1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

IRZ ndihmon sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe në Shqipëri

Fabian Schmidt29 Janar 2009

Javën e ardhshme një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, do të vizitojë Gjykatën Kushtetuese gjermane në Karlsruhe.

https://p.dw.com/p/GjQr
Matthias Weckerling, drejtor i Fondacionit për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar
Matthias Weckerling, drejtor i Fondacionit për bashkëpunimin juridik ndërkombëtarFotografi: IRZ-Stiftung


Në delegacion marrin pjesë të gjithë gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese shqiptare, si dhe punonjës të drejtësisë. Ata u ftuan nga Fondacioni për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar. Fondacioni është duke ndihmuar prej disa vitesh sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Tetë vjet bashkëpunim me Shqipërinë

Ky bashkëpunim nuk është i ri thotë Matthias Weckerling, drejtor i fondacionit: „Vizita e parë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese gjermane është zhvilluar në vitin 2001. Ne duam ta mbështesim Gjykatën Kushtetuese shqiptare, që ka një detyrë të madhe juridiko-politike. Nga njëra anë në çështje protokollare, nga ana tjetër edhe përmes dialogut politik me Gjykatën Kushtetuese. Edhe në Shqipëri ekziston mundësia e ngritjes së padive në Gjykatën Kushtetuese. Qytetarë të veçantë mund të bëjnë ankesa ashtu si në Gjermani. Këtu ka shumë përvoja të përbashkëta. Mund të mësojmë prej njëri-tjetrit. Edhe përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese gjermane kanë qenë në Shqipëri. Ky dialog ekziston prej tetë vjetësh dhe ne punojmë në organizimin e tij.“

Sfida kryesore zbatimi i ligjeve

Dr. Stefan Pürner, drejtues projekti për Shqipërinë, sfidat kryesore i sheh në rrafshin praktik të punës së gjykatës kushtetuese: „Problemet më të mëdha i gjen në zbatimin, por jo në krijimin e kuadrit ligjor, sepse këtu është bërë shumë. Por duhen përgatitur juristë me aftësitë përkatëse, që janë profesionalisht në gjendje t´i zbatojnë këto ligje. Prandaj theksi duhet vënë në atë, që gjërat, që ekzistojnë tashmë në teori, t´i mbushim edhe me jetë – psh me gjykatës të pavarur dhe me kompetencë profesionale.

IRZ aktive në shumë fusha në Shqipëri

Konkretisht kjo bëhet kryesisht me projekte trajnimi: „IRZ është prej vitesh aktive në Shqipëri. Psh përmes një projekti të madh të financuar nga BE. Këtu ekspertët tanë prej shumë vitesh këshillojnë vazhdimisht ministrinë e Drejtësisë dhe janë të pranishëm atje. Atje ndodhen një gjykatës administrativ dhe një Prokurore e Përgjithshme. Ata jetojnë vazhdimisht në Tiranë, në një ekip me juristë të tjerë evropianë. Ministria e drejtësisë mund t´u drejtohet vazhdimisht ekspertëve aty. Më tej, ne bashkëpunojmë edhe me Shkollën e Magjistraturës. Prej vizitës së Gjykatës Kushtetuese në Gjermani me siguri që do të dalin edhe tema të tjera. Kjo ka qenë dëshira e gjykatësve kushtetues shqiptarë, për të mësuar për bashkëpunimin e gjykatësve kushtetues gjermanë me punonjësit e tyre shkencorë. Kjo është në fakt një çështje teknike, por shumë e rëndësishme në punën e përditshme. Ne bashkëpunojmë edhe me dhomën e noterëve shqiptarë në përgatitjen e tyre.“

Bashkëpunimi mund të zgjerohet

Drejtori Weckerling do të dëshironte ta zgjeronte edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë në këtë fushë. „Ne do të bënim me gjithë qejf më shumë në Shqipëri, por shohim, se Shqipëria është e konfrontuar me shumë oferta ndërkombëtare ndihme. Sigurisht që do të gëzoheshim, sikur ofertat gjermane, që i bëjmë vazhdimisht, t´i pranonin më shumë se ç´ka ndodhur në të kaluarën.“

Ligji për Gjykatën Kushtetuese në Kosovë i ngjashëm me atë gjerman

Fondacioni gjerman për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë është po ashtu i lidhur me Komisionin për krijimin e Kushtetutës në Kosovë. Bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e nxjerrjes së ligjeve, lehtëson punën e Fondacionit. Dr. Stefan Pürner, drejtori i Projektit për Kosovë dhe Shqipëri shpjegon: „Ne jemi duke punuar që në vitin 2000 në Kosovë dhe vende të tjera të Evropës Juglindore. Ne punojmë së bashku me Akademitë e drejtësisë atje dhe me qendrën "Kosovo-Law". Aktualisht ne jemi duke ndihmuar ministrinë e Drejtësisë, në kuadër të një projekti të BE-së dhe do të fillojmë këtë vit projekte të tjera për specializimin e juristëve të Kosovës. Nëpërmjet këtij angazhimi ne mësuam shumë herët për planet e krijimit të një Gjykate Kushtetuese. Juristët kosovarë kanë punuar paraprakisht për ligjin përkatës, i cili i ngjan shumë ligjit gjerman. Prandaj nuk do të ishte keq, që në këtë fushë të merret edhe përvoja gjermane. Ne e dimë se ekzistojnë plane për përfshirjen e Gjykatëse Kushtetues shqiptare dhe se grupi përkatës i ekspertëve është krijuar tashmë. Ne, morrën në dorë projektligjin dhe ja dhamë specialistëve tanë për ekspertizë. Sipas mendimit tonë, ligji është solid. Ne shpresojmë të punojmë më ngushtë me Gjykatën Kushtetuese shqiptare, e cila ka mbledhur para disa vitesh përvojën e ndihmës në këtë proces, nëpërmjet ekspertizave, specializimeve, raporteve mbi përvojën gjermane etj.“

Me rëndësi vendi që zë Gjykata Kushtetuese në realitetin politik

Matthias Wecckerling, Drejtor i Fondacionti shton se, "se përvoja në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese i kalon kufijtë e Kosovës: „Shumë shtete të pavarura, për shembull Ukraina ka kaluar në të njëjtin proces. Procesi nuk ka të bëjë vetëm me krijimin e normave, pra të një ligji dhe të një udhëzuesi, por ka të bëjë me vënien e tyre në jetë, me vendin që zë Gjykata Kushtetuese në realitetin politik të vendit. Për shembull në Ukrainë, ne kemi arritur të kemi një dialog të vazhdueshëm midis Gjykatësve kushtetues ukrainas dhe atyre gjermanë, në mënyrë që të vazhdojmë zhvillimin profesional të Gjykatës së re Kushtetuese dhe ta bëjmë atë më të sigurt në vetveve, për të treguar cilat shtigje kemi kaluar ne në Gjermani, dhe cilat prej tyre mund të përdoren edhe në një sistem tjetër. Një gjë të tillë ne kemi planifikuar ta bëjmë edhe në Kosovë, për sa kohë që kjo dëshirohet prej saj, por duke siguruar edhe pjesëmarrjen e Gjykatës Kushtetuese shqiptare, me të cilën ne jemi prej vitesh në kontakt.“

Puna mund të bëhet jashtë bizneseve të politikës së ditës

Sipas fjalëve të drejtorit Weckerling, fakti që Kosova është pranuar si shtet i pavarur nga Gjermania, por jo nga UNMIK dhe nga EULEX, nuk e pengon punën e fondacionit: „Ne ofrojmë kryesisht bashkëpunim ligjor dhe profesional. Komponentët politik, të politikës së jashtme dhe të së drejtës së popujve luajnë në këtë rast një rol të dorës së dytë. Ligjvënësit mund të këshillohen, pa patur nevojë që të merret parasysh aspekti i të drejtës së popujve. Këtë Gjermania për shembull e ka bërë edhe për ligjet ekonomike, para se Kosova të shpallte pavarësinë. Ne sigurisht, që respektojmë edhe partnerët e tjerë, si Serbia apo shtetet e tjera të rajonit, me të cilat punojmë ngushtë së bashku. Puna serioze dhe me bazë mund të bëhet jashtë bizneseve të politikës së ditës."