1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Iraku i Veriut: sukseset e para të ndërhyrjes së SHBA?

Lajmi i parë i mirë prej ditësh: rreth 20.000 jezidë u arrit të shpëtohen në malet e Irakut të Veriut nga grupi terrorist "Shteti Islamik". Nga pikëpamja e ekspertëve, ndërhyrja e SHBA kishte sukses.

Që prej një jave ndodheshin ata në malësinë e Irakut të Veriut, në temperaturë 40 gradë Celsius, pa ushqime dhe ujë të mjaftueshme: sipas të dhënave kurde, të dielën, rreth 20.000 jezidë të rrethuar arritën të largohen nga malësia Sinxhar. Përfaqësues të qeverisë autonome kurde deklaruan se familjet patën shkuar në Sirinë fqinjë. Më pas, refugjatët qenë shoqëruar nga luftëtarët kurdë në kthimin pas në Irak.

Që prej së dielës, shumë pjesëtarë të minoritetit të Irakut të Veriut vdiqën nga etja dhe rraskapitja, midis tyre edhe 50 fëmijë. Meqenëse ata nuk i besojnë vetëm Zotit, por edhe ëngjëjve, për mendimin e grupit terrorist "Shteti Islamik" (IS) ata janë adhurues të djallit. Grupi xhihadist, që e pati rrethuar malësinë e pati kërcënuar me vdekje minoritetin kurd. Rreth 500 jezidë besohet se ka vrarë tashmë IS. Disa i varrosën të gjallë, qindra gra i rrëmbyen. Më parë, milicia terroriste sunite pati pushtuar rajone të gjera në Veri dhe në Perëndim të qytetit Mosul. Ata pushtuan edhe qytetin Sinxhar, ku jetojnë sipas vlerësimeve rreth 500.000 jezidë.

Pas jezidëve, janë edhe të krishterët që ndiqen aktualisht dhe terrorizohen në mënyrë masive. "Këto ngjarje janë një pasojë e ndërhyrjes amerikane të vitit 2003", mendon eksperti i Lindjes së Mesme, Michael Lüdders në bisedë me DW-TV. Pas përmbysjes së Sadam Huseinit ishin shumë sunitë që i humbën postet dhe punën. Zhgënjimi i njerëzve krijoi bazën për lindjen dhe mbështetjen e grupit terrorist sunit.

Sulmet ajrore me sa duket të suksesshme

Të premten SHBA nisën sulmet ajrore kundër milicëve terroristë të IS. Avionë pa pilotë dhe avionë luftarakë të tjerë ndërmorën disa sulme. Avionët e ushtrisë hodhën edhe 40.000 litra ujë dhe 52.000 paketa ushqime të gatshme mbi male. Nga pikëpamja amerikane vetëm fillimi. "Unë nuk besoj se do ta zgjidhim brenda javësh problemin", tha presidenti i SHBA, Barack Obama.

"Bombardimet tregojnë efekt", thotë Telim Tolan nga Këshilli Qendror i jezidëve. Por "ato nuk kanë arritur definitivisht kthesën e situatës". Përfaqësues të Peshmergas thanë për DW se sipas të dhënave të tyre, sulmi amerikan ka qenë i suksesshëm. Trupat e IS kanë pasur të vrarë dhe të plagosur, automjete të tyre u shkatërruan.

Goditja ushtarake u mbështet gjerësisht

Angazhimi ushtarak i SHBA u pa pozitivisht nga shumë vende, përfaqësues të lartë të kishës e konsideruan legjitime ndërhyrjen ushtarake kundër "shtetit islamik". "Edhe Irani është i kënaqur me sulmin e SHBA", thotë eksperti Michael Lüders. Edhe qeveritë e disa vendeve të Gjirit u treguan të kënaqura me ndërhyrjen - nga droja se IS mund të depërtonte deri në vendet e tyre.

Presidenti Obama tha njëkohësisht se angazhimi ushtarak i SHBA do të jetë i kufizuar. "Ne mund të ndërmarrim sulme ajrore, por nuk do të ketë një zgjidhje ushtarake të Amerikës për këtë problem", tha ai. Në vend të kësaj duhet të ketë një "zgjidhje irakiane" - e cila do të mbështetej pastaj nga SHBA dhe vende të tjera. Kushti i nevojshëm: Iraku duhet të formojë më në fund një qeveri legjitime.