1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq takohen më 23 qershor në Bruksel

Grupet punuese të Prishtinës e Beogradit prej një jave diskutojnë në Bruksel për energjinë, telekomin e barrikadën mbi Lumin Ibër. Por mbi çështjen e kodit telefonik deklaratat e palëve bien ndesh me njëra-tjetrën.

Ka një javë që grupet punuese të Prishtinës dhe Beogradit po qëndrojnë në Bruksel duke diskutuar shumë tema që kërkojnë zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto grupe punuese po i paraprijnë takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiq, që do të mbahet në Bruksel më datën 23 qershor. Ministrja kosovare e dialogut Edita Tahiri, para nisjes për në Bruksel ka bërë të ditur temat që grupet punuese të Prishtinës dhe Beogradit diskutojnë para Takimit Mustafa-Vuciq. “Flasim për çështjen e energjisë, pastaj të telekomit, të sigurisë së automjeteve, do të flasim për heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër, por edhe formimi i Asociacionit të Komunave serbe po vjen në radhë, për arsye se në temat tjera janë arritur marrëveshje zbatuese, sidomos këtë vit kemi arritur marrëveshje për drejtësinë dhe për shuarjen e të ashtuquajturës mbrojtja civile, kështu që tema e fundit ka mbetur asociacioni dhe tash edhe ajo po vjen në radhë”, thotë Edita Tahiri.

Gati kodi i ri telefonik?

Sa i përket çështjes së telekomit dhe kodit telefonik bëhet e ditur se ka përparime, por ende mbetet të bisedohet në të ardhmen. Vetë Edita Tahiri, tha për mediat lokale në Prishtinë, se Kosova tashmë do ta ketë kodin e saj telefonik (plus-383). Ai do të merret drejtpërdrejt nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve ( ITU ), ndërsa kërkesa për kod do të bëhet nga shteti i Austrisë për faktin që Kosova nuk është shtet anëtar i OKB-së.

Kryesuesi i grupit punues të Beogradit në bisedime me Prishtinën Marko Gjuriq, i ka hedhur poshtë deklaratat e ministres kosovare Edita Tahiri. Ai thotë se vetëm Serbia mund të kërkojë kod të telefonisë dhe atë mund ta përdorë për nevoja të veta.

“Nuk mund të bëhet fjalë për atë që Kosova, në mënyrë të drejtpërdrejt të bëhet pronare e numrit të prefiksit. Kjo nuk është e mundur sipas të drejtës ndërkombëtare dhe sipas rregulloreve të vet organizatës për telekomunikim", citojnë mediat lokale Marko Gjuriqin.

Barrikada mbi Lumin Ibër

Temë tjetër që këtë javë pritet të marrë një zgjidhje është edhe barrikada, apo “parku i paqes”, mbi Lumin Ibër në Mitrovicë. Një vlerësim të gjendjes për rikonstruktimin e urës e ka marrë përsipër një komision i Bashkimit Evropian, i kryesuar nga Samuel Zhbogar, përfaqësues i BE-së në Kosovë. Zhbogar tashmë e ka prezantuar tashmë propozimin e tij në Bruksel për parkun e paqes mbi Lumin Ibër në Mitrovicë, sipas konfirmimit të Maja Kocijanciq, zëdhënësë e shefes së diplomacisë evropiane. “Kryesuesi i grupit punues mbi çështjen e urës Samuel Zbogar paraqiti të dy anët e vlerësimit teknik që është bërë kohët e fundit dhe sugjerime mbi rrugën përpara,” citohet të ketë thënë Maja Kocijançiq, duke mos specifikuar detajet e planit.

Serbien Premierminister Aleksandar Vucic

Kryeministri i Kosovç Isa Mustafa e ai serb Aleksandër Vuçiq takohen në Bruksel

Marrëveshje në letër

Prishtina dhe Beogradi zhvillojnë bisedimet prej disa vjetësh. Me 19 prill të vitit 2014, u arrit marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mirëpo, që nga ajo kohë shumë marrëveshje të arritura nuk kanë gjetur zbatim. Analisti Fisnik Korenica nga Instituti për Studime Juridike e Politike, i tha Dë se qeveria e Kosovës duhet ta rishikojë zbatimin e tërësishëm të marrëveshjeve të Brukselit, si parakusht për të vendosur pastaj vazhdimin ose jo të Dialogut me Serbinë. “Vlerësimi i zbatimit të pikave të marrëveshjeve të arritura është një domosdoshmëri për ta matur njëherë ndikimin që ka pasur dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, pa të cilin vlerësim Qeveria e Kosovës do të hynte verbërisht në një proces kundër interesit të Kosovës. Nga një vlerësim i tillë do të vërtetohej që marrëveshjet e arritura kanë pasur një efekt minimal, për të mos thënë që ato kanë dështuar në tërësi, për të instaluar një qeverisje demokratike në veriun e Kosovës ku institucionet e sundimit të ligjit veprojnë efektivisht për të garantuar lëvizjen e lirë dhe zhbërjen e tërësishme të ndikimit të Beogradit në veriun e Kosovës”, thotë Fisnik Korenica. Ai thotë se kryeministri Mustafa nëse pranon të vazhdojë Dialogun me Serbinë pa e bërë një vlerësim të tillë, do të tregojë se Kosova është një shtet joserioz.

“Dialogu me Serbinë duhet kushtëzuar, si fillim, me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura. Nje zbatim i tillë nënkupton garantimin që në veriun e Kosovës sundon ligji i shtetit të Kosovës, dhe garantohet lëvizja e lirë e funksionojnë institucionet bazike të përfaqësimit të përcaktuara në kushtetutën e Kosovës. Përtej kësaj, Kosova duhet që të kushtëzojë Serbinë me heqjen dorë prej pretendimit të ndalimit të anëtaresimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, gjë e cila po e rrezikon seriozisht pozicionin ndërkombëtar të Kosovës”, thotë Fisnik Korenica. Ai mendon se vazhdimi i dialogut me Serbinë pa e kushtëzuar Serbinë, do të sjellë një situatë ku Serbia avancon së tepërmi në agjenden e saj evropiane dhe pastaj do ta bënte te pamundur që Serbia të kushtëzohej nga politika e zgjerimit e BE-së. Prandaj, sipas analistit Fisnik Korenica, kushtëzimi i dialogut me Serbinë, është një hap që do të garantonte objektivin e këtij Dialogu, që është normalizimi i marrëdhënieve faktike ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë.

Akoma nuk dihet se çfarë do të sjellë takimi i dytë i 23 qershorit ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuçiq, që do të zhvillohet në Bruksel. Në takimin e parë i cili po ashtu ishte ndërmjetësuar nga shefja për politik e Jashtme të BE-së Federika Mogherini, të dy kryeministrat nënshkruan marrëveshjen për drejtësinë që u cilësua si mjaft e rëndësishme për t'i dhënë fund sistemit paralel në veri të Kosovës.