1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Intervistë me ekspertin gjerman të zgjedhjeve Volkram Gebel

Intervistë me z. Volkram Gebel, ekspert zgjedhjesh nga Gjermania, pjestar i ekipit të vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.

Rubrikenbild Interview albanisch. DW-Grafik: Per Sander 2010_06_18_sendungslogos_albanisch.psd

Rubrikenbild Interview albanisch

Deutsche Welle: Zoti Gebel, cili është angazhimi juaj konkret në këtë proces zgjedhor?

Volkram Gebel: Unë jam në përbërje të ekipit të vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Së bashku me kolegët e mi kemi mbërritur këtu në mesjavën e shkuar. Në fakt paraprakisht kemi zhvilluar takime të ndryshme, qoftë me përfaqësues të institucioneve të forcave politike,të trupit diplomatik, të ekipit të vëzhguesve të ndërkombëtarë etj. Ajo që më ra në sy në dy ditët përpara se të mbaheshin votimet ishte një lloj klime e nxehtë politike, qëndrime diametralisht të kundërta të palëve dhe një ndjenjë mosbesuese. Këtë e dalluam menjëherë dhe në kontaktet që zhvilluam me palët. Por ditën e zgjedhjeve, të dielën, për fatin e mirë të të gjithëve unë nuk pashë të përcillej kjo frymë e acaruar tek publiku. Ndaj dhe dita e votimeve ishte përgjithësisht e qetë.

Deutsche Welle: Ku e keni ndjekur procesin e votimit?

Volkram Gebel: Kam qënë prezent në dhjetra qendra votimi dhe kam marrë kontakte dhe me përfaqësues të komisioneve zonale zgjedhore. Të dielën kam udhëtuar dhe kam parë nga afër zgjedhjet në në Shkodër, në Lezhë dhe në Tiranë. Fryma e përgjithshme në qëndrat e votimit ku kam qenë ishte pozitive, njerëzit ishin të përkushtuar që të bëheshin pjesë e procesit. Morëm dhe ndonjë njoftim për ndonjë rast që nuk shkonte, siç mund të përmendej ndonjë votim në grup, kur kishte mosmarrëveshje mes komisionerëve etj. Por në përgjithësi aty ku isha prezent së bashku me kolegët e mi gjërat shkuan mirë. Shikoni, unë kam qënë dhe në vende të tjera si vëzhgues zgjedhjesh, pavarësisht se kjo ishte e para herë në Shqipëri. Nisur nga përvoja ime në shtete të ndryshme, por dhe në Gjermanit, besoj se njëri proces nga një tjetër përmirësohet, duke e bërë më të lehtë dhe të besueshëm çdo praktikë për qytetarin me të drejtë vote. Psh., në qëndrat ku isha prezent pashë që shumë të rinj votonin, kjo është një gjë shumë pozitive. Është detyrë parësore e brezit të ri që të jetë pjesë e procesit.

Volkram Gebel, ekspert zgjedhjesh nga Gjermania

Volkram Gebel, ekspert zgjedhjesh nga Gjermania

Deutsche Welle: Zoti Gebel, por pas votimit të së dielës, ka nisur një procesnumërimi për votat, që në disa qëndra ecën shumë ngadalë, ose me ndërprerje të shumta që përcillen dhe me tension. Si e vlerësoni ju këtë?

Volkram Gebel: Shikoni, delegacioni ynë i vëzhguesve është duke mbledhur evidenca për çdo fazë të procesit. Këto do të jenë baza e një raporti që ne do të publikojmë me mbështetjen e Këshillit të Evropës së shpejti. Për këtë duhet patur pak durim. Për atë që ju pyesni mendoj se ka lidhje dhe është pasojë e asaj klime të acaruar që ka mbisunduar para dhe gjatë fushatës elektorale në Shqipëri. Ky është një shqetësim që mund ta themi që tani, është një shkak që pengon dhe ecurinë normale të numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve. Të shpresojmë që do të ketë reagime pozitive që gjithçka të kapërcehet. Subjektet politike, kandidatët duhet të bëjnë durim, duhet të jenë gjakftohtë deri në numërimin e votës së fundit në kutinë e fundit. Kjo është demokracia. Qytetarët kanë shkuar të qetë dhe kanë hedhur votën sipas dëshirës dhe bindjes që kanë. Ata më shumë se sa për nevojat e partive dhe të politikës kanë votuar për administratorët e komunës, të qytetit, për këshilltarët që i përfaqësojnë në ngritjen e zgjidhjen e problemeve të përditshme që ata kanë. Kjo duhet respektuar deri në fund.

Deutsche Welle: Përveç një raporti mbi këto zgjedhje që ju do ta bëni publik së shpejti z. Gebel, çfarë kontributi tjetër pritet të japë Kongresi i Autoriteteve Vendore e Rajonale të KiE-së për Shqipërinë?

Volkram Gebel: Para se t`i përgjigjem kësaj pyetjeje po shtoj dicka, që klasa politike dhe institucionet shqiptare duhet t`i marrin seriozisht të gjitha rekomandimet dhe sygjerimet e ndërkombëtarëve por dhe të vëzhguesve vendorë për përmirësimin e mjaft elementë të procesit zgjedhor. Sepse standartet kapen duke punuar për zgjedhjet jo disa javë para por me një angazhim sistematik. Duke ju përgjigjur tashmë pyetjes them se institucioni ynë ka qënë dhe është prezent me projekte konkrete në përmirësimin e performancës së pushtetit lokal në Shqipëri, për procesin e decentralizmit dhe krijimit të një raporti sa më funksional mes tij dhe pushtetit qëndror. Për dhënien e përvojës dhe standarteve të vendeve anëtare. E thënë më thjeshtë, Kongresi i Autoriteteve Vendore e Rajonale, ka shprehur një gatishmëri konstante, dhe këtë e ka treguar me vepra, për të mbështetur vendin tuaj në krijimin e kushteve për një bashkëpunim më të mirë mes aktorëve politikë. Ku në plan të parë është zgjidhja e nevojave për qytetarët në kuadrin e një qeverisje më të mirë.

Intervistën e zhvilloi Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama