1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Irani i madh, Jemeni i vogël

Irani dhe Arabia Saudite përplasen në Jemen. Arabia Saudite mund të humbasë shumë dhe Irani mund të fitojë shumë. Me Jemenin Teherani do të fuste edhe një shtet tjetër në sferën e tij të influencës.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, foli qartë: aksionet ushtarake saudite duhet të ndërpriten "menjëherë", deklaroi ai pak pas sulmeve të koalicionit të drejtuar nga Riadi kundër pozicioneve të Huthi në Jemen. Ai paralajmëri se sulmet "do të acaronin tensionet në rajon."

Natën duke u gdhirë e enjte koalicioni, i përbërë nga disa shtete sunite, kreu për herë të parë sulme ajrore mbi Jemen. U qëlluan baza ushtarake të Huthi në Sanaa dhe në provincën Amra në veri të vendit. U qëllua edhe pallati presidencial në Sanaa i marrë nga Huti në fillim të janarit. Që nga fillimi i sulmeve janë vrarë 39 njerëz.

Ministri saudit i Mbrojtjes, Mohammad bin Salman

Ministri saudit i Mbrojtjes, Mohammad bin Salman

Arabia Saudite thotë se i kryen sulmet për të rrëzuar presidentin Abebd Rabbo Mansur Hadi. Irani ka një shpjegim tjetër. Atë e shprehu kryetari i komisionit parlamentar për politikën e jashtme, Manour Haghighatpour, në një deklaratë të shkurtër: "Arabia Saudite ka nisur një bixhos të madh ("Great Gamble") dhe atë me siguri që do ta humbasë.

Loja e Madhe e fatit, një aludim për "The great game", garën e shteteve koloniale evropiane në shekullin 19 për supremaci në Afrikë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Haghighatpour duke e quajtur këtë "lojë" tani "bixhos", lë të kuptojë se Arabia Saudite nga këndvështrimi iranian ndjek një kurs, përfundimi me sukses i të cilit gjithçka tjetër mund të jetë, por jo i sigurtë.

Në fakt politika e jashtme saudite as në bashkëpunimin me Uashingtonin nuk ka qenë edhe aq e suksesshme vitet e fundit. Në eceejaket për Sirinë, Irakun dhe Libanin, Riadi ka humbur dhe Teherani ka fituar. Të gjitha shtetet ndodhen tani nën ndikimin iranian. Për shtetet sunite në rajon ky është një zhvillim alarmant. Ata kanë frikë gjithnjë e më të madhe, se mund ta humbasin ndikimin në rajon. "Irani e di, se si mund të lozë me fobitë arabe", shkruan gazeta Foreign Policy mbi lëvizjet e fundit në luftën e vjetër për pushtet mes sunitëve dhe shiitëve.

Edhe pse Teherani e mohon se është ushtarakisht aktiv në Jemen, shtetet arabe janë skeptike. "Vitin e fundit një parlamentar iranian tha se të tri kryeqytetet arabe, Bagdadi, Damasku dhe Bejruti, ndodhen ndërkohë nën kontrollin e Teheranit. Kjo ka ngritur shqetësimet se Sanaa mund të ishte e katërta", shkruan Foreign Policy.

Me 01.03.2015 avioni i linjës iraniane Mahan Air bëri fluturimin e parë Sanna-Teheran

Me 01.03.2015 avioni i linjës private iraniane Mahan Air bëri fluturimin e parë Sanna-Teheran

Politologu Valid al-Saqaf i universitetit të Stockholmit i konsideron të pabaza këto frikëra. Me të vërtetë Siria, Libani dhe Iraku ndodhen sot nën ndikimin e Teheranit. "Në Jemen nuk ka qenë kështu, para se të vininnë pushtet huti në aleancë me ish presidentine jemenit Saleh", thotë Al-Saqaf në bisedë me DW. Se sa të vendosur janë për të zgjeruar lidhjet me Teheranin, huthi e demonstruan në fund të janarit. Menjëherë pasi morën pushtetin në Sanaa, vendosën 28 fluturime javore ndërmjet Jemenit dhe Iranit. Më parë nuk kishte patur asnjë fluturim.

Shtetet sunitë tremben se avionët kanë në bord jo vetëm mallra të padëmshme, por edhe armë. Por është e vështirë të gjenden dëshmitë, siç është e vështirë të dëshmohen aktivitetet ushtarake të Iranit. Sepse në asnjë nga vendet e përmendura Irani nuk është i angazhuar zyrtarisht me trupa të rregullta. Në Siri Teherani është i pranishëm vetëm indirekt, përmes këshilltarëve ushtarakë dhe trupave elitë. Se sa forca janë, vetëm mund të supozohet. Që Irani mbështet qeverinë e Irakut në luftën kundër organizatës terroriste "Shtetit islamik", është pranuar tani nga Teherani.

Nëse në Jemen do të forcohen huthi, Arabia Saudite do të ndodhej para një situate të re. Fqinji i saj verior, Iraku, do të ishte po ashtu një aleat i Iranit si Jemeni. Vendi do të ishte rrethuar nga shtete shiite.

Në fakt Irani mohon se është i përfshirë në Jemen. Por kjo nuk është fort e besueshme. Në janar 2013 rojet bregdetare jemenite kapën një anije të vogël iraniane mallrash, që kishte raketa tokë ajër në bord. Në Arabinë Saudite besojnë se ato ishin destinuar për huti.

Sukseset e tyre ushtarake duhet ta shqetësojnë Arabinë Sauditre, sepse huthi me pushtetin mbi Jemenin mund të marrin në dorë edhe kontrollin e një pjese të lundrimit ndërkombëtar. Në pikën më të skajshme jugperëndimore Jemeni kufizohet me Bab al-Mandab, "Derën e Lotëve". Kështu quhet ngushtica detare jo më e gjërë se tridhjetë kilometra, ku deti Arabik ndahet me detin e Kuq. Ndërsa ky i fundit lidhet me Mesdheun përmes kanalit të Suezit. Këtë rrugë detare e kalojnë edhe shumë cisterna, që furnizojnë Europën me naftë.

Në rrugë të mbarë: bisedimet bërthamore me Iranin në Lausanne

Në rrugë të mbarë: bisedimet bërthamore me Iranin në Lausanne

Por nëse Irani është me të vertetë i interesuar është e pasigurtë. Bisedimet bërthamore ndodhen në raundin e fundit vendimtar. Të gjitha palët kanë interes për të arritur një marrëveshje. Ajo edhe pasi të arrihej mund të pengohej së paku pjesërisht përmes një ndikimi të hapur apo të fshehur në Jemen. Irani ka pas vetes vite të gjata të embargos. Prandaj Teherani zor se do të ishte i interesuar ta zgjasë atë sërish duke treguar agresivitet në Jemen.

DW.COM