1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Irani nuk po punon për ndërtimin e armëve bërthamore

Pas raportit befasues të shërbimeve sekrete amerikane opinioni publik po fërkon sytë me habi. Në to thuhet papritur se Irani e ka ndaluar programin e tij të armëve bërthamore qysh në vitin 2003.

default

Pamje simbolike e flamurit dhe planeve atomike iraniane

Deri tani qeveria amerikane duke përdorur një fjalor të pasur ka përsëritur vazhdimisht rrezikun që i kanosej Lindjes së Afërme e të Mesme nga një bombë atomike iraniane. Sipas kërkimeve të bëra nga mbajtësi i çmimit Pulitzer Seymor Hersh presidenti Bush ka hartuar madje plane lufte kundër Iranit. Ndërsa tani papritur gjithçka ka ndryshuar...

Paralajmërimi i presidentit Bush Me fjalë energjike presidenti Bush paralajmëronte në tetor se kush dëshëron të parandalojë një luftë të tretë botërore duhet të pengojë Iranin në ndërtimin e një bombe bërthamore: "Po, besoj se ata duan të ndërtojnë një bombë bërthamore dhe është në interesin e globit që t'i ndalojë këto plane iraniane."

Nuk kanë kaluar as shtatë javë dhe realiteti është krejt ndryshe. Në një raport të publikuar nga 16 shërbimet sekrete amerikane thuhet se Irani e ka ndaluar programin e tij të armëve bërthamore qysh në vitin 2003. Tonet janë pranë krejt të ndryshme nga ato të përdorura deri tani nga qeveria amerikane.

Shtefen Hadlei (Stephen Hadley), këshilltar për çështjet e sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, u përpoq megjithatë të gjente një emërues të përbashkët për informacionet e reja dhe qëndrimin e presidentit Bush. "Presidenti është përpjekur të sensibilizojë opinionin ndërkombëtar për të shtuar më tej trysninë ndaj Iranit që ky të heqë dorë nga programi i tij për pasurimin e uraniumit.

Hadlei është i mendimit se programi iranian është një rrugë për përftimin e materialeve që do t'i mundësonin Iranit ndërtimin e një bombe bërthamore.

Irani nuk ka kompetencat e duhura për armët bërthamore

Irani vërtet vazhdon të punojë për pasurimin e uraniumit me synim shfrytëzimin për qëllime civile të energjisë bërthamore. Por sipas raportit të shërbimeve sekrete edhe nëse do të rifillonte programin e tij të armëve bërthamore deri në vitin 2009 e ndoshta deri në vitin 2015 nuk do të ishte në gjendje të përdorte uraniumin e pasuruar për ndërtimin e një bombe atomike. Në raport shërbimet sekrete shprehin shpresën që Irani nuk ka synime aq të forta sa mendohej deri tani për ndërtimin e armëve bërthamore.

Hadlei vlerëson se Irani e ka ndaluar programin e tij në vitin 2003 në rradhë të parë si pasojë e trysnisë ndërkombëtare. "Kjo tregon se Irani punon sipas parimit kosto-dobishmëri dhe nuk kërkon të sigurojë sa më shpejt të jetë e mundur armë bërthamore pa marrë parasysh pasojat politike, ekonomike dhe ushtarake", thotë ai.

Si duhet të reagojë qeveria e SHBA pas këtij raporti?

Vetëm dy vjet më parë shërbimet sekrete kishin deklaruar se tani nuk do të përkulej përpara presionit diplomatik. Në raportin e fundit thuhet diçka krejt tjetër.

Pas publikimit të raportit të fundit të shërbimeve sekrete qeveria e SHBA duhet t'i drejtojë vetes pyetjen: përse gabojnë shërbimet sekrete në çështje kaq të rëndësishme? Nuk duhet harruar se ato pa të drejtë kishin dyshuar edhe për armë të shfarosjes në masë në Irak. Këshilltari i presidentit Bush për çështjet e sigurisë Stephen Hadley përpiqet të justifikohet: Irani është sipas tij një prej vendeve që arrin t'i mbajë më mirë nga të gjithë të fshehta planet e tij.

  • Data 04.12.2007
  • Autor Simone Mir Haschemi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CWYn
  • Data 04.12.2007
  • Autor Simone Mir Haschemi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CWYn