1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Irani kërkon rifillimin e bisedimeve atomike

Sinjal për qetësimin e tensioneve në Gjirin Persik? Irani shprehu në fundjavë gatishmërinë për rinisjen e bisedimeve mbi programin e tij bërthamor. Ai shtyu edhe provat me raketa të planifikuara fundjavën e shkuar.

Një ushtar iranian merr shënjestër

Një ushtar iranian merr shënjestër

Televizioni iranian tregon shumë pamje nga manovrat detare të marinës iraniane në Gjirin Persik dhe në Ngushticën e Hormuzit. Gjithandej të kap syri ushtarë pranë raketave kundër-ajrore të vendosura nëpër anije. Pastaj shihen avionë luftarakë, helikopterë dhe nëndetëse, të cilat shkrepin raketa.

Por Irani i shtyu teste me raketa të planifikuara për të shtunën (31.12). Sipas agjencisë së lajmeve Mehr, zëvendës-shefi i marinës, Admirali Mahmud Mousavi ka deklaruar se: raketat do të testohen në ditët e ardhshme. Një tjetër agjenci iraniane e lajmeve kishte raportuar më parë se të shtunën herët në mëngjes, janë shkrepur disa raketa ndër të tjera edhe raketa me një reze të gjatë veprimi prej 2.000 kilometrash. Këto raketa nga toka iraniane mund të arrijnë Izraelin apo bazat ushtarake të ushtrisë amerikane në Afganistan ose në shtetet dent arabe.

Flamuri iranian

Flamuri iranian

Loja me Hormuzin

Të martën (28.12.), në ditën e parë të manovrës, Irani kishte kërcënuar me bllokimin e plotë të Ngushticës së Hormuzit, në qoftë se Perëndimi do të zgjeronte sanksionet e tij kundër Iranit. BE-ja do të vendosë për një ndalim të mundshëm të importit të naftës iraniane. Shefi i marinës iraniane Habibulah Sayari njoftoi gjatë manovrave në det: "Bllokimi i ngushticës së Hormuzit është punë me të vërtetë e lehtë për ushtrinë e Republikës islamike apo si themi ne iranianët: kjo është më e lehtë se sa të pish një gotë ujë."

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin njoftuar më pas se nuk do të pranojnë mbylljen e kësaj rruge të rëndësihme detare tregtare për eksportet e naftës. Disa luftanije të marinës amerikane patrullojnë në rajon dhe kërcënojnë se do të mbajnë të hapur ngushticën e Hormuzit nëse është e nevojshme edhe me forcë. Vendet fqinje arabe megjithatë nuk besojnë se Irani është në të vërtetë i interesuar për bllokimin e ngushticës së Hormuzit, sepse ajo paraqet rëndësi të madhe për vetë Iranin.

Gomone iraniane në Hormuz

Gomone iraniane në Hormuz

Gati për bisedime të reja

Për një çtensionim të situatës flasin edhe deklaratat e fundit të ministrit të Jashtëm iranian Ali Akbar Salehi. Ai tha në Teheran se vendi i tij është i gatshëm për të rifilluar bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit. Këto bisedime u ndërprenë para një viti pa asnjë rezultat. Që atëherë Perëndimi kishte vendosur sanksione të reja për shkak se dyshohet që Irani po punon në zhvillimin e armëve bërthamore. Tani Irani është me sa duket i gatshëm për t'u kthyer në tryezën e bisedimeve. Në këto bisedime marrin pjesë pesë vende me të drejtë vetoje në KS të OKB-së dhe Gjermania.

Autorë: Thomas Bornmann / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi