1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Intervistë me Jackson Janes mbi marrëdhëniet gjermano-amerikane

Çfarë duhet të presë Gjermania nga mandati i dytë presidencial i Obamës? Eksperti për Gjermaninë Jackson Janes, pret një bashkëpunim të ngushtë megjithë diferencat.

Jackson Janes, Johns Hopkins University në Uashington

Jackson Janes, Johns Hopkins University në Uashington

DW: Si mendoni Ju? A do ta vizitojë Berlinin presidenti Obama në mandatin e tij të dytë pas shmangies konsekuente që i ka bërë deri tani?

Jackson Janes: Unë nuk besoj se formulimi "shmangie konsekuente" është i goditur. Merkeli dhe Obama gjatë katër viteve të kaluara janë takuar shpesh, madje edhe në Uashington. Pyetjet si "Quo vadis, Evropa?", "Quo vadis euro?" dhe "Quo vadis marrëdhënie transatlantike?" do të kenë shumë rëndësi gjatë dy, tre viteve të ardhshme dhe pra ka shumë mundësi që Obama të shfaqet në Berlin.

DW: Si do ta përshkruanit raportin gjermano-amerikan gjatë viteve të administratës Obama?

Jackson Janes: Ky raport ka qenë i karakterizuar nga kriza financiare dhe zhvillimet në Lindjen e Afërt. Marrëdhëniet ekonomike mes Gjermanisë, Evropës dhe Amerikës do të vazhdojë të kenë rëndësi të dorës së parë. Besoj se të dy palët do të marrin inisiativën për forcimin e marrëdhënieve ekonomike në mënyrë që t'i vijmë në ndihmë njëri-tjetrit në kohën e krizës ekonomike.

DW: Në këtë fushë ka pasur mosmarrëveshje të forta për shembull sa i takon politikës fiskale. A do të vazhdojnë të merren të dy vendet edhe më tej me këto diferenca?

Jackson Janes: Besoj se po. Politika fiskale në Amerikë ka tjetër karakter nga ajo në Gjermani dhe nuk do të arrijmë konsensus mbi pyetjen nëse reagimi ndaj krizës duhet bërë me politike kejnsianiste (të orientuar nga kërkesa) apo me politikë kursimesh, pasi kjo është e polemizuar edhe brenda vetë këtyre vendeve. Por pa dyshim duhet të flasim me njëri-tjetrin se si mund të arrijmë stabilitet ekonomik dhe për këtë arsye është kaq e rëndësishme për të dyja palët inisiativa për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit ekonomik transatlantik.

DW: A janë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme marrëdhëniet për shkak të refuzimit të Gjermanisë për të marrë pjesë në misionin e NATO-s në Libi?

Jackson Janes: Libia ishte një vendim i gabuar. Por unë mendoj se mësimi që ka nxjerrë prej tij Berlini është që në situata të vështira duhet bërë politikë e përbashkët, për shembull kur kemi parasysh programin bërthamor iranian. Gjermania merr pjesë shumë fort në përpjekjet për të ushtruar trysni me sanksione ndaj Teheranit. Veç kësaj nuk duhet harruar se në misionin në Afganistan, Gjermania luan një rol kyç; pas SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Gjermania ka kontingjentin më të madh të ushtarëve. Ky ishte një ndryshim i vështirë po të kemi parasysh sa i fortë ka qenë refuzimi ndaj misioneve ushtarake deri në 1991, në kohën e luftës së Gjirit.

DW: Sa e rëndësishme është për raportin transatlantik gatishmëria gjermane për të marrë pjesë në misione ushtarake?

Jackson Janes: Një temë e vazhdueshme në Uashington është natyrisht asimetria në NATO, jo vetëm kundrejt Gjermanisë por edhe gjithë Evropës. Në Kongresin amerikan vitet e ardhshme me siguri do të shtrohet gjithnjë e më shpesh pyetja se përse amerikanët duhet të mbajnë barrën kryesore në NATO. Në pikëpamjen ekonomike ne nuk kemi më kapacitet për të kontribuar si deri tani dhe pyetja është nëse Evropa me 27 vendet e saj do të jetë e gatshme të marrë përsipër detyra, të cilat deri tani ua kanë lënë amerikanëve.

DW: Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe SHBA-së duket se karakterizohen gjithnjë e më shumë nga një mosinteresim miqësor nga ana e SHBA-së ...…

Jackson Janes: Është e vërtetë se Gjermania nuk luan më atë rol që ka luajtur më parë. Para 25 vjetësh Gjermania ishte objekt i politikës së jashtme amerikane: në Gjermani ngrihej një Mur dhe kishte 400.000 ushtarë amerikanë të stacionuar. Që prej rreth 20 vjetësh Gjermania shihet gjithnjë e më shumë si subjekt, pra si një shtet me të cilin flitet për tema si Afrika apo Lindja e Afërt dhe prej të cilit ka pritje të caktuara. Mes viteve 1945 dhe 1994 në Gjermani kishte rreth 16 deri 17 milionë amerikanë, dhe kështu shumë njerëz nga e gjithë Amerika kishin përjetuar një copëz Gjermani. Sot nuk është më kështu dhe pyetja është se çfarë na lidh sot. Identifikimi i kësaj është një detyrë madhore për drejtuesit politikë sot.

Jackson Janes është drejtor i Institutit Amerikan për Studime Bashkëkohore Gjermane (American Institute for Contemporary German Studies) në Universitetin "Johns Hopkins".

Intervistoi: Dennis Stute

Redaktoi: Eliana Xhani