1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Intensifikim në bashkëpunimin e sipërmarrjeve gjermano-shqiptare

Organizatat e biznesit nga Landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë dhe nga Shqipëria po intensifikojnë bashkëpunimin mes tyre në fushat e tregtisë, industrisë, shërbimeve, produkteve ushqimore etj.

Në Shqipëri për herë të parë u zhvillua veprimtaria “Ditët e Dialogut”, me tryeza të përbashkëta diskutimi mes përfaqësuesve të politikës dhe biznesit gjerman nga Landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë, NRW dhe atyre shqiptarë. Ka një gjallërim të kontakteve në dy vitet e fundit. Në nëntor të vitit 2013 u mbajt në qytetin e Esenit një konference gjermano shqiptare, e iniciuar nga shoqata integruese gjermano shqiptare “Ideal”. Disa muaj më vonë marrëdhëniet mes dy vendeve morrën impulse të mëdha nga iniciativa e kancelares Merkel për mbajtjen e Konferencës së Berlinit për vendet e Ballkanit përendimor, një akord mes shteteve të rajonit në konkretizimin e projekteve të përbashkëta zhvilluese.

Bashkëpunimi si model integrimi

“Ditët e Dialogut”, që përfshijnë veë Shqipërisë edhe Kosovën, kërkojnë mes të tjerave gjallërimin e diasporës, për të shfrytëzuar energjitë dhe kapitalet e saj. Sipas njërës prej organizatorëve të këtij formati aktivitetesh, Anduena Stephan, konsulle nderi e Shqipërisë në landin NRW dhe drejtuese e “Ideal”, bizneset e diasporës kontribuojne mbi 3 miliarde Euro në GDP e Landit, punësojnë me qindra qytetarë të tij, ofrojnë mundësi praktikash e trajnimi nga më të ndryshmet dhe janë model i integrimit. Ky potencial është shfrytëzuar shumë pak, thotë ajo për Deutschw Welle-n, duke e prezantuar dhe si arsye kryesore për zhvillimin e “Ditët e Dialogut”.

Në ekipin gjerman kishte përfaqësues nga të gjitha institucionet.

Në ekipin gjerman kishte përfaqësues nga të gjitha institucionet.

“Ndaj dhe në ekipin gjerman kishte përfaqësues nga të gjitha institucionet, duke filluar nga Ministria e Ekonomisë, që mund ta konsiderojmë si superministri, gjithashtu dhe përfaqësues të 16 dhomave të tregëtisë dhe të profesioneve. Në landin NRW ka rreth 972 mijë bisnese dhe imagjinoni, sikur vetëm 1 përqind e tyre të kthejë sytë nga Shqipëria, ky do të ishte një ndryshim i madh. Pastaj të mendoni për biznese në lande të tjera të Gjermanisë. Këto kontakte nxisin raporte të drejtëpërdrejta mes dhomave të tregtisë pa pasur nevojë për institucione, ose grupime ndërmjetësuese”.

Qëllimi, zgjerimi i kontakteve dhe mënjanimi i pengesave

Sekretari i Shtetit pranë Ministrisë së Ekonomisë të Renanisë Veriore-Westfalisë, dr. Günther Horzetzky, e konsideroi qëndrimin në Tiranë si një kthim vizite të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipermarrjes, Arben Ahmetaj para pak kohe në Berlin, si ndjekje të një udhe bashkëpunuese në shumë drejtime.

“Shtyllat e ekonomisë në Landin tonë janë tregtia, industria, shërbimet, produktet ushqimore, pikërisht këto janë resurse, që do t'i vemë në funksion të kooperimit tonë. Ne importojmë nga Shqipëria metale, veshje, lëndë të para, eksportohen tekstile, produkte kimike etj. Ka mundësi që volumi i importit vjetor të rritet, nga 36 milion euro, që është aktualisht. Kjo tregon se ka rezerva të mëdha të pashfrytëzuara. Dua të theksoj se diaspora luan një rol shumë të rëndësishëm. Si urë lidhëse mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Mjafton të përmendim një fakt, që 1/3 e shqiptarëve që jetojnë në Gjermani janë në Landin tonë. Qëllimi ynë është zgjerimi i kontakteve dhe mënjanimi i pengesave.”

Anduena Stephan, drejtuese e shoqatës “Ideal”

Anduena Stephan, drejtuese e shoqatës “Ideal”

Ministri shqiptar i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, kujton një nga kërkesat, që i ka bërë palës gjermane para pak kohe në një takim me zëvendëskancelarin Sigmar Gabriel, për të përfshirë në hartën kryesore të ndërlidhjes europiane të “Adriatic Ionian Highway”, ose si njihet ndryshe Autostrada e Kaltër. “Me këmbënguljen tonë, me mbështetjen e Gjermanisë dhe me mirëkuptimin e Komisionit Evropian, sot ajo autostradë është pjesë e network-ut evropian, në kuptimin e prioritetit dhe të investimit”.

Hapat e para dhe në Hamburg dhe Schleswig-Holstein

Inxhinieri Kolë Gjoka ka rreth 20 vite që jeton dhe punon në Gjermani dhe prej një viti ai është përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Hamburg dhe Schleswig-Holstein. Ai e quan si një fillim shumë pozitiv bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Landit RNW, duke treguar dhe se po lëvizet që një proces i ngjashëm të jetë dhe me landin, ku ai banon. Meqë Hamburgu dhe Schleswig-Holstein janë vende bregdetare, sikundër është dhe Shqipëria – kjo e orienton kooperimin në fushën e peshkimit, thotë ai për Deutsche Welle-n.

“Në Gjermani dhomat e tregëtisë dhe industrisë janë shumë të fuqishme, me akses dhe aktivitete të shumta, në të kundërt me realitetin shqiptar, ku ato mbeten struktura të dobëta. Nga kontaktet, që unë kam me kolegë dhe partnerë gjermanë, kam ndjerë gatishmëri për të mbështetur fuqizimin e dhomave shqiptare”.

Kolë Gjoka, përfaqësues i Kolë Gjoka, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Hamburg dhe Schleswig-Holstein.

Kolë Gjoka, përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Hamburg dhe Schleswig-Holstein.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, ka bërë një propozim konkret për partnerët gjermanë, duke kërkuar asistencë në procesin aktual të rregullimit të statusit të Dhomës, një dokument që ndikon në eficencën dhe rolin e saj në shërbim të biznesit, si dhe rregullon marrëdhëniet me homologët tanë në vendet e tjera. Krahas fushave agro-përpunimit, duke përfshirë bujqësinë dhe blegtorinë, turizmit, infrastrukturës, industrisë minerale, Jaka konsideron sektorin e shërbimeve në Shqipëri, me mjaft nevoja për experiencë dhe mbështetje gjermane.

Anduena Stephan, drejtuese e shoqatës “Ideal”, thotë për Deutsche Welle-n se ka disa sektorë nga landi NRW, që kanë potenciale për “know how” me referenca për gjithë Gjermaninë. Nga kjo përfiton dhe Shqipëria për të çuar në vëmendjen e investitorëve resurset reale të mundshme të vendit. Gjithashtu, sipas saj, ekspertizë mund të vijë dhe nga fusha e turizmit.

“Landi NRW, megjithëse ka 300 ditë shi dhe pjesën tjetër me diell, që është e kundërta e kushteve meteorologjike të Shqipërisë, është shumë atraktiv për turistët. Numri i tyre është më shumë se trefishi i numrit të popullates, edhe pse nuk ka vijë bregdetare, ose tipare malore si Shqipëria. Pra, është një model zhvillimi, nga ku vlen të merret ekspertizë. Bujqësia gjithashtu shikohet si potencial, ku prodhimet bio dhe të standartizuara “Made in Albania” mund të eksportohen në tregjet e landit me rreth 18 milion banorë. Por siç doli dhe nga takimet e përbashkëta në Tiranë, edhe arsimi profesional është një fushë tjetër, ku mund të bashkëpunohet”.