1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Irani gjendet tani në udhëkryq - Shqetësim për sjelljen ndaj mediave

Politikanët perëndimorë vazhdojnë të jenë të shqetësuar në lidhje me gjendjen në Iran. Atje po vazhdon presioni ndaj gazetarëve dhe mediave.

Angela Merkel

Angela Merkel, kërkoi gjatë fundjavës rinumërimin e votave të zgjedhjeve presidenciale në Iran si dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Si mundësinë më të mirë dhe po ashtu më të thjeshtë për të krijuar qartësi kancelarja gjermane Angela Merkel, kërkoi gjatë fundjavës rinumërimin e votave të zgjedhjeve presidenciale në Iran si dhe respektimin e të drejtave të njeriut. "Unë mendoj se dyshimet mund të shmangen shumë mirë duke e përsëritur edhe numërimin edhe një herë, duke e bërë atë transparent, dhe ndoshta edhe duke lejuar vëzhgues ndërkombëtar, atëhereë edhe besimi mund të rritet sërish. Unë e shoh këtë si mundësinë më të mirë dhe po ashtu më të thjeshtë për të krijuar qartësi." - tha Merkel.

Gjermania mbështet qytetarët e Iranit, të cilët duan që të shprehin mendimin e tyre lirisht dhe të kenë të drejtën e mbledhjes dhe të grumbullimit, shtoi më tej kancelarja Merkel, e cila u bëri thirrje krerëve në Iranit të heqin dorë nga dhuna dhe të lejojnë protestat. Ajo kërkoi edhe lirimin e të burgosurve. Nisur nga arrestimet e gazetarëve apo dëbimit të korrespondentëve të huaj nga vendi znj. Merkel kërkoi edhe respektimin e lirisë së shtypit.

Logo e organizatës Reporterët pa kufij

Organizata "Reporterët pa kufij" është tepër e shqetësuar për zhvillimet në Iran.

Sipas MPJ gjerman Frank-Walter Steinmeier, një javë pas zgjedhjeve të diskutueshme parlamentare në Iran mund të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm të gjendjes. "Gjendja është acaruar dhe për këtë them se Irani gjendet tani në një udhëkryq: ose t'ia dalë që ta zbusë bashkë me të gjitha forcat situatën politike të krijuar në vend, ose gjendja do të përshkallëzohet më tej." Steinmeier tha se alternativa është "dialogu i të gjitha forcave politike për ta zbutur gjendjen e krijuar" në Iran.


Ndërkohë në Iran po vazhdon presioni ndaj gazetarëve dhe mediave. Gazetarëve të shumtë të arrestuar në Iran, iu shtua tani edhe një shtetas kanadez që punon si korrespondent i revistës amerikane "Newsweek". Sipas njoftimeve të kësaj reviste, me seli në Uashington, Maziar Bahari u arrestua ditën e dielë (21.06.) pa ndonjë akuzë dhe që prej arrestimit prej tij, nuk ka më asnjë njoftim. Redaksia e revistës kërkoi prej udhëheqjes iraniane lirimin e tij të menjëhershëm. Po ashtu të dielën autoritetet iraniane dëbuan prej vendit korrespondentin e BBC, Jon Leyne.

Sekretari i përgjithshëm i organizatës "Reporterët pa kufij" Jean-François Juillard, tha se organizata e tij është tepër e shqetësuar për këto zhvillimeve, sepse "ato janë një hap më tej ndaj një terri informativ serioz në lidhje me Iranin." Ai shtoi se nuk është i surprizuar, por shumë i shqetësuar në lidhje me këtë vendim."

Autor : Dr. Pandeli Pani

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 22.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IWQy
  • Data 22.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IWQy