1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Iran: në radhë për marrëveshje miliardëshe

Industria gjermane vëzhgon me kujdes negociatat për programin bërthamor me Iranin. Në rast marrëveshjeje sanksionet mund të zbuteshin. Firmat gjermane nuhasin biznese të mira, por edhe konkurrenca ndërkombëtare nuk fle.

iPad, iPhone apo Macbook - produktet e koncernit amerikan Apple shiten lirisht nw Iran që prej mesit të vitit 2013, megjithë sanksionet dhe me bekimin zyrtar të qeverisë së SHBA-së. "Nëse një sipërmarrje gjermane do t'i kishte shitur këto aparate, kjo do të ishte klasifikuar nën përkufizimin „Dual-Use“ dhe nuk do të ishte miratuar aspak“, thotë Helen Rang, drejtuese e shoqatës së Lindjes së Afërt dhe të Mesme (Numov) në bisedë me DW. „Dual Use“ është një cilësim për aparate të cilët krahas përdorimit civil mund të përdoren dhe në sektorin ushtarak si p.sh. celularë apo kompjutera.

Për shkak të programit bërthamor iranian bashkësia ndërkombëtare që prej vitit 2006 i ka shtrënguar gjithnjë e më fort sanksionet. Të ndaluara ishin para së gjithash importet e energjisë nga Irani. Vec kësaj u ndaluan bizneset financiare me vendin, eksporti i makinerive dhe impianteve dhe futja e aparateve Dual-Use në Iran. Të gjitha mallrat që Gjermania eksporton në Iran duhet vec kësaj të miratohen nga kontrolli gjerman i eksporteve.

„Ekonomia gjermane në shumë pikëpamje e ka tejkaluar kornizën ligjore“, thotë Daniel Bernbeck nga Dhoma gjermane e Tregtisë së Jashtme (AHK) në Teheran në bisedë me Dë. Një arsye për qendrimin e përmbajtur janë edhe marrëdhëniet e ngushta gjermano-izraelite. Izraeli ka frikë nga programi bërthamor iranian dhe përkrah sanksione të ashpra. Kryeministri Benjamin Netanjahu kritikon për këtë arsye ashpër negociatat direkte me armikun e tij të betuar.

Rënie e thellë

BNP Paribas

Gjobë me efekt frikësues - 6,6 miliardë gjobë për BNP Paribas për biznese të palejuara me Iranin

Para vendosjes së sanksioneve biznesi gjerman me Iranin ecte shkëlqyeshëm. Para së gjithash ishin të përfaqësuara sipërmarrjet e mesme nga sektorët e ndërtimit të makinerive dhe impianteve, petrokimia, minierat dhe tregtia me pakicë. Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Teheran, Gjermania në 2006 ishte ende partneri i dytë më i rëndësishëm tregtar i Iranit. Plot tetë vite më vonë pamja është krejt tjetër. Vetëm në tre vitet e fundit eksportet me Iranin kanë rënë me gati 20 për qind.

Përfituesja e madhe nga sanksionet është Republika Popullore e Kinës. Ajo ka mundur t‘i zgjerojë ndjeshëm eksportet e saj dhe është sot ndër partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit. „Sanksionet kanë pasur natyrisht ndikim në ekonominë tonë. Por unë nuk besoj se vendi ka ngecur në vend për këtë arsye“, thotë ambasadori i Iranit në Gjermani, Ali Reza Sheikh Attar për DW: „Kinezët, rusët dhe turqit e kanë shfrytëzuar vendin e lënë të zbrazët nga rënia e angazhimit të Perëndimit."

Negociata të gjata

Por për sipërmarrjet perëndimore situata mund të ndryshojë. Me presidentin e ri të moderuar Hassan Rohani, Irani është më i gatshëm për kompromis me SHBA dhe Evropën. Që prej nëntorit 2013 pesë fuqi me të drejtë vetoje dhe Gjermania ulen me Iranin në tryezën e negociatave në Vjenë. Bashkësia ndërkombëtare kërkon të arrijë që Irani të heqë dorë nga programi i tij bërthamor. Në këmbim Perëndimi ka zbutur në disa pika kufizimet tregtare që prej fillimit të negociatave dhe e josh Iranin me heqjen e disa sanksioneve të rëndësishme. Vec kësaj SHBA kanë filluar të paguajnë hap pas hapi miliardat e ngrira nga shitja e naftës iraniane. Afati i vetëvendosur për një marrëveshje në konfliktin për programin bërthamor përfundonte të dielën (20.07.2014) por u zgjat deri në fund të nëntorit. „Ka ende dallime në opinion në pika të rëndësishme“, tha ministri i Jashtëm amerikan John Kerry. Ministri i Jashtëm i Izraelit Xhavat Sarif shkroi në Twitter: „Ne mund të shkruajmë histori, por besimi nuk është rrugë me një kalim.“ Edhe nëse nuk arrihet një marrëveshje, Presidenti Obama po mendon për një zgjatje të negociatave.

Interes i madh

Irani është një nga vendet më të pasura me lëndë të para në glob. Rezerva gjigante të gazit dhe naftës mund të hapen për shfrytëzim. Në shumë vende teknika është e vjetëruar për shkak të sanksioneve. Daniel Bernbeck nga AHK në Teheran mendon se për industrinë gjermane, në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme mund të ishte i mundur një volum eksporti prej 3 deri 6 miliardë euro në vit. „Parakusht është megjithatë që Irani të mund të eksportojë përsëri normalisht naftë dhe gaz dhe të mund të marrë pjesë përsëri normalisht në qarkullimin bankar“, thotë Bernbeck. Në zyrën e jashtme të AHK dallohet një numër në rritje kërkesash për hulumtime kontaktesh dhe analizash për hyrje në treg. „Por pritja për një zbutje juridike të sanksioneve është si dhe më parë mbizotëruese."

Shoqata për Lindjen e Afërt dhe të Mesme angazhohet me forcë për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike me Iranin. Në sfondin e një zbutjeje të mëtejshme të sanksioneve, kërkesa do të ishte shumë e madhe, thotë Helene Rang. Vetëm pak më parë shoqata e saj organizoi një konferencë me temën: „Kemi 300 vende dhe 500 regjistrime“. Sidoqoftë shumë pak sipërmarrje janë të gatshme të flasin hapur për synimet e tyre për biznes në Iran. „Kjo është normale: para së gjithash sipërmarrjet me marrëdhënie të mira tregtare me SHBA nuk duan të rrezikojnë“, thotë Rang.

Atomgespräche in Wien 16. Mai

Rezultati i negociatave për programin bërthamor me Iranian mund të zbusë sanksionet dhe hapë mundësi të mëdha për ekonominë gjermane

Se sa fort mund të reagojnë SHBA e tregon një shembull aktual në sektorin bankar. Pak ditë më parë banka e madhe franceze BNP Paribas u dënua nga drejtësia e SHBA me një gjobë prej 6,4 miliardë eurosh pasi kishte shkelur ligjin amerikan dhe kishte bërë biznes me Iranin. Sipas personave të mirëinformuar kjo mund t‘i ndodhë edhe bankave gjermane Commerzbank dhe Deutsche Bank.

Përgatitjet kanë filluar

Por në sfond shumë sipërmarrje po përgatiten për një hyrje të shpejtë në treg pas një zbutje të sanksioneve. Rregullisht delegacione ekonomike ndërkombëtare vizitojnë Iranin, ndër to edhe evropiane. Sipas ekspertëve në SHBA po bëhen tashmë përgatitje për një dhomë tregtie amerikano-iraniane. Së fundi mediet njoftuan për një parakontratë miliardëshe në sektorin e energjisë të kompanisë amerikane World Eco me qeverinë iraniane. „SHBA po keqpërdorin sanksionet për të hyrë para konkurrencës evropiane në tregun iranian“, komenton ambasadori iranian në Gjermani Ali Reza Sheikh Attar.

Helene Rang mendon se sipërmarrjet gjermane duhet të shpejtojnë. Shanset janë ende të mira. „Para së gjithash sipërmarrjet e mesme janë mjaft të kërkuara“. Rreth 80 për qind e impianteve dhe makinerive në Iran vijnë nga Gjermania: „Në momentin kur do të hiqen sanksionet do të fillojë një biznes gjigant në sektorin e pjesëve të këmbimit dhe materialit. Për shkak të cmimit të lartë të naftës, Irani shumë shpejt mund të sigurojë shuma të mëdha parash për të kryer investime të tilla.“ Koncerni amerikan Apple ka shumë gjasa të mos jetë më një rast i vecantë.