1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Investimet: „Evropa ka tepër kufij“

Evropa juglindore ka nevojë për më shumë investime, këtë kërkojnë ekspertët e ekonomisë në Forumin Ekonomik të Vjenës. Por ekonomia evropiane ka ngecur - dhe mungojnë vendet e punës.

Ekonomia evropiane ka nevojë për reforma të thella: Për këtë është i bindur Herbert Stepic. Ai ka vite që punon pranë Raiffeisen Bank International për financimin e investimeve në Evropën Juglindore. „Evropa së pari duhet të mendojë për taksat e saj të larta. Normat e taksave prej rreth 40% mund t'i frikësojnë dhe t'i drejtojnë investitorët për diku tjetër, ku normat nuk janë kaq të larta“, tha ai në Vienna Economic Forum në kryeqytetin e Austrisë. Qëllimi i Forumit është nxitja e bashkëpunimit ekonomik rajonal. Anëtarë të saj, përveç Austrisë, janë edhe vendet e Ballkanit perëndimor dhe shtete të tjera nga Evropa qendrore dhe lindore.


Në Vjenë, Stepic sqaroi se rregulloret e bankave në vendet e ndryshme evropiane ndryshojnë shumë mes tyre: „Bankat tanimë duhet të kenë një kapital themeltar të mjaftueshëm, me qëllim që të mos jetë më e nevojshme që të shpëtohen me paratë nga buxhetet shtetërore, dhe kjo është plotësisht e drejtë. Por sa duhet të jetë ky kapital? Në një vend bëhet fjalë për 7%, në një tjetër për 23%, në të tretin madje për 50%, dhe nëse një bankë vepron në rrafsh ndërkombëtar dhe dëshiron të bëjë investime në Evropën juglindore, atëherë ajo duhet t'i përmbahet qindra rregulloreve të ndryshme.“ Kjo krijon vështirësi për investimet „të cilat siç dihet gati deri në 80% të rasteve financohen nga bankat“, thotë Stepic.

Wien Ökonomie Forum VEF 2015 Holger Muent

Holger Muent

„Të nevojshme, marrëdhëniet e mira midis vendeve evropiane juglindore“

Ndërkohë investimet në Evropën juglindore janë të domosdoshme – dhe ato duhet të zhvillohen pa burokracira, me qëllim që Evropa të mund të veprojë e tëra si kontinent dhe jo vetëm si EU. Vetëm kështu mund ta ruajë Evropa aftësinë e vet konkurruese në nivel ndërkombëtar, vetëm kështu tregu evropian do të jetë aq i madh sa të mund të konkurojë tregjet aziatike dhe amerikane: Kjo e shqetëson edhe Erhard Busek. Ai është president i Forumit Ekonomik të Vjenës (FEV), i cili prej vitesh merret me investimet në Evropën juglindore. “Së pari, të nevojshme janë një shkëmbim i mirë i brendshëm si dhe marrëdhëniet e mira midis vetë vendeve evropiane juglindore, të cilat pastaj mund t'i bashkangjiten Evropës, le të themi, si një ‘paketë e vetme' dhe në këtë mënyrë mund të kontribuojnë në rritjen e përbashkët”, thotë Busek.

Fushat në të cilat mund të investohet në Evropën juglindore, janë të shumta: Këtë mendim ndajnë të gjithë ekspertët në Forumin Ekonomik të Vjenës. Aty bëjnë pjesë para së gjithash infrastruktura dhe energjia, elektriciteti, telekomunikacioni dhe turizmi. Këtu vepron Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në të cilën Holger Muent është përgjegjës për projektet në vendet e Ballkanit Perëndimor. „Agjenda jonë e ndërlidhjes mbulon fushat që kanë të bëjnë me rrugët, hekurudhat dhe linjat elektrike që lidhin vendet. Përsa i përket hekurudhave, vitin e kaluar kemi përmbyllur një projekt të madh në Maqedoni, pra Korridorin 8, i cili lidh Ballkanin lindor me atë perëndimor.“ Këtë vit ka përfunduar edhe projekti hekurudhor në Kosovë, vazhdon ai. „Përsa i përket rrugëve, ne shpresojmë që deri në fund të vitit të mund të përfundojmë edhe projektin Korridori 5c në Bosnje. Këtu ne po bashkëpunojmë me Bankën Evropiane të Investimeve“, thotë Muent.

Wien Ökonomie Forum VEF 2015 Erhard Busek

Erhard Busek

Çertifikim më i mirë i produkteve

Të gjitha këto lidhje rrugore do t'i bashkangjiten më pas korridoreve të rëndësishme evropiane, çka e sjell më afër të gjithë hapësirën e Bashkimit Evropian. Por kryesorja është krijimi i një hapësire në të cilën shkëmbimi i brendshëm funksionon mirë, si përsa i përket mallrave ashtu edhe përsa i përket shërbimeve.
Por përsa i përket shkëmbimit të mallrave, mund të bëhen ende përmirësime në çertifikimin dhe regjistrimin e produkteve, vërejnë ekspertët në Forumin Ekonomik të Vjenës. Nëse një produkt është çertifikuar një herë në Rumani, atëherë procedura nuk duhet përsëritur sërish në Bullgari. Përmirësimet në këtë fushë si dhe krijimi i një klime politike përgjithësisht të mirë janë pjesë e agjendes së të ashtuquajturës Procesi i Berlinit: Këtu çdo vit takohen vendimmarrës nga ekonomia dhe politika, të cilët punojnë për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nxitjen e investimeve.

Rrugëkalime të reja në Evropën juglindore

Disa sipërmarrje evropiane kanë filluar që tani të nxjerrin përfitime. Përmirësimi i rrjetit rrugor, për shembull, po i krijon mundësi Postës Austriake që të rrisë aktivitetin e saj në Evropën juglindore. Ajo ndërkohë është e pranishme në Kroaci, Sllovaki, Turqi, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë dhe 17.000 automjete të saj të dërgesave postare shfrytëzojnë rrugëkalimet e reja. Kjo thuajse e ka dhjetëfishuar xhiron e sipërmarrjes, ka hapur vende pune dhe kështu i ka dhënë një shtysë edhe ekonomisë evropiane.

Edhe sipërmarrjet në Evropën juglindore mund të përfitojnë nga shanset e reja dhe rrugëkalimet e reja – një shembull i tillë është sipërmarrja e suksesshme farmaceutike bullgare Sopharma. „Kur ishim ende një prodhues i vogël farmaceutik, ne kishim 200 bashkëpunëtorë“, thotë administratori i përgjithshëm Ognian Donev. „Sot ne ofrojmë shërbime në fushën e shëndetësisë dhe kemi 1200 bashkëpunëtorë. Ne kemi reaguar ndaj nevojës në fushën e shërbimeve mjeksore dhe jemi të kënaqur që edhe bankat e kanë vënë re këtë potencial dhe na kanë financuar.“ Ndërkohë Sopharma, sipas tij, e ka zhvendosur prodhimin në Ukrainë, Serbi dhe Bjellorusi. „Transportimi i mallrave tona përtej kufijve ka funksionuar mirë që në fillim. Kjo ka qenë vendimtare për suksesin tonë“, thotë Donev.
Por ka edhe një problem – paçka përmirësimit të rrugëkalimeve dhe intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik: „Evropa thjeshtë ka tepër kufij“, thotë Herbert Stepic i Raiffeisen Bank International. Do të ishte në interes të të gjithë evropianëve, nëse ato nuk do të përbënin pengesë për ekonominë.