komuna, qoftë organizata të tjera publike apo organizata që nuk janë pronë e tyre dhe nuk janë në menaxhimin e tyre. Ne këtë ҁështje e kemi shtruar edhe në Bruksel që marrëveshjet duhet të zbatohen. Në takimin e fundit kryeministri i Serbisë është zotuar se do t'i zbatojë të gjitha marrëveshjet dhe është një gjë e mirë që kapitulli 35 e obligon Serbinë që të zbatojë marrëveshjet me Kosovën dhe zbatimi të vlerësohet ҁdo gjashtë muaj dhe ecja përpara e Serbisë do të vlerësohet nga zbatimi i marrëveshjeve me Kosovën. Por, zbatimi nuk vlen vetëm për Serbinë, rregulli i zbatimit vlen edhe për Kosovën, sepse marrëveshjet nuk mund të zbatohen në mënyrë të njëanshme. Tash ajo ҁfarë ne duhet ta shfrytëzojmë si shans është pikërisht qëndrimi gjerman, që Serbia të kushtëzohet, sepse, nëse ne nuk e shfrytëzojmë këtë proce që t'i zgjidhim kontestet dhe problemet që kemi me Serbinë dhe që Serbia të heqë dorë nga Kosova, atëherë shtrohet pyetja se kur do të mund ta krijojmë një atmosferë të tillë në Bashkimin Evropian që Serbia që pretendon territor në Kosovë të heq dorë nga Kosova dhe ne ta ushtrojmë sovranitetin tonë.

Z. Mustafa, ju përmendet edhe zotimin për zbatimin e marrëveshjeve nga të dyja palët, do të thotë se Kosova do ta krijojë asociacionin e komunave me shumicë serbe?

Marrëveshja do të zbatohet në procedurë që e kemi parapashikuar dhe procedura është tepër garantuese. Ne e kemi parashikuar në dy faza, të marrim mendimin e Gjykatës Kushtetuese në ҁdo pikë të marrëveshjes dhe ai është garanti, është arbitri i kushtetutshmërisë së vendit. Në qoftë se Gjykata Kushtetuese thotë se një pikë e marrëveshjes nuk është në harmoni me kushtetutën, ne nuk do ta zbatojmë atë, pastaj do ta njoftojmë Brukselin se kemi mendim të Gjykatës Kushtetuese që kjo nuk mund të zbatohet, pra e bëjmë tash para se ta hartojmë statutin dhe pasi ta hartojmë statutin, atë e dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që Gjykata të japë mendimin se është statuti plotësisht në harmoni me ligjin, apo nuk është. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, nuk është pushtet i tretë, nuk është ekzekutiv, nuk krijon asimetri dhe për këtë kemi garanci nga SHBA dhe Bashkimi Evropian dhe kjo është përgjigjja kryesore që ne i japim vetvetes dhe qytetarëve tanë.