1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Inxhinjerë të rritjes së tensioneve

Nisja e raketës së Koresë së Veriut dështoi. Për Phenianin lëshimi i raketës është legjitim. Pjesa tjetër e botës mendon se testi i një rakete ndërkontinentale është ilegal.

30 metra lart ngrihej në qiellin blu koreano-verior, në jug, 60 kilometra larg kufirit kinez aty ku ndodhet baza e raketave Tongchang-i, raketa e rëndë 90 ton me emrin Unha- 3. Të dielën e Pashkëve (10.04), rreth 50 gazetarë të huaj mund të shihnin raketën, së bashku me një satelit të motit me emrin "Ylli ndriçues".

Raketa Unha- 3 në bazën e raketave Tongchang

Raketa Unha- 3 në bazën e raketave Tongchang (09.04.2012)

Udhëtimi i gazetarëve në ditën e Pashkëve në programin e raketave të Koresë së Veriut ishte pjesë e një ofensive propagandistike me të cilën Pheniani, kërkon të demostrojë qëllimet gjoja paqësore të lëshimit të raketave. Bota megjithatë qëndroi skeptike. Ajo dyshon ende se nën mantelin e lëshimit të satelitit, Pheniani kërkonte të provojë një raketë ndërkontinentale balistike.

Koreja e Veriut pavarësisht nga kritikat e ashpra ndërkombëtare bëri përpjekje që të lëshojë raketën me rreze të gjatë veprimi. Por megjithatë prova ka dështuar. Sipas njoftimeve të vendeve fqinj, edhe Pheniani ka pranuar rënien e një rakete në det pas nisjes. Sateliti nuk arriti në hapësirë siç ishte planifikuar, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve të vendit komunist, KCNA.

Këshilli i Sigurimit të OKB i ka ndaluar prova të tilla me anë të një rezolute të lëshuar në qershor të vitit 2009, duke reaguar për provën atomike të bërë nga Korea e Veriut në maj të 2009-ës. Problemi është se teknologjitë civile dhe ushtarake të raketave nuk janë të ndryshme, thekson eksperti për Korenë e Veriut, Rüdiger Frank në një bisedë me Deutsche Wellen. "Siç e dimë edhe nga shtete të tjera si SHBA dhe dikur Bashkimi Sovjetik, të gjitha programet hapësinore kanë qenë kurdoherë në shërbim të qëllimeve ushtarake, edhe nëse nuk kanë qenë vetëm me synime ushtarake që në fillim."

Sistemet mbrojtëse të gatshme

Uashingtoni protestoi me tone të ashpra. Vetë Kina shprehu rezerva. Japonia dhe Korea e Jugut vunë ditët e fundit në pozicione sistemet e tyre mbrojtëse. Në këtë mënyrë ato paralajmëruan se mund të godasin eventualisht pjesë të mbetura të raketës ose dhe raketën vetë, nëse ato dalin nga kursi dhe bien mbi Japoni ose Korenë e Jugut.

Protesta në Seul kundër nisjes së raketës në Korenë e Veriut

Protesta në Seul kundër nisjes së raketës në Korenë e Veriut

Unha-3 ishte paralajmëruar se duhet të lëshohet midis 12 dhe 16 prillit. Data nuk ishte vendosur rastësisht. Më 15 prill festohet 100 vjetori i ditëlindjes së themeluesit të shtetit Kim Il-Song-ut. Prej vitesh kjo datë është parë si ngjarja më e madhe kombëtare në Korenë e Veriut, thekson Rüdiger Frank. "Prandaj me këtë datë duhet të ndodhë diçka e jashtëzakonshme. Lëshimi i raketës përshtatej me këtë synim", thotë eksperti për Korenë në Universitetin e Vjenës.

Politikë e paparashikueshmërisë

Lëshimi i raketës i përshtatet modelit të deritanishëm të sjelljes së Phenianit, i cili kujdeset për të krijuar tensione më botën e jashtme. Norbert Eschborn, drejton zyrën e Fondacionit Konrad Adenauer në Seul. Në intervistë me DW ai thotë se elementi kyç në politikën e Koresë së Veriut kundrejt perëndimit është befasia. "Korea e Veriut ka shumë probleme, sidomos me furnizimin e popullsisë. Njerëzit janë të varur nga fati i vendit. Ndaj metodat që përdoren janë të pazakonshme", thotë Eschborn.

Korea e Veriut, megjithë gjendjen e vështirë ekonomike arrin me këto metoda jo vetëm në titujt e shtypit botëror, por edhe në axhendën e takimeve të rëndësishme ndërkombëtare. Korea e Veriut ka rreth 24 milionë banorë. Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, rreth 6 milionë prej tyre nuk kanë ushqim të mjaftueshëm.

Rreth 6 milionë koreanoveriorë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm

Rreth 6 milionë koreanoveriorë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm

Ndihmat me ushqime në rrezik

Furnizimi i popullsisë vështirësohet prej lëshimit të raketës. Sepse rrezikohet zbatimi i marrëveshjes së lidhur në muajin shkurt me SHBA. Sipas saj, Korea e Veriut është e detyruar të ndalojë pasurimin e uranit, të lejojë vizitat në vend të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për kontrollin e armëve atomike, IAEO dhe të ndalojë provat atomike. SHBA pranuan furnizimin me 240 mijë ton ushqime. Ndërkohë planet për lëshimin e raketave kanë shkaktuar ftohje të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Phenianit.

Autor: Mathias von Hein/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi