1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Internet të shpejtë për të gjithë?

Nga 2018 çdo familje gjermane duhet të ketë internet të shpejtë. Zgjerimi i rrjetit ecën ngadalë. Për ekonominë gjermane ky është një disavantazh. Investime miliardëshe nevojiten për të arritur nivelin ndërkombëtar.

Gjermania ka mbetur pas në zhvillimin e internetit të shpejtë. Autostradat e informacionit prej fibrash optike, së paku 20 herë më të shpejta se lidhjet normale DSL, nuk ekzistojnë sidomos në zonat rurale. Me një kuotë prej vetëm 1% të fibrave optike Gjermania zë vendin e fundit në Evropë.

Kjo përbën një disavaantazh për aftësinë konkurruese të industrisë gjermane. Një numër i madh i firmave ndodhen në zona rurale dhe kanë internet të ngadaltë. Kjo do të thotë, se tekonologjitë e së ardhmes me zhvillimet e fundit në IT dhe elektronikë nuk janë për to të zbatueshme.

Qeveria do të rikuperojë mangësitë, por koha kalon

Kjo e vë qeverinë gjermane nën trysni. Deri në vitin 2018 ajo do t'i rikuperojë mangësitë, me qëllim që nga çdo shtëpi në Gjermani të mund të shfletohet në internet me një shpejtësi prej 50 megabit në sekondë. Deri tani shpejtësia mesatare është vetëm 8,7 megabit në sekondë.

Për këtë arsye ministria e Transportit dhe e Infrastrukturës Digjitale ka themeluar "Aleancën digjitale të rrjetit në Gjermani". Anëtarët janë shoqata dhe kompani telekomunikacioni. Ato do të përballojnë një pjesë të madhe të investimeve. Në vitin 2015 operatorët e rrjetit si Deutsche Telekom, Vodafone, apo Telefonica do të investojnë 8 miliardë euro në zgjerimin e broadband-it, por edhe operatorë të vegjël të rrjetit, si për shembull inexio nga Saarland, do të ndërhyjnë.

Davidi kundër Goliathit - Operatori i rrjetit inexio konkurron kundër të mëdhenjve

Operatori i rrjetit inexio ndërton aty, ku është me të vërtetë shtrenjtë, në zonat rurale. Tubacioneve u duhet ndërruar vendi, dhe duhen bërë punime në thellësi. Me një rrjet të vetin prej 5000 km dhe me 160 punonjës firma nga Saarland është një konkurrent i vogël. Kompania sapo ka bërë lidhjen e aeroportit Saarbrücken me rrjetin e fibrave optike, një investim prej 2,5 milionë euro. "Ne jetojmë nga sinergjitë. Ne duhet të gjejmë klientë dhe të mbajmë lidhjen me to", thotë drejtori ekzekutiv David Zimmer.

Infografik Der Ausbau des Glasfaser-netzes im europäischen Vergleich Englisch

Prandaj ai ka bërë direkt edhe lidhjen e një fshati aty pranë. Për çdo klient inexio investon 1400 €. Nga pagesat mujore paraja do t'i kthehet sërish. Nëse firma nuk mund t'i mbajë klientët e saj 8 deri në 10 vjet, bën humbje. Sipërmarrësi David Zimmer nuk është i shqetësuar. Firma e tij është shpesh më e shpejtë dhe më e lirë se konkurrentët e mëdhenj. Ai ka punë sa të duash.

Re-monopolizim nga Telekomi gjerman?

Telekomi - operatori më i madh në Gjermani - do të bejë deri në 2018 lidhjen e re të deri 5.9 milionë familjeve. Por koncerni po kritikohet për shkak të mënyrës të veprimit. Rrjeti i Telekomit përbëhet kryesisht nga kabllo bakri, që janë shumë të ngadalshme për shpejtësinë e lartë të internetit. Prandaj koncerni synon të pajisë rreth 330.000 kutitë e tij të shpërndarëse me të ashtuquajturën teknologji vectoring dhe t'i bëjë lidhjet e internetit deri në katër herë më të shpejta.

I shtrenjtë dhe i ngadaltë- zgjerimi i rrjetit

I shtrenjtë dhe i ngadaltë- zgjerimi i rrjetit

Problemi është se kutitë përdoren edhe nga konkurrentët. Me teknikën e re kjo është më e mundur, një disavantazh për operatorët e tjerë.

Shoqata broadband Breko flet për një ri-monopolizimin nga ana e Telekomit. Kritika ka edhe nga anë të tjera. Sipas raportit të Monitorimit të Ekonomisë Digitale, që botohet nga ministria e Ekonomisë, interneti me teknologjinë vectoring në periudhë afatgjatë nuk do të jetë i mjaftueshëm për të siguruar shpejtësi interneti për të gjitha familjet.

Kërkohen para nga shteti

Edhe Vodafone, operatori i dytë më i madh i rrjetit në Gjermani, dëshiron të investojë shumë në dy vitet e ardhshme: Rreth pesë miliard euro për të ripërtërirë rrjetin dhe për të ofruar internet më të shpejtë përmes celularëve, kabllove dhe DSL. Koncerni nuk beson se operatorët do ta bëjnë dot të vetëm zgjerimin. "Mendoj se nuk do të arrihet pa financim," thotë Anna Dimitrova, shefe për strategjinë e koncernit. "Ka firma, që ndodhen shumë larg nga autostrada e informacionit. Financiarisht atje mund të bëhet, vetëm në qoftë se angazhohet qeveria."

Aeroporti Saarbrücken vshtë lidhur me rrjetin nga firma inexio

Aeroporti Saarbrücken vshtë lidhur me rrjetin nga firma inexio

Rreth dhjetë miliardë euro do të investojë qeveria gjermane në zgjerimin e broadband-it. Këtyre u shtohen edhe të ardhurat nga shitja në ankand e radiofrekuncave. Në fillim të verës fillon ankandi: frekuencat që janë përdorur deri tani nga antena televizive digjitale, mund të nxiren në ankand nga operatorët e rrjetit dhe të përdoren në të ardhmen për internet broadband. Të ardhurat nga kjo rrugë qeveria do t'i kthejë në fonde për zgjerimin e rrjetit. Se sa do të jetë shuma, është e paqartë.

Kritikë nga ekonomia

Për Këshillin Ekonomik gjerman kjo nuk është e mjaftueshme. Synimi i qeverisë, për një shpejtësi interneti prej 50 megabit për sekondë, nuk i duket shumë i ambicionuar. "Digjitalizimi përfshin gjithnjë e më fort të gjitha proceset e biznesit dhe të prodhimit dhe i ofron pikërisht biznesit të mesëm inovativ mundësi të mëdha", thotë presidenti Kurt J. Lauk. "Nuk duhet të ndodhë që ne të mbetemi pas, vetëm sepse infrastruktura nuk është e shpejtë sa duhet." Rreth 40 përqind e familjeve gjermane janë pa internet të shpejtë. Nëse kjo do të kapërcehet deri në 2018, mbetet e paqartë madje edhe nëse Gjermanisë deri atëherë do t'i nevojite një internet edhe më i shpejtë.