1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Intervistë me gjyqtarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Zait Xhemaili

Xhemaili flet për raportin e OSBE-së lidhur me trazirat e marsit 2004 dhe misionin e EULEX-it në Kosovë

Festimet për kushtetutën e re në Kosovë - 16 qershor 2008

Festimet për kushtetutën e re në Kosovë - 16 qershor 2008

Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ka publikuar një raport në Prishtinë, i cili përmban rekomandimet dhe nënvizon obligimet ligjore për Policinë e Kosovës, prokurorinë, gjykatat, ligjvënësit dhe Institutin gjyqësor të Kosovës lidhur me trazirat e marsit të viti 2004. "Sistemi gjyqësor si shtyllë e një shoqërie moderne ka për detyrë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit. Ai gjithashtu duhet të sigurojë se çdo individ që merr pjesë në dhunë me motive etnike përballet me drejtësinë", tha me këtë rast ambasadori Tim Guldiman, shef i misionit të OSBE së në Kosovë. "Veprat nuk mund të zhbëhen, por duhet të ketë veprime të duhura ligjore", shtoi ai.


Për të mësuar më shumë lidhur me këtë çështje në mikrofon ftuam zotin Zait Xhemaili, gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës, dhe fillimisht e pyetëm se deri ku ka arritur gjyqësori i Kosovës me trajtimin e rasteve të marsit 2004:


Xhemaili: „Siç dihet trazirat e marsit kanë rezultuar me veprime të kundërligjshme që në shkencën juridike ne ndryshe i quajmë vepra penale prej atyre më të rënda, pra vrasje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, lëndime trupore, vjedhje, nxitje të urrejtjes nacionale etj., e deri tek veprat më të lehta që në gjuhën juridike ne i quajmë kundërvajtje, siç janë prishja e rendit dhe qetësisë, shkaktimi i frikës etj. Siç rezulton edhe nga raporti i OSBE-së nga dhjetori i vitit 2005 e gjer në mars të vitit 2008 janë trajtuar gjithsej 73 raste dhe atë para gjyqtarëve ndërkombëtarë shtatë raste, para atyre vendorë 61 raste dhe në gjykatat për kundërvajtje 5 raste. Këto raste gjykatat i kanë trajtuar në kuadër të kompetencave të tyre pra në bazë të akuzave të ngritura nga ana e prokurorisë. Raporti i OSBE-së len vend për pakënaqësi në numrin e vogël të paraqitjeve për përgjegjësi penale dhe fajin për këtë ua lë SHPK-së ose prokurorive. Gjykatat vendosin në bazë të akuzës që do të thotë pas akuzë nuk ka as vendim gjyqësor. Në këtë drejtim sikur që shihet edhe në raport në dy vitet e fundit të patrajtuara kanë mbetur edhe 21 raste për të cilat unë besoj që ose ndodhen ose së shpejti do të procedohen.

DW: OSBE në raport vëren vështirësi të vazhdueshme në sigurimin e deklaratave të dëshmitarëve, dështim të përgjithshëm në dënimin e të pandehurve në bazë të veprës së kryer penale dhe vonesa të gjata në procedura. Sa qëndrojnë këto vlerësime?


Xhemaili: „Në Kosovës sot në përgjithësi është e vështirë për të siguruar dëshmitarë në procedurën penale. Për shkak të rrethaneve që ekzistojnë akoma përballemi me vështirësi rreth sigurisë personale të dëshmitarëve, nga frikësimet, kërcënimet, shantazhimet etj. Instituti i dëshmitarit të mbrojtur akoma nukë shtë jetësuar ashtu si do të duhej të ishte. Nuk mund të sigurohet konfidencialiteti i deklaratës e as format e tjera të mbrojtjes së dëshmitarit“.


DW: Përgjegjësi e kujt është kjo?


Xhemaili:„Këtu nuk do të thosha se bëhet fjalë për përgjegjësinë por për pamundësinë e sigurimit të kushteve për ta mbrojtur dëshmitarin. Siç e dijmë tek dëshmitari i mbrojtur duhet të sigurohet përshembull ndërrimi i pamjes së tij, ndërrimi i zërit, siguria e vendit prej nga ai do të jap deklaratën e deri tek sigurimi i vendqëndrimit tjetër nga vendqëndrimi i përhershëm i tij. Në rastin konkret, për ngjarjet e marsit me siguri që gjykatat janë ballafaquar edhe me këtë problem. Megjithatë problemi nuk është ashtu i theksuar siç paraqitet në raport. Një pjesë e madhe e dëshmitarëve të ngjarjeve të marsit 2004 janë persona të dëmtuar të cilët në procedurë mirren në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve. Andaj ndaj këtyre personave, e kam fjalën për personat e dëmtuar nuk mund të urdhërohen masa ligjore të parapara me kodin e procedurës penale si psh. sjellja me dhumë në gjykatë, gjobitja apo caktimi i paraburgimit. Ata edhe kështu kanë qenë të dëmtuar andaj ndaj tyre nuk mund të mirren këto masa“.


DW: Sipas raportit, gjykatat në shumë raste nuk morën parasysh motivin etnik si rrethanë rënduese. Sa seriozisht do të mirren këto vlerësime në punën e mëtutjeshme të gjyqësorit kosovar?


Xhemaili: „Çështja e motivit të kryerjes së një vepre penale është çështje të cilën gjykata e vlerëson në çdo rast konkret. Tek voprat penale të cilat shkaktohen me qëllim të urrejtjes nacionale gjithsesi që motivi i kryerjes së veprës penale mirret si rrethanë rënduese. Mirpo ju e dini se pavarësisht në rastet kur ka çrregullime të ndryshme ka edhe persona të cilët shfrytëzojnë rastin për përfitime të paligjshme të pasurisë. Flas për rastet e vjedhjeve. Hajni nuk do ta dij se e kujt është shtëpia apo malli të cilin ai e merr. Ai e merr këtë me qëllim të përvetësimit të pasurisë e jo me qëllim të sulmimit në baza të urrejtjes nacionale. Por në rastet kur është vërtetuar dhe gjykata mund ta vërtetojnë se kemi të bëjmë me vepër penale të shkaktuar nga urrjetja nacionale gjithsesi që kjo do të jetë rrethanë rënduese“.


DW: Zoti Xhemaili, misioni i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë EULEX punën e tij do ta përqëndroj në fushën e rendit dhe ligjit. Çfarë prisni konkretisht nga ky mision, cilat do të ishin prioritetet e punës së tij nëse ato do të caktoheshin nga vet pala kosovare?

Xhemaili: „Marrë parasysh që në përgjithësi për të siguruar funksionimin e një shteti dhe rendit juridik atëherë aktiviteti i misionit EULEX duhet të përqëndrohet në fushën e rendit dhe ligjit. Në rastin konkret sa i takon gjyqësisë unë pres personalisht që ne së bashku me gjyqtarët ndërkombëtarë të EULEX-it të rreshtohemi në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet sot gjyqësori i Kosovës. Gjyqësori i Kosovës është i këtillë çfarë ka qenë deri më sot, ai nuk ka qenë as brengë e vendorëve e as e ndërkombëtarëve. Kam përshtypjen se është lënë i vetëm që ai vet të përballet me problemet, të tjerët i kanë qëndruar anash dhe kanë shikuar se çfarë po ndodh me Gjyqësorin në Kosovë. Andaj konsideroj që me ardhjen e EULEX-it do të eliminohen këto kundërthënje që kanë qenë deri më tani dhe shpresoj që ata në mënyrë aktive do të kyçen së bashku me ne për të zgjidhur problemet me të cilat ngarkohet Gjyqësori i Kosovës.

  • Data 05.07.2008
  • Autor Esat Ahmeti
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EWsJ
  • Data 05.07.2008
  • Autor Esat Ahmeti
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EWsJ