1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Interpoli lufton kundër kriminalitetit kibernetik

Gjurmimi i kriminelëve në rrjet, zbulimi i dobësive digjitale, përgatitja e policëve për krimin kibernetik. Këto janë detyrat e një qendre të re inovacioni të Interpolit në Singapor. E përfshirë është edhe industria.

Se çfarë rreziqesh vijnë nga hapësira kibernetike, e tregoi sulmi i hackerëve ndaj kanalit televiziv francez TV5 Monde me 9 prill. Ndërlidhja gjithnjë e më e madhe e botës reale me atë digjitale nuk krijon vetëm shanse për rritjen e mirëqënies dhe të njohurive dhe për zhvillimin e lirë të individit. Shtimi i varësisë nga interneti krijon edhe një vulnerabilitet të ri. Siç tregon shembulli i TV5 Monde terroristët shfrytëzojnë teknologjitë e reja dhe pikat e tyre të dobëta.

Të pafuqishëm përballë sulmeve kibernetike. Polic para stacionit televiziv TV5 Monde

Të pafuqishëm përballë sulmeve kibernetike. Polic para stacionit televiziv TV5 Monde

Për të mos mbetur pas në garën ndërmjet kriminelëve dhe policisë, organizata ndërkombëtare policore Interpol vendosi para pesë vjetësh, që të themelojë në Singapor Interpol Global Complex for Innovation, shkurt IGCI. Me pak vonesë me 13 prill u inaugurua solemnisht ndërtesa e re gjashtëkatëshe e qendrës.

Paralelisht me këtë me 14 prill hapet për herë të parë "Interpol World“. Rreth 8000 vizitorë priten të marrin pjesë në këtë kongres dyditor për sigurinë. Ekspertët do të diskutojnë për katër tema: sigurinë kibernetike, menaxhimin e kufijve, sigurinë e zinxhirëve të furnizimit dhe qytetet e sigurta.

Teknika ndihmon për sigurinë e informacionit

Në të njëjtën kohë "Interpol World“ vepron si një lloj panairi i industrisë së sigurisë. Faqja e internetit e "Interpol World“ tregon me krenari një hapësirë ekspozimi prej 30.000 katrorë, ku janë vendosur rreth 250 firma. Në "Interpol World“ është i përfaqësuar edhe instituti Frauenhofer për mediat interaktive digjitale me qendër në Singapur. Drejtori Wolfgang Müller-Wittig shpjegon në intervistë me DW të përbashkëtat e punës kërkimore me punën e policisë. "Ne i ofrojmë botës së ngarkuar nga informacioni sisteme navigimi, që i shërbejnë përdoruesit për të kuptuar modelet e pazakonta. Duke kuptuar më lehtë modelet e pazakonta të veprimeve mund të zbulohen deliktet e mundshme në rrjet. Instituti Fraunhofer dhe IGCI diskutojnë përveç kësaj edhe për një bashkëpunim më të ngushtë përtej "Interpol World".

IGCI bashkëpunon ngushtë me partnerë, krahas instituteve studimore edhe me sipërmarrje private. Drejtori i IGCI Noboru Nakatani thotë për DW, se roli i IGCI është ndër të tjera të krijojë një platformë për mbështetjen e 190 shteteve anëtare të Interpolit nga sektori privat. "Në IGCI punojnë çdo ditë tetë sipërmarrje private krah për krah me punonjësit tanë të Interpolit. Ato monitorojnë ndër të tjera tregje ilegale në internet për armët dhe drogën. Të tjerë merren me analizën e malware.“

U qëndron pranë partnerëve: Drejtori i IGCI, Noboru Nakatani

U qëndron pranë partnerëve: Drejtori i IGCI, Noboru Nakatani

Shkrirja e Interpolit dhe e industrisë

Kjo afërsi e industrisë me policinë sjell edhe kritika. Politologu Heiner Busch vëzhgon prej rreth dhjetë vjetësh "forcimin e lidhjeve të policive me një industri e sapolindur të sigurisë". Problemi është se Interpoli, si organizata më e madhe e policisë në botë, me 190 vende anëtare, bën shpërndarjen e një teknologjie të tillë të mbikqyrjes edhe në shtetet shtypëse, jo demokratike.

Një shembull: në "Interpol World" është e përfaqësuar edhe firma IT FinFisher, me qendër në Mynih. Sistemi i kontrollues i saj nuk është blerë vetëm nga qeveria gjermane. Sipas njoftimeve të mediave Bahraini përdor software të FinFisher për të përndjekur opozitën. Përveç kësaj Interpoli në vitin 2013 bëri bujë më media për shkak të marrëveshjeve multimilionëshe me industrinë. Federata botërore e Futbollit Fifa, prodhuesi i duhanit Philipp Morris, një shoqatë e kompanive të mëdha farmaceutike,të gjitha ata kishin futur miliona në organizatën botërore të policisë, që është paguar gjithmonë keq nga shtetet anëtare. Sipas hulumtimeve të gazetës Süddeutsche Zeitung, 26 përqind e buxhetit prej 78 milionë euro të Interpolit vjen nga firmat dhe fondacionet.

Në inaugurim shkatërrimi i një botnet-i

Në ditën e hapjes së IGCI Noboru Nakatani është një herë krenar për suksesin e fundit të organizatës së tij. Në një aksion të organizuar nga IGCI me 9 prill u shkatërrua botnet-i Simda.

Interpol Logo

Ai kishte infektuar rreth 800.000 kompjuter në gjithë botën me maleware. Dhjetë server komandë dhe kontroll u konfiskuan në Holandë, të tjerë server u konfiskuan në SHBA, Rusi, Poloni dhe Luksemburg

Selia e Interpolit në Lion e bën punën mbi bazën e përvojës së shkuar, thotë i bindur japonezi Nakatani. Por Interpolit i nevojitet një platformë, që t'u japë mbështetje shteteve anëtare për të luftuar llojet krejtësisht të reja të kriminalitetit të epokës së internetit. Kriminelët nuk hezitojnë të përdorin teknologjitë e fundit, thotë drejtori i IGCI. Por autoritetet policore do të preferonin të punonin me mënyrën e vjetër dhe shpesh hezitojnë të përdorin teknologji të re. Kjo tendencë përforcohet edhe nga pengesat burokratike për blerjen e teknikës së re. Kësaj do t'i kundërvihet tani IGCI.

Përveç kësaj IGCI luan edhe një rol tjetër. Ajo është organizata e parë e madhe e Interpolit në Azi, megjithëse ka një zyrë, ku janë të punësuar vetëm pesë vetë, në Bangkok. Afrika ka katër zyra rajonale, shpjegon Noboru Nakatani. Një zyrë është në Amerikën Latine dhe një Amerikën Qendrore, një zyrë në Nju Jork për Kombet e Bashkuara një në Bruksel për BE. Me IGCI Interpoli ka mbërritur tani edhe në Azi.