1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Interesim i madh - Opinioni kroat mbi procesin kundër gjeneralëve

Tribunali i Hagës dënoi të premten (15.04) gjeneralin kroat Ante Gotovina për krime kundër serbëve me 24 vjet heqje lirie. Në procesin për aksionin Oluja" (Shtrëngata) u dënua edhe Mladen Markaç me 18 vjet burg.

default

Ante Gotovina para Tribunalit të Hagës

Gjykata shpalli që Gotovina dhe Markaçi ishin pjesë e një aksioni kriminel të udhëhequr nga ish-presidenti Franjo Tugjman, vetëm gjenerali Ivan Çermak u shpall i pafajshëm në Hagë. Por pjesa më e madhe e kroatëve i sheh gjeneralët Gotovina, Çermak dhe Markaç si çlirimtarë dhe heronj. Në sondazhet e fundit mbi 60 për qind e të anketuarve besonte në pafajësinë e tyre. Shumica prej tyre kanë frikë nga mundësia që aksioni "Oluja" të shpallet si krim lufte. Ndërsa organizatat joqeveritare janë të mendimit se ky proces duhet shikuar si një hap drejt zbardhjes së krimeve në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Opinioni kroat i ndarë mbi gjyqin në Hagë

Udhëheqësja e qendrës për përballjen me të kaluarën, "Dokumenta" Vesna Tersheliq, thotë se opinioni kroat është i ndarë rreth gjykimeve në Hagë, por shumica i mbështet proceset kundër të akuzuarve për krime lufte. Këto të dhëna ajo i bazon mbi sondazhet e zhvilluara që nga viti 2006, kur më shumë se 60 % e kroatëve e kanë mbështetur organizimin e proceseve për krime lufte, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare. Por kur organizohen procese konkrete, si në rastin e tre gjeneralëve kroatë, apo gjykimin e Shlivançaninit për krimet në Ovçarë, opinioni ndryshon mendimin.

Urteil Reaktionen General Gotovina

Reagime në Kroaci pas dhënies së dënimit për Gotovinën

Tersheliq thotë se procesi në Hagë kundër Gotovinës dhe të tjerëve ka zgjuar një interesim të madh në Kroaci. Ndonëse sipas saj është e qartë që gjatë aksionit "Oluja" janë kryer krime ndaj civilëve, sepse është evidetuar vrasja e të paktën 600 civilëve. Ajo shpreson se proceset kundër atyre që kanë bërë krime do të vazhdojnë edhe në Kroaci.

Gjenerali Ante Gotovina në opinionin kroat gëzon mbështetje më të fuqishme se dy gjeneralët e tjerë. Tersheliq e shpjegon këtë me faktin se opinioni është njohur me krimet që janë bërë në bashkitë Knin, Kistanje, Ervenik dhe Donji Lapac, ndërkohë që gjeneralët nuk kanë bërë asgjë për evitimin e tyre.

"Në opinion është krijuar një përshtypje që gjenerali Gotovina është hero, ndërsa Çermaku dhe Markaçi, sipas të gjitha gjasave, kanë lidhje me krimet", thotë ajo. Gotovinën e mbështesin edhe mbrojtësit e Kroacisë gjatë luftës dhe familjet e tyre, që janë rreth gjysmë milioni njerëz. Ndërkohë që në politizimin e proceseve në Hagë kanë kontribuar edhe disa parti politike.

"Shumë pak njerëz e kujtojnë tani kohën e krimeve. Nga njëra anë, aksioni "Oluja" ka mundësuar çlirimin e territoreve të okupuara kroate dhe kthimin e kroatëve të dëbuar në vitin 1991. Në anën tjetër, gjatë këtij aksioni janë djeguar 22.000 shtëpi dhe janë vrarë shumë civilë. Nga Kroacia janë larguar mbi 150.000 serbë, me ftesën e autoriteteve të atjeshme serbe apo nga frika", shpjegon Tersheliq.

General Gotovina und Cermak

Gjeneral Gotovina dhe Çermak në Hagë

Roli i mediave në informimin e opinionit mbi procesin

Rolin e vet në informimin e opinionit nuk e kanë luajtur si duhet as mediat, në radhë të parë televizioni publik. Procesi i gjykimit nuk është përcjellur rregullisht. "Qytetarët nuk janë informuar si duhet për këtë proces", konstaton Tersheliq.

Në anën tjetër, një ndër mbrojtësit kryesor të tre gjeneralëve, Zheljko Saçiq, i cili ka bërë thirrje për protesta ditën e shtunë në qendër të Zagrebit, akuzon qeverinë kroate për një politikë tradhëtare ndaj tribunalit të Hagës. Ai pohon se mbi 70 për qind e kroatëve janë të këtij mendimi

„Secili kroat e di të vërtetën historike: që lufta çlirimtare ka qenë e imponuar, ndërsa aksionet si "Oluja" të domosdoshme. Ky aksion ka qenë në funksion të mbrojtjes së vendit kundër forcave okupatore nga Serbia, Mali i Zi dhe ish-Armata Popullore e Jugosllavisë, si dhe një pjese të kryengritësve serbë në Kroaci", pohon ai duke hedhur poshtë pohimet për pastrime etnike të serbëve. "Nëse ne shpallin kriminelë lufte, do të thotë që Kroacia është ndërtuar mbi krime", shprehet me mllef Saçiq sipas së cilit Oluja ka pasur për qëllim evitimin në Kroaci të një skenari si në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës.

General Markac

Gjenerali Mlladen Markaç u dënua me 18 vjet heqje lirie

Sipas tij, reagime të tjera të opinionit kroat varen prej vendimit të tribunalit të Hagës. "Shpallja e aksionit Oluja si krim, do të ishte fatale për shtetin kroat, popullin, ushtrinë dhe mbrojtësit e vendit. Do të ishte ky një sulm i rëndë ndaj sovranitetit dhe qytetarëve të Kroacisë, të cilët në mënyrë legjitime janë mbrojtur nga agresori serb", pohon ai, por duke mos përjashtuar mundësinë e dënimeve për përgjegjësinë individuale të të akuzuarve për krime.

Autor: Sinisha Bogdaniq/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi