1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërmjet terrorit të bombave dhe krizës në qeveri

18 Janar 2012

Sulme, shkëmbime zjarri dhe qeveria nuk vepron. Gjendja në Irak është keqësuar që prej tërheqjes së trupave amerikane në dhjetor. Frika nga lufta civile shtohet.

https://p.dw.com/p/13l8a
Banorë duke u lutur para një viktime të atentatit në Basra
Banorë duke u lutur para një viktime të atentatit në BasraFotografi: Reuters

Në fillim i huaji me sjelljen e përzemërt u shpërndau biskota burrave, grave dhe fëmijëve. Pastaj hodhi veten në erë. Bomba e atentatorit vetëvrasës vrau më shumë se 60 vetë. Viktimat ishin besimtarë shiitë në rrugë drejt një xhamie në qytetin Basra në Irakun e Jugut.

Gjakderdhja e fundjavës (14.01.12) është një nga sulmet e panumërta të ditëve dhe javëve të fundit. Terrori i bombave mund të prekë secilin: shiitë dhe sunitë, civilë dhe zyrtarë. Qindra vetë kanë humbur tashmë jetën.

Konfrontacion në vend të ndarjes së pushtetit

Shkaqet e valës së re të dhunës dhe të destabilizimit të sërishëm të vendit, nuk duhen kërkuar në rradhë të parë në tërheqjen e amerikanëve, thotë eksperti i Irakut Günther Joetze. Arsye është "politika e konfrontimit" e kryeministrit Nuri al-Maliki.

Popullsia bëhet viktimë e sulmeve
Popullsia bëhet viktimë e sulmeveFotografi: dapd

Maliki është shiit, si rreth 60 përqind e irakianëve. Arabët sunitë përbëjnë gati 20%. Atyre u shtohen edhe sunitët kurdë dhe turkmenë. Nën diktatorin Saddam Hussein vendin e sundonin sunitët.

Pas zgjedhjeve të vitit 2010 grupet etnike dhe fetare ranë dakord në marrëveshjen e Erbilit, që ta ndanin pushtetin. Maliki kishte me sa duket që nga fillimi plane të tjera. Në fakt formalisht ekziston një qeveri e përbashkët. "Përfaqësuesve sunitë", thotë Günther Joetze, "u është hequr sistematikisht pushteti."

Maliki për shembull nuk ngarkoi ministër të mbrojtjes. Posti do t'i kishte takuar në fakt një suniti. Në të njëjtën kohë ai zuri pozicionet qëndrore me njerëz të partisë së tij, apo i mori ato vetë përsipër. "Qëllimi i Malikit është të ushtrojë sundimin e një pale", mendon irakiani me banim në mërgim Kadhim Habeb. "Ai është një despot i vogël".

Kryeministri i Irakut, Nuri al-Maliki
Kryeministri i Irakut, Nuri al-MalikiFotografi: picture-alliance/dpa

Urdhërarresti kundër zëvendëspresidentit

Shembulli i fundit për prirjen e Malikit për pushtet është urdhëri i arrestit kundër zëvendëspresidentit Tarik al-Haschimi. Suniti me reputacion duhet të ketë porositur dhe financuar sulme me bomba. Hashimi i kundërshtoi akuzat e ministrisë së Brendshme të dominuar nga shiitët. Ai u arratis në rajonin autonom kurd në veri të vendit dhe mundi t'i shpëtojë arrestimit.

Eksperti i Irakut Joetze nuk do të përjashtojë, që fajësimet kundër Hashimit janë të justifikuara Vitet e fundit thuajse të gjithë politikanët irakianë kanë përdorur "dhunën si mjet". Kjo vlen të thuhet edhe për Malikin vetë. Akuzat janë "një mundësi për të rrëzuar një politikan sunit me ndikim."

Zëvendëskryeminsitri i Irakut Tarek el Hashemi
Zëvendëskryeminsitri i Irakut Tarek el HashemiFotografi: picture-alliance/dpa

Deri tani kurdët kanë refuzuar t'ia dorëzojnë Hashimin qeverisë qëndrore. Nëse garantohet një proces i sigurtë dhe i drejtë, thotë një përfaqësues i presidentit kurd, Hashimi do të dorëzohet vetë në kryeqytetin Bagdad. Kurdët nuk duan të përfshihen në konfliktin ndërmjet sunitëve dhe shiitëve.

Frikë nga ndarja e vendit

Ndërkohë i gjithë blloku sunit Iraqiyya, të cilit i përket Hashimi, është tërhequr nga puna në qeverinë qëndrore dhe në parlamentin irakian. Procesi, I cili duhej t'i sillte Irakut demokraci, ka çuar de facto në sundimin e një partie dhe të një njeriut", thotë politikani i lartë sunit, Salek al-Mutlak.

Fqinjët, Irani dhe Arabia Saudite e thellojnë ndarjen
Fqinjët, Irani dhe Arabia Saudite e thellojnë ndarjen

"Sa më shumë të qëndrojë në pushtet Maliki," thotë Mutlak, "aq më i madh është probabiliteti i një Iraku të ndarë." Në qoftë se Maliki nuk e dorëzon pushtetin, mund të ketë edhe kryengritje të dhunshme të popullit irakian.

"Probabiliteti", thotë eksperti gjerman për Irakun Joetze, "që shumicat me shumicë sunite përpiqen që bëhen autonome, është i madh." Irakiani në mërgim Kadhim Habeb shkon edhe më tutje: "Mund të shkaktohet një luftë civile".

Pak shpresë për një politikë të re

Kadhim Habeb shkon ende rregullisht në Irak. Nën Saddam Husseinin profesori i ekonomisë ka qenë në burg. "Problemi kryesor i vendit", thotë Habeb, "është ndarja e pushtetit në bazë të përkatësisë fetare dhe etnike." Mbi këtë bazë do të ketë gjithmonë dhunë dhe vdekje. Dëshira e Habebit: parti ndërkonfesionale, që veprojnë në bazë të identitetit irakian.

Por realiteti në Irak është ndryshe. Konflikti ndërmjet grupeve etnike zgjat shumë dhe plagët e viteve të kaluara janë siç duket shumë të thella. Edhe zgjedhjet e reja, propozimi i Habeb-it dhe Joetzes si rrugëdalje nga kriza, janë ndoshta të pamundura. Kryeministri Nuri al-Maliki nuk do t'i pranojë ato vullnetarisht.

Ndihmë nga jashtë?

Vetëm presioni nga jashtë mund ta ndryshonte atë. Por mundësitë e SHBA, për të ndikuar te Maliki, janë zvogëluar. "SHBA nuk janë më forca kryesore në Irak", thotë Kadhim Habeb, "Irani është më i fortë".

Fqinji i Irakut Irani dhe Arabia Saudite kanë pak interes në një vend të qëndrueshëm dhe të pavarur. Të dy duan të ruajnë zonën e ndikimit në Irak. Dhe kështu ata mbështesin palët në konflikt, Irani shiitët dhe Arabia Saudite sunitët. Së paku indirekt ata nxisin edhe ekstremizmin. Viktimat janë burra, gra dhe fëmijë. Njerëz, si pelegrinët shiitë në Basra.

Autor: Nils Naumann/Angjelina Verbia
Redaktoi: Aida Cama