1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Isa Mustafa: nuk kam pasur informacion për atë çka ndodhur në Kumanovë

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa bën thirrje për një hetim të pavarur, objektiv dhe gjithëpërfshirës, pas ngjarjeve në Kumanovë. Konfirmohet se 9 të vrarë dhe 21 të arrestuar në Kumanovës janë shtetas të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa shprehu shqetësimin lidhur me siç thotë "tendencat për manipulimin e opinionit se gjoja kryeministri i Kosovës ka pasur informata nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, lidhur me ngjarjet që mund të ndodhnin në Kumanovë të Maqedonisë. Kryeministri Isa Mustafa, nëpërmjet një deklarate për media (19.05), bën thirrje "për përmbajtje nga ndërhyrjet në punën e pavarur të organeve të drejtësisë, duke konsideruar se ndërhyrjet e tilla nuk i shërbejnë sundimit të rendit dhe ligjit, për të cilin do të duhej të ishim të përkushtuar të gjithë".

Më tej në deklaratë theksohet, se "sigurojmë opinionin se po qe se kryeministri i Republikës së Kosovës do të dispononte informata të tilla, jo vetëm që me urgjencë do të kërkohej nga institucionet e sigurisë për të ndërmarrë të gjitha veprimet parandaluese, por një gjë e tillë do të kërkohej edhe nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë, me qëllim të parandalimit të humbjes së jetës së njerëzve dhe dëmtimit të pronës", thuhet në komunikatë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës bën thirrje për një hetim të pavarur, objektiv dhe gjithëpërfshirës, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave dhe pasojave, që kanë rezultuar me viktima në njerëz dhe dëme të shumta të pronave. Kryeministri i Republikës së Kosovës apelon që për shkak të rrethanave, ky hetim të mbështetet edhe nga organet e drejtësisë ndërkombëtare.

Ky reagim i kryeministrit Isa Mustafa u bë vetëm një ditë pas konfirmimit zyrtar nga drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës, se institucionet e Kosovës deri me tash kanë vetëm informacionin, se gjatë përleshjes së armatosur në Kumanovë të Maqedonisë, janë vrarë 9 dhe janë arrestuar 21 shtetas të Kosovës.

Drejtori i policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, thotë se autoritetet e Maqedonisë nuk kanë bashkëpunuar mjaftueshëm në shkëmbimin e informacioneve, ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Policia e Kosovës, sipas tij, nuk kanë pasur asnjë informatë të mëhershme, që do të paralajmëronte përleshjen e armatosur në Kumanovë.

"Përfundimisht, i kanë dërguar informacionet, shënimet e përgjithshme të atyre njerëzve në përgjithësi, të cilat ne përmes sistemeve tona i kemi verifikuar dhe kanë rezultuar si të tilla", theksoi drejtori i Policisë Shpend Maxhuni para komisionit parlamentar për punë të brendshme.

Sipas tij, në bazë të verifikimit që i kanë bërë autoritetet e Kosovës informacioneve të marra nga autoritetet maqedonase, rezulton të jenë 9 shtetas të Kosovës të vrarë dhe 21 të arrestuar gjatë përleshjes së armatosur në Kumanovë.

Mediet në Kosovë, menjëherë pas ngjarjeve në Kumanovë, shkruanin se Agjencia Kosovare e Inteligjencës, paraprakisht i kishte njoftuar krerët më të lartë të Kosovës, lidhur me konfliktin e mundshëm në Maqedoni.

Mirëpo, Ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovës, Skënder Hyseni, para komisionit parlamentar të punëve të brendshme, e ka mohuar një gjë të tillë. Sipas tij, Ministria e Rendit nuk ka pasur asnjë informacion të mëhershëm, që do të shërbente për të tërhequr vëmendjen për ato që më pas ndodhën ne Kumanovë. Edhe ministri Skënder Hyseni, ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar të asaj që ka ndodhur në Kumanovë. "Ajo që ka ndodhur atje është nën përgjegjësinë ekskluzive të autoriteteve të Maqedonisë. Është qëndrim i imi personal në këtë rast që do të duhej lejuar një hetim ndërkombëtar, kompleks, që të evitohen të gjitha mundësitë e spekulimeve, të natyrës çfarë i kemi parë", thotë ministri i rendit Skënder Hyseni. Ai thotë se është i gatshëm që ta ndajë me qytetarët e Kosovës çdo informacion, të cilin e kanë institucionet, duke shtuar se qeveria e Kosovës insiston që krizat qeveritare në një vend fqinj, të mos importohen në Kosovë, sepse kjo është e rrezikshme.

Ndërkaq shumë familjarë nga Kosova edhe sot kanë udhëtuar për në Maqedoni për të vizituar të arrestuarit, qytetar të Kosovës të përfshirë në konfliktin e Kumanovës që tash po mbahen në burgun e Shutkës në Maqedoni.