1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Irani hedh poshtë kërkesat e Perëndimit

Irani përsëri hedh poshtë kërkesën e Perëndimit që të ndalojë pasurimin e uraniumit. Kushtet paraprake janë të papranueshme për Teheranin. Të shtunën zhvillohet raundi i tretë i bisedimeve ndërkombëtare në Stamboll.

Para negociatave ndërkombëtare të planifikuara për t'u zhvilluar në fund të kësaj jave lidhur me konfliktin e programit atomik iranian frontet qëndrojnë të ashpërsuara. Perëndimi sipas informacioneve të gazetës "Nju Jork Times" do të kërkojë në fillim të bisedimeve të raundit të tretë që Irani ta ndalojë pasurimin e uraniumit në 20 për qind dhe të gjitha rezervat t'i krijojë jashtë vendit.

Pasurimi i uraniumit në 20 për qind rrit, sipas këndvështrimit të Perëndimit, mundësitë që brenda disa muajsh të prodhohet uranium për të ndërtuar armë. Për ndërtimin e një bombe atomike duhet uranium që pasurohet në mbi 80 për qind. Udhëheqja në Teheran e ka hedhur poshtë kërkesën për një ndalim të pasurimit të uraniumit dhe mbylljen e impiantit nëntokësor nuklear Fordo.

Reparte pasurimi të uraniumit

Reparte pasurimi të uraniumit

Do të hapë rrugë Irani?

"Kushte paraprake të tilla nuk kanë kuptim", tha Drejtori i autoritetit iranian për energji atomike, Ferejdun Abbasi. Por Abbas të dielën në televizionin shtetëror iranian Press TV kishte dhënë sinjale gatishmërie për kompromis. Ai deklaroi se vetëm për një kohë të kufizuar duhet të pasurohet uranium në 20 për qind. Ky uranium do të ruhet në impiante dhe në vitet e ardhshme do të përdoret në një reaktor kërkimor në Teheran. Irani, sipas Abbasit, nuk do të pasurojë uranium në më shumë se 20 për qind dhe me këtë nuk mund të prodhojë edhe material për ndërtimin e armëve bërthamore.

Raundi i ri i bisedimeve mes Iranit dhe pesë fuqive me të drejtë vetoje në OKB SHBA, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e madhe, si dhe Gjermania zhvillohen të shtunën (14.04) në Stamboll të Turqisë. Perëndimi dyshon se qeveria iraniane nën mantelin e shfrytëzimit të energjisë bërthamore për çështje civile, fshehurazi po punon për ndërtimin e armëve bërthamore.

Autor:dpa dapd/M.Kelmendi

Redaktoi: Lindita Arapi