1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Irani dhe Izraeli: Armiq mjaft të vendosur

Asnjë raport midis dy shteteve nuk është kaq kompleks sa ai midis Izraelit dhe Iranit. Të dy ushqejnë sot një armiqësi të thellë për njëri-tjetrin. Por fshehtas ata bashkëpunuan deri vonë në vitet '80..

default

Demonstrata anti-izraelite në Teheran

A mund t'i besohet Iranit? Po t'ia bësh këtë pyetje presidentit izraelit, Shimon Peres ai me siguri do t'i përgjigjej me "jo". "Irani është qendra e terrorit të kohës sonë", paralajmëroi Peresi në janar në fjalën e tij para Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Presidenti i Izraelit është i bindur se Irani vazhdon t'i furnizojë me armë milicët hisbollah në Liban dhe ai beson se Irani synon edhe më tej zotërimin e armëve bërthamore - edhe nëse presidenti i Iranit, Hassan Rohani e kundërshtoi këtë para pak kohësh për të disatën herë. Kështu që në Jeruzalem prej vitesh spekulohet herë më hapur, herë më fshehtë për mundësinë e një goditjeje parandaluese izraelite kundër pajisjeve atomike iraniane. Veçanërisht fort dëgjoheshin këto paralajmërime kur presidenti i Iranit quhej Mahmud Ahmadinexhad. Ai bubullonte disa herë kundër Izraelit, shprehte dyshim për holokaustin dhe dënonte pushtimin izraelit të rajoneve palestineze. Pasardhësi i Ahmadinexhadit, Rohani përdor tone më të moderuara. Vërtet që as ai nuk e njeh të drejtën e ekzistencës së Izraelit, por ai ndërkohë është distancuar nga deklaratat antiizraelite të Ahmadinexhadit.

Iran Hassan Rohani Präsident 02.08.2013

Hassan Rohani

Interesa të përbashkëta

Pas themelimit të shtetit izraelit, më 14 maj 1948, themeluesi i shtetit izraelit, David Ben Gurion zhvilloi të ashtuquajturën "doktrinë të periferisë". Sipas saj, Izraeli, i ndodhur në luftë me shtetet fqinje arabe, duhet të përpiqet të krijojë aleanca me shtetet joarabe të rajonit. Këtu bënte pjesë Turqia ose libanezët e krishterë, por edhe Irani. Për Teheranin, Izraeli i mbështetur masivisht nga SHBA, njësoj si Teherani, ishte një barazpeshë e mirëpritur ndaj shteteve arabe. "Midis të dyja shteteve ekzistonte një raport ekzistencial", thotë Henner Fürtig nga Instituti GIGA i Hamburgut. Izraeli përgatiste ekspertë iranianë të bujqësisë, e furnizonte Iranin me dije teknologjike dhe ndihmoi për ndërtimin dhe përgatitjen e forcave të armatosura iraniane. Shahu e pagoi këtë me naftë. "Në fund të viteve '70 Irani mbuloi 80 përqind të nevojës së Izraelit për naftë", thotë Fürtig.

Marrëveshje sekrete në vitet '80

Revolucioni islamik në Iran në fillim të vitit 1979 i dha fund këtij bashkëpunimi. Ayatollah Khomeini e kishte kritikuar disa herë ashpër Izraelin për pushtimin e tokave palestineze. Kur Izraeli ndërhyri më 1982 në luftën civile libaneze dhe marshoi në jug të vendit, edhe Khomeini dërgoi gardat e revolucionit, për të mbështetur milicët shiitë të atjeshëm.

Por në një kohë kur tensionet midis Iranit dhe Izraelit dilnin në pah gjithmonë e më hapur, lulëzonte edhe bashkëpunimi midis të dyja shteteve. Shkaktar për këtë ishte shpërthimi i luftës Iran-Irak në shtator 1980. E shokuar ende nga revolucioni iranian, gjithë bota perëndimore mbështeti Irakun, të armatosur nga SHBA. Por Izraeli shihte te regjimi i Saddam Huseinit kërcënimin më të madh - dhe kaloi në anën e Khomeinit.

Në tri vitet e para të luftës, Izraeli e furnizoi Iranin me armë në vlerë 500 milionë dollarë. "Në luftën me Irakun, Irani nuk i kishte punët mirë", thotë eksperti i Lindjes së Mesme, Henner Fürtig. "Njëri nga shkaqet është se 90 përqind e armëve iraniane qenë blerë në kohën e Shahut në SHBA. Në vitet '80 rezervat në municion, armë dhe furnizim të forcave të armatosura iraniane po mbaroheshin", thotë Fürtig. "Në këtë kohë kërkoheshin me dëshpërim furnizues që ishin të gatshëm të ofronin teknikë amerikane armatimi". Oferta e Izraelit ishte e shumë e mirëpritur për Iranin.

Benjamin Netanjahu Reax Iran Atom 24.11.2013

Benjamin Netanjahu

Në fillim të viteve '80, kur qarkulluan thashetheme se Iraku po ndërtonte një bombë atomike, kjo paraqiste kërcënim edhe për Jeruzalemin, edhe për Teheranin. Shërbimi i fshehtë iranian e furnizoi aviacionin luftarak izraelit me informacione të vlefshme, me ndihmën e të cilit Izraeli bombardoi më 1981 reaktorin atomik Osirak, duke e hedhur disa vjet pas programin e supozuar irakian.

Në nëntor 1986 afera "Iran -Contra" tronditi SHBA. Doli që Uashingtoni kishte furnizuar për vite me radhë me mijëra tanke dhe sisteme të mbrojtjes raketore Teheranin, për të luftuar kryengritësit Contra në Nikaragua. Marrëveshjet e armatimit u zhvilluan përmes Izraelit.

Prishja përfundimtare

Në këto e sipër dhe me fundin e luftës Iran-Irak më 1988 ndodhi prishja përfundimtare midis Izraelit dhe Iranit. Armiku i përbashkët Irak qe dobësuar edhe përmes operacionit "Dessert Storm" të SHBA. Irani nuk shihte më shkak që ta ruante bashkëpunimin me Izraelin. Veç kësaj, çështja palestineze depërtoi edhe më tepër në kursin e politikës së jashtme të Teheranit. "Është një konstante e politikës së jashtme iraniane, që çështjen palestineze ta shkëpusë nga konteksti arab dhe ta lidhë me atë islamik", deklaron Henner Fürtig. "Kur kjo kthehet në një çështje të të gjithë myslimanëve, dhe jo vetëm të arabëve, Irani pretendon këtu edhe një lloj kompetence drejtimi."

Rivaliteti midis dy shteteve vërtet që nuk është diçka e pazakontë. Por një pëmirësim substancial i marrëdhënieve Iran-Izrael nuk pritet në kohë të afërt. Kjo pasi Irani propagandon zhdukjen e shtetit izraelit. Kurse Izraeli nuk i njeh Iranit asnjë të drejtë për energji atomike dhe mbështet aktivisht forcat që duan të ndryshojnë regjimin në Teheran.