1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Irani i hapur për oferten e SHBA-së në lidhje me programin bërthamor

Irani tregohet i hapur për ofertën e zëvendëspresidentit amerkan për bisedime dypalëshe mbi programin bërthamor iranian. Tani pritet një raund tjetër bisedimesh 5 +1 në Kazakistan.

Irani duket se është i gatshëm për bisedime me SHBA në lidhje me programin e tij bërthamor. Oferta për bisedime erdhi prej zëvendëspresidentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden gjatë konferencës mbi politikën e sigurimit që zhvillohet në Mynih. Zëvendëspresidenti i SHBA-së Joe Biden (Xho Bajden) i kërkoi qeverisë iraniane jo vetëm që të rifillojë bisedimet mbi programin bërthamor, por ofroi madje edhe bisedime të drejtpërdrejta.

Megjithatë tha Joe Biden korniza kohore nuk është e pakufizuar, dhe se "ne do të ndalojmë Iranin që të bëhet me armë bërthamore."

Ministri i Jashtëm iranian Ali-Akbar Salehi që po merr gjithashtu pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih tha se Irani nuk e kundërshton kategorikisht ofertën për bisedime për programin e tij bërthamor, por se "Këto negociata mund të bëhen vetëm në qoftë se ne mund të jemi të sigurt se këtë herë Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijë me synimet të ndershme. Për fat të keq, deri tani përvojat tona kanë qenë të kundërta."

Më parë, ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak, e kishte paralajmëruar përsëri Iranin që të mos ndërtojë bomba atomike. Izraeli është i vendosur për ta parandaluar këtë, tha Ehud Barak.

Raund tjetër bisedimesh 5 +1 për programin bërthamor të Iranit

Sipas njoftimeve Salehi tha, se përfaqësues të Iranit pritet të takohen pas tri javësh në Kazakistan për një raund të ri bisedimesh me pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me Gjermaninë.

Gjatë bisedimeve të fundit të zhvilluara në qershor në Moskë, Irani e kishte refuzuar kërkesën e pesë anëtarëve te përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë për ta pezulluar pasurimin e uraniumit në një nivel prej 20 për qind.

Perëndimi dyshon se Irani punon nën maskën e programit të tij bërthamor civil për ndërtimin e një bombe atomike. Teherani i hedh poshtë akuzat dhe këmbëngul në të drejtën e tij për përdorimin e energjisë bërthamore.