1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Irani përpiqet të vihet në krye të shteteve të Painkuadruara

Në Teheran fillon samiti dyditor i krerëve të shteteve dhe qeverive të shteteve të Painkuadruara. Nga e marta (28.08.) në Teheran janë tubuar ministrat e Jashtëm të këtyre shteteve.

Irani shpreson që në samitin e 16-të të Lëvizjes së vendeve të Painkuadruara të sigurojë mbështetje kundër sanksioneve perëndimore. Në prag të fillimit të samitit ministri i Jashtëm i Iranit Ali Akbar Salehi kërkoi që: "Vendet e painkuadruara duhet të vihen në mbrojtje kundër masave ekonomike dhe financiare si dhe kundër sanksioneve të njëanshme, të cilat caktohen kundër vendeve të painkuadruara nga shtete të caktuara."

Ministri i Jashtëm i Iranit Ali Akbar Salehi.

Ministri i Jashtëm i Iranit Ali Akbar Salehi

Në thelb, aktualisht kjo ka të bëjë me Iranin kundër të cilit BE-ja dhe disa shtete perëndimore vazhdojnë me një embargo të naftës dhe me sanksione të forta ekonomike. Shkak është dyshimi se Irani po përpiqet që fshehurazi të prodhojë armë bërthamore. Takimi i vendeve të Painkudruara i ofron mundësinë Teheranit që të forcojë terrenin diplomatik.

Samiti fillon të martën (28.08.2012) me një takim të ministrave të Jashtëm të Lëvizjes në të cilën janë të anëtarsuara rreth 120 shtete.  Tema të rëndësishme janë mosmarrëveshjet e Teheranit me Perëndimin mbi programin bërthamor të Iranit si dhe konflikti në Siri. Irani dëshiron që me ndihmën e shteteve të Painkuadruara të ndërmarrë një nismë të re paqeje për aleaten e saj Sirinë. Sipas të dhënave iraniane Damasku dërgon dy përfaqësues të lartë në Teheran: kryeministrin Wa‘il al-Halki dhe ministrin e Jashtëm Walid Mu'al­lem.

Teherani përpiqet të vihet në krye të shteteve të Painkuadruara

Takimi i shteteve të Painkuadruara në Teheran.

Takimi i shteteve të Painkuadruara në Teheran.

Organizata e shteteve të Painkuadruara daton që nga koha e Luftës së Ftohtë. Ajo donte të ishte një alternativë kundrejt Perëndimit kapitalist si dhe Lindjes komuniste. Tani Irani dëshiron të vihet në krye të lëvizjes. Ministri i Jashtëm Ali Akbar Salehi shpreh kështu pikëpamjet e Teheranit: "Ne kemi nevojë për një sistem të drejtë, transparent dhe efektiv për menaxhimin e botës. Vetëm kështu ne mund të zgjidhim problemet dhe sfidat e tilla si kriza ekonomike ndërkombëtare, kërcënimet ndaj sigurisë botërore, degradimi i mjedisit, ndryshimi i klimës, emigracioni, sëmundjet dhe probleme të ngjashme."

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB Ban Ki-Moon do të marrë pjesë në samit  - edhe pse Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimet e tyre. Ban dëshiron që "ta njoftojë Teheranin për shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me programin bërthamor të Iranit si dhe dhunën në Siri".  Në Teheran të enjten dhe të premten (30-31.08.) në samit pritet të marrin pjesë mbi 30 krerë të shteteve dhe qeverive.