1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ipeshkvi plangprishës i Limburgut dhe roli i medias

Eksperti katolik i medias, Christian Klenk, në intervistë për DW, tërheq vëmendjen që të mos ekzagjerohet raportimi mediatik lidhur me rastin e ipeshkvit të Limburgut. Me zotin Klenk bisedoi Stefan Dege.

DW: Çfarë roli luan papa ndërkohë në mediet gjermane?

Christian Klenk: Ne kemi përjetuar, që papa qysh prej konklaves paraqitet me shumë eufori në meida, madje ekskluzivisht në mënyrë pozitive.

Ku konsiston kjo?

Ndër të tjera kjo ka të bëjë me prezantimin e pazakontë të papës, i cili i ka anashkaluar konvencionet e zakonshme duke sjellë një stil krejt të ri në drejtimin e postit: ai nuk banon në pallatin apostolik, udhëton me veturë të vogël, vishet thjeshtë - të gjitha këto janë gjeste, të cilat pasqyrojnë mënyrën se si ai e kupton këtë post dhe se si e sheh ai rolin e kishës.

A simbolizon ky papë modelin e asaj që pritet prej kishës katolike?

Por, ai madje e shpreh vet atë çfarë pritet prej kishës, duke deklaruar se kisha duhet të ndryshojë. Pritshmëritë ai jo vetëm i reflekton përmes karizmës së tij, por ai i formulon ato konkretisht duke thënë se çfarë duhet të ndryshojë.

Në ç'terren hasin deklarimet e tij për ndryshim?

Nga këndvështrimi ynë gjerman këto deklarime gjejnë terren të frytshëm. Këtu në Gjermani reforma të tilla preferohen nga masa e katolikëve, madje prej kohësh edhe bëhet thirrje për ndryshime - ndonëse ende nuk dihet saktë, se çfarë do të dalë prej tyre. Në shumicën e mediave pasqyrohen pozicione, sipas të cilave kisha jo vetëm duhet të ndryshojë e të reformohet në performacën e saj - duke qenë më e thjeshtë dhe me më pak pompozitet - por edhe në drejtim të përmbajtjes - sa i përket p.sh. moralit mbi seksualitetin, qëndrimit ndaj homoseksualëve apo lidhur me rolin e gruas.

Le të ndalemi tek rasti i ipeshkvit të Limburgut - A mund të thoni, se ky rast është një gurë prove për papën?

Po, por për shkak të këtyre zhvillimeve në Limburg e gjithë klima e favoshme që ka mbizotëruar deri më tani në mediet gjermane nga papa i ri do të zbehet. Nga ana tjetër mediet preferojnë të paraqesin kontrastin mes një ipeshkvi, që dëshiron luksin p.sh. me një seli të dioqezës të pajisur me sende të çmueshme, dhe nga ana tjetër një papë, i cili jeton fare thjeshtë dhe e thekson këtë thjeshtësi me paraqitjen e tij. Ky kontrast bie menjëherë në sy në raportimet e medias.

A është kjo ekzajgeruar?

Eshtë natyrisht një mekanizëm i medias, që i kërkon kontrastet dhe përpiqet t'i krijojë ato, duke paraqitur të mirën dhe të keqen krah njëra-tjetrës. Një çështje tjetër është, nëse ekzagjerohet raportimi për ipeshkvin e Limburgut. Këtu unë do të theksoja: Zbulimi i kostove të vërteta të ndërtimit të selisë së dioqezës, ky hulumtim padyshim ishte i nevojshëm, sepse faktet nuk do të ishin bërë publike, nëse gazetarët nuk do të kishin qenë kaq këmbëngulës në hulumtimin e tyre. Ndërkaq situata po devijon paksa jo fort në favor të medias, sepse ajo ka tendencën ta amplifikojë raportimin duke e hiperbolizuar temën me lajme të vazhdueshme, edhe pse në fakt nuk ka më zhvillime të reja. Edhe një herë e theksoj: raportimi padyshim ka qenë i rëndësishëm, por duhet pasur kujdes që ai të mos ekzagjerohet.

Gazetari dr. Christian Klenk është studiues i medias në Universitetin Katolik Eichstädt-Ingolstadt. Në projektet studimore të tij ai trajton ndër të tjera raportin e kishës me median.