1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Irlanda do t'ia dalë mbanë brenda një viti pa program ndihmash

Para Parlamentit Evropian në Strasburg, kryeministri irlandez Enda Kenny sqaroi pikërëndesat e presidencës irlandeze të radhës të sapofilluar të BE. Vendin e tij ai e rekomandon si shembull për reforma.

Enda Kenny

Enda Kenny

Enda Kenny duket se është i preferuari i Parlamentit Evropian, jo ai personalisht, por si përfaqësues i vendit të tij. Sepse politika irlandeze e konsolidimit së bashku me programin e ndihmave të BE dhe të FMN konsiderohen si model: Irlanda pengoi me to falimentimin shtetëror. Ky falimentim kërcënonte para së gjithash, sepse shteti irlandez u desh të shpëtonte bankat e zhytura krejtësisht në borxhe, duke e futur veten në rrezik.

Kenny tha para Parlamentit Evropian në Strasburg me krenari të mërkurën (16.01.12) se vendi i tij i ka plotësuar "të gjitha detyrimet përballë BE dhe FMN". Ekonomia irlandeze vazhdon rritjen, eksportet kanë arritur nivele të reja rekord, shpenzimet shtetërore janë nën kontroll. Dhe pas kësaj deklarata përfundimtare: "Ne jemi të vendosur që të dalim nga programi i ndihmave para fundit të këtij viti."

Schulz: Irlandezët e shpëtuan sistemin bankar të Evropës

Fjalime të tilla BE i nevojiten shumë në këto çaste. Nga Athina në Lisbonë njerëzit rënkojnë nën politikën e kursimeve, por shumë nuk shohin dritë në fund të tunelit. Vërtet që edhe irlandezët ankohen, por ata me sa duket i duruan sakrificat me durim dhe i pranuan. Shkakun që ata, në dallim nga grekët, portugezët dhe spanjollët, nuk dolën në rrugë për të kundërshtuar politikën e kursimit, presidenti i Komisionit të BE, Jose Manuel Barroso e sheh në faktin që në Irlandë "ekziston vullneti politik, që viktimat të mbështeten me politika sociale dhe që reformat të ecin hap pas hapi me unitetin social."

Këtë rrugë ai u rekomandoi indirekt edhe vendeve të tjera problematike. Por kontributi irlandez ecën edhe shumë më tej, mendon Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz. Në një konferencë të përbashkët shtypi me Enda Kennyn, Schulz shprehu mendimin e tij personal se "irlandezët e penguan kolapsin e sistemit bankar evropian".

Pikërëndesa: më shumë vende pune

Kenny beson si shumë të tjerë që pjesa më e vështirë e krizës së euros tashmë është kapërcyer. Por papunësinë e lartë ai e ka edhe më tej në qendër të vëmendjes. Në Irlandë ajo është në kuotën 15 përqind, në disa vende të tjera shumë më lart.

Enda Kenny flet para PE

Enda Kenny flet para PE

Kryeministrit britanik, David Cameron, Kenny i rekomandoi që të mos largohet nga BE. Një dalje e Britanisë së Madhe nga BE do të ishte "një katastrofë" paralajmëroi Kenny, i cili shpjegoi i entuziazmuar përparësitë e vendit të tij nga anëtarësia në BE. Cameroni do të mbajë të premten një fjalim për politikën ndaj Evropës, i cili pritet me vëmendje të madhe.

Autor: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica