1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Interviste me europarlamentaren Doris Pack

Pack: shpresoj shumë që tani ta kenë kuptuar se statusi i kandidatit është i arritshëm dhe kur është siguruar ai ka gjasa dhe më shumë vrull për t'u marrë edhe me çështjet e tjera.

Doris Pack, stellvertrende Vorsitzende der CDU/CSU-Gruppe in der Euröpäischen Volkspartei (EVP), aufgenommen am 08.05.2004 beim Europa- Wahlkampfauftakt der CDU Deutschland in der Messehalle Saarbrücken. Foto: Reiner Voß Schlagworte Personen, Politik, CDU, lächeln, Mikrofon, brille, sprechen

Doris Pack

Zonja Pack, a është ky një sinjal që me gjithë krizën e huave dhe lodhjen nga zgjerimi Evropa i përkrah vendet e Evropës Juglindore?

Po, mendoj se kështu ishte edhe kur Kroacia u pranua si anëtari i 28-të. Kjo tregon se ne jemi seriozë dhe i mbajmë premtimet tona. Në 2003-shin në Selanik premtuam, ose qeveritë premtuan solemnisht se këto vende kanë një perspektivë aderimi në rast se i kanë plotësuar kushtet. Dhe pas Bullgarisë dhe Rumanisë kushtet janë bërë më të vështira, shyqyr Zotit, sepse vetëm kur të jenë përgatitor vërtet, mund të bëhen anëtarë dhe Kroacia e ka përmbushur këtë. Besoj që Shqipëria është në rrugë të mbarë.

E megjithatë, kudo shihet i ashtuquajturi kushtëzim, qoftë në rastin e Shqipërisë, të Serbisë, të Kosovës. A është kjo një qasje e re e Komisionit apo një domosdoshmëri?

Është domosdoshmëri. Në rastin e Bullgarisë dhe të Rumanisë kemi parë që një paralajmërim: 'Në vitin X bëheni anëtarë' nuk shpie në një sjellje më të mirë të qeverive, po lipset të vendosen kondita në mënyrë që këto vende t'u përmbahen atyre vërtet dhe të përgatiten për to. Përndryshe, më vonë ato janë vende të një cilësie të ulët e shihen me përçmim kështu që është më e arsyeshme t'i bësh detyrat e shtëpisë më përpara. Dhe në rastin e Shqipërisë duhet thënë se ajo nuk ka problemet që pati ish-Jugosllavia, po ka pasur premisa shumë më të vështira, doli nga një burg i sigurisë së lartë i kohës së komunizmit dhe me forca të bashkuara ka arritur vërtet që ngadalë por me siguri të afrohet nëpërmjet përpjekjeve. Kjo mund të vlerësohet, mirëpo kushtet duhet të jenë të njëjta për të gjitha vendet.

Në cilat pika duhet të japë rezultate Shqipëria deri në vendimin e dhjetorit?

Ata mund t'ia dalin. Më në fund duhet të arrijnë forma të tjera, ligje të tjera në sektorin e drejtësisë në sektorin e administratës dhe në sektorin e punës parlamentare. Këto janë parakushte dhe njihen prej tyre me kohë. Për fat të keq muajt e fundit opozita ka refuzuar bashkëpunimin në këto çështje. Shpresoj që ky të jetë një sinjal për gjithë parlamentin që t'i realizojë këto detyra. Megjithatë, kjo do të thotë se [shqiptarët] të shpresojmë, me gjasa, fitojnë statusin e kandidatit; kjo nuk do të thotë se fillojnë negociatat. Ato do të nisin në rast se vitin e ardhshëm zgjedhjet shkojnë mirë, kur të jetë vërtetuar se ka vullnet politik për të folur njëri me tjetrin, sepse ajo që na konstatojmë në Shqipëri të gjithë si negative dhe që na tremb është sjellja njëri me tjetrin, edhe në parlament e jashtë tij. Mendoj se në këtë pikë ata kanë shumë gjëra për të mësuar, mungon pjekuria politike. Lidhur me këtë ka ende gjëra për të bërë, por shpresoj shumë që tani ta kenë kuptuar se statusi i kandidatit është i arritshëm dhe kur është siguruar ai me gjasa ka edhe më shumë vrull për t'u marrë edhe me çështjet e tjera.

Doris Prack, Mitglied des 'Europäischen Parlaments, Podiumsdiskussion Berichte und Bilder auf Bestellung - Die Beeinflussung der Medien durch die EU, 31.08.2011, Brüssel

Doris Pack

Dhe për sa i përket KE-së a shihni atje ende pengesa?

Po, pa e përmendur fola për të. Natyrisht, Këshilli ka për ta ndjekur propozimin e Komisionit vetëm në qoftë se plotësohet ajo çka tha Komisioni. Dhe në qoftë se mbërrijmë te dhënia e statusit kandidat, në qoftë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet që sapo përmenda, atëherë do të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm dhe pastaj do të shohim sesi ka ndryshuar apo edhe nuk ka ndryshuar klima politike, dhe vetëm atëherë do ta formojë opinionin Këshilli, nëse ky vend është i pjekur sa duhet për të nisur negociatat. Pra, zgjat edhe ca. Po të shihni përreth në rajon, Maqedonia është prej 205-s kandidat dhe nuk ka arritur deri sot t'i nisë negociatat. Kjo gjë fatkeqësisht për shkak të fqinjit të saj, Greqisë.

E kisha më shumë fjalën te ajo që ndonjë anëtar të bllokojë duke mos iu referuar pikave të renditura nga BE-ja.

Ne dimë që [vendimi] në Këshill duhet të jetë njëzëri. Prandaj, sapo e thash, shihet konkretisht te Maqedonia: një vend është prej shumë vitesh kundër. Unë nuk e kam përshtypjen që në rastin e Shqipërisë të ketë vështirësi fqinjësore të veçanta, por as mund të përjashtoj mundësinë që paraqitja e ofruar nga Shqipëria vitet e fundit pikërisht për arsye të mungesës së dialogut politik midis opozitës dhe qeverisë (ose për shkak të dialogut shpesh me defekte dhe fjalimeve të urrejtjes mes njëri-tjetrit) të bëjë që ndonjë vend të thotë: Le të presim edhe pak. Këtë nuk e përjashtoj dot, por mendoj se Komisioni veproi mirë duke dhënë këtë sinjal. Ndoshta kjo i ndihmon ata që qeverisin dhe opozitarët që në këtë mënyrë të bëjnë përpara.

Si shihet këtu në Perëndim fakti që pikërisht në këtë moment në Shqipëri, në një demokraci, ish-të burgosur politikë i vënë flakën vetes?

Natyrisht, ky është edhe sinjal që tregon se jo gjithçka shkon mirë në Shqipëri. Por duhet ditur (e thashë në fillim) se sa e vështirë ka qenë rruga e Shqipërisë. Ajo erdhi, gati brenda natës, nga një vend i qeverisur vërtet në mënyrë tejet komuniste në situatën ku duhej praktikuar demokracia. Dhe shumë prej gabimeve dhe padrejtësive të kryera më parë në kohën komuniste nuk janë mënjanuar ende plotësisht. Kjo është realisht e vërtetë, por për këtë arsye nuk duhet mbivlerësuar situata aktuale. Duhet ndërmarrë përpjekja për të ndihmuar shqiptarët, në mënyrë që ata të arrijnë ta kapërcejnë edhe këtë problem.

Dhe për sa i takon zbardhjes së ngjarjeve të 21 janarit 2001, si gjykoni, a avancon siç duhet puna e gjykatave dhe e prokurorisë?

Qysh atëherë ajo po zvarritet, por unë jam e sigurt që në fund çështja do të zbardhet. Problemi është që situata ishte shumë e acaruar, që shumë muaj pas zgjedhjeve opozita nuk mori pjesë në qeverisje dhe organizonte vazhdimisht protesta. Dhe në kuadër të protestave të tilla masive , një proteste masive të tillë, ngjau edhe që disa vetë humbën jetën. Këtu pyetja është: Kush e ka fajin? Është disi pyetja [e zinxhirit shkakor]: Ç'ishte në fillim, pula apo veza?

Në lidhje me zgjedhjet e radhës: A thuhet me këtë qëndrim se nuk do të jemi të kënaqur me formulën: Këto ishin zgjedhjet më të mira? A do të jetë ky një test real?

Unë nuk e kam parë asnjëherë që pas zgjedhjeve pala humbëse të pranojë se ka humbur. Për fat të keq kjo nuk ka mbërritur tamam në mendjet e njerëzve, që zgjedhjet demokratike dhe zgjedhjet e zhvilluara në rregull edhe sipas përfytyrimeve tona të pranohen. Herën e fundit ato u bënë sipas një ligji zgjedhor të mbështetur në pajtim të gjerë midis partisë qeveritare dhe partisë më të madhe opozitare. Këtë gjë ne e përshëndetëm shumë, realizimin e një konsensusi të tillë.

  • Data 11.10.2012
  • Autor Intervistoi Elert Ajazaj
  • Fjalët kyç doris pack
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/16Nq5
  • Data 11.10.2012
  • Autor Intervistoi Elert Ajazaj
  • Fjalët kyç doris pack
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/16Nq5