1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Irani dhe Afganistani afrohen - arrihet marrëveshje për miqësi

Presidentët e Afganistanit dhe Iranit kanë rënë dakord për një bashkëpunim më të gjatë. Por marrëveshja mes Kabulit dhe Teheranit mund të zemrojë SHBA-në dhe raportet e Karsait me Uashingtonin.

Marrëveshja për bashkëpunim i shërben sigurisë rajonale dhe rregullon raportet ekonomike dhe kulturore, kumtoi zëdhënësi i presidentit afgan pas një vizite në Teheran. Presidenti afgan Hamid Karsai ka takuar atje gjatë vizitës së tij edhe homologun iranian Hassan Rohani, me të cilin ka arritur një marrëveshje për miqësi afatgjatë. Marrëveshja do të nënshkruhet se shpejti.

"Të dy vendeve e Azisë Qendrore kanë shumë tema të përbashkëta", shpjegon Conrad Schetter, ekspert dhe drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Komunikim (BICC) në Bonn. Këto dy vende i lidh edhe kufiri i tyre i gjatë rreth 900 kilometra. "Një rol shumë të rëndësishëm luan këtu edhe luftimi i trafikimit me drogë", pohon Schetter. "Ndërkohë që rreth tre milionë punëtorë afganë jetojnë në Iran dhe prej tyre varen shumë familje në vend."

Raportet me SHBA

Besuch des US-Verteidigungsminister Chuck Hagel

Ministri amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel në Kabul

Bashkëpunimi mes këtyre dy vendeve me siguri që nuk do të shikohet me simpati të mëdha nga SHBA-ja, mendojnë ekspertët. Presidenti afgan e ka shtyrë nënshkrimin e një marrëveshje për siguri me SHBA - deri në përfundim të zgjedhjeve presidenciale në prill. Ministri amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel priste më kot takimin në Kabul me presidentin Karasai të dielën, përderisa ai ishte në Teheran.

Por Schetter thotë se marrëveshja mes Karsait dhe palës iraniane nuk është ndonjë shkak për shqetësime serioze. Këtu bëhet fjalë për dy marrëveshje krejt të ndryshme. Marrëveshja për miqësi me Iranin ka një karakter simbolik. "Në marrëveshjen për siguri që duhet të nënshkruhet me SHBA-në bëhet fjalë për imunitetin e ardhshëm të ushtarëve amerikanë, që është diçka krejt tjetër", thotë Schetter. Dokumenti i cili mund të shërbejë edhe si bazë për një marrëveshje të ngjashme mes Afganistanit dhe NATO-s, u garanton ushtarëve të huaj në këtë vend imunitet nga ndjekja penale. Kjo parashikon që ata të përgjigjen sipas ligjeve në vendet e tyre dhe jo në Afganistan.

Bashkëpunimi rajonal

Shumë politikanë dhe ekspertë në Afganistan mendojnë se me Iranin duhet nënshkruar një marrëveshje me Iranin. Marrëveshja mund të ketë pasoja të ndryshme, varësisht nga rezultatet që duhet arritur, thotë Ahmad Zia Rafat, analist politik dhe docent në Universitetin e Kabulit. Nëse shikohet nga perspektiva e bashkëpunimit rajonal, marrëveshja mund të reflektojë "raportet normale ndërfqinjësore". Raportet e tilla mund të kuptohen edhe prej SHBA-së.

Por momenti nuk është tepër i volitshëm, mendon Rafat në një intervistë me Deutsche Wellen, duke shtuar se raportet amerikano - afgane janë "shumë të tendosura për momentin". Marrëveshja me Iranin mund të lexohet edhe si "mesazh për SHBA-në". "Ajo mund të sinjalizojë që Afganistani nuk ka nevojë për bashkësinë ndërkombëtare dhe tani angazhohet për miqësi rajonale. Në një rast të këtillë, është i kutpueshëm edhe shqetësimi amerikan", pohon ai.

Conrad Schetter, Afghanistan-Experte, ZEF, Uni Bonn

Conrad Schetter

Eksperti gjerman Conrad Schetter mendon se Karasai po përpiqet të mbledhë rreth vete aktorët në rajon, të cilët nuk janë tepër të dashur për amerikanët. Kjo strategji mund të shqetësojë amerikanët, por nuk do të thotë se do të prishen në tërësi raportet mes Karsait dhe SHBA-së.

Irani reagim i qetë

Marrëveshja në Iran është pritur me qetësi. "Raportet mes Iranit dhe Afganistanit në sektorin e sigurisë nuk mund të zëvendësojnë raportet amerikano-afgane", pohon ekspertja iraniane Shojayi Roostayi. "Në esencë, forcat e NATO-s dhe SHBA-së paraqesin fundamentin e sigurisë në Afganistan." Në këtë aspekt nuk është fare me rëndësi se çfarë marrëveshjes nënshkruajnë Irani dhe Afganistani.