1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irlandë: Dakord për marrëveshjen e koalicionit

7 Mars 2011

Qeveria e re irlandeze do të vazhdojë kursin e kursimeve për të cilat është rënë dakord me BE-në dhe FMN-në.

https://p.dw.com/p/10UKr
Enda KennyFotografi: AP

Dhjetë ditë pas zgjedhjeve në Irlandë kreu i partisë konservatore Fine Gael, Enda Kenny dhe ai i laboristëve Eamon Gilmore, ranë dakord për marrëveshjen e koalicionit.

Kreu i partisë konservatore Fine Gael, Enda Kenny, komunikoi i lumtur në TV irlandez arritjen e marrëveshjes për koalicion me partinë laburiste. Edhe pse as ai dhe as kreu i laboristëve Eamon Gilmore nuk dhanë shumë sqarime, është e qartë që qeveria e re irlandeze e qendrës së djathtë nuk do të heqë dorë nga kursi i kursimeve. Partnerët e koalicionit ranë dakord si kompromis që deri në vitin 2015 ta ulin deficitin buxhetor të vendit sërish nën nivelin kufi të BE-së, pra nën 3%.

Irland Labour Eamon Gilmore
Eamon GilmoreFotografi: picture alliance/empics/Niall Carson/PA

Kompromis për kursin e kursimeve

Për këtë kishte rënë dakord me BE dhe me FMN qeveria e mëparshme irlandeze nën drejtimin e Brian Cowen duke përfituar në këmbim paketën e shpëtimit financiar prej 85 miliardë eurosh. Gjatë fushatës elektorale partia Fine Gael kishte premtuar se do ta arrinte këtë objektiv në vitin 2014 kurse partia Laburiste në vitin 2016. Enda Kenny gjendet nën presionin e zgjedhësve për t'u ulur shpenzimet për paketën e shpëtimit financiar.

Për të arritur këtë qëllim ministrit të ri të Financave eksperti i partisë Fine Gaels për financat Michael Noonan do t'i duhet që dy të tretat parave që do të mblidhen prej shkurtimit të shpenzimeve t'i përdorë për të mbyllur vrimat në buxhet. Pjesa tjetër e parave do të mblidhen përmes rritjes së taksave. Po ashtu qeveria synon të shesë edhe prona shtetëtore.

Shkurtime në administratën publike

Një kompromis tjetër ka të bëjë me shkurtimet e vendeve të punës në administratën publike. Aty pritet të shkurtohen rreth 25.000 vende pune. Fine Gael donte fillimisht të shkurtonte 30.000 vende pune, kurse laburistët 18.000 vende.

Fituese e qartë e zgjedhjeve në Irlandë doli partia Fine Gael e cila do të përfaqësohet me 76 nga 166 deputetët e Dhomës së Ulët në Dublin. Laburistët fituan 37 mandate, kurse partia nacionaliste e majtë Sinn Fein 13. Të dy këto parti arritën rezultatin deri tani më të mirë në zgjedhjet e të gjitha kohëve. Partia Fianna Fail e ish-kryeministrit Brian Cowen u dënua prej zgjedhësve për shkak të krizës financiare.

Autor: Pandeli Pani

Redaktoi: Bahri Cani