1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Integrimi kërkon emancipimin politik të vendit

Ani Ruci8 Shkurt 2008

Presidenti i Shqipërisë, Topi kujton përgjegjësitë e politikës jo vetëm në drejtim të integrimit euroatlantik. Shqiptarët presin nga politika që të jetojnë më mirë, më të sigurtë, më të integruar, ka thënë ai.

https://p.dw.com/p/D4aK
Bamir TopiFotografi: AP

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi e vlerësoi si inkurajues, por të pamjaftueshëm faktin se nga 27 vendet anëtare të BE kjo marrëveshje ëshë ratifikuar vetëm nga Parlamentet e 15 prej tyre. Në Forumin "Siguria dhe politika e jashtme gjatë vitit 2008", i zhvilluar në Tiranë kreu i shtetit i bëri thirrje gjithë klasës politike dhe aktorëve të tjerë të punojnë për ta bërë realitet shpresën e shqiptarëve për integrimin.

Parlamentet e 15 vendeve anëtare të BE kanë ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit, (MSA) me Shqipërinë. Shpresat e Tiranës janë që 12 vendet tjera ta ratifikojnë atë deri në qershor të këtij viti.

Lehtësimi i regjimit të vizave dhe problemet e zbatimit

Presidenti Bamir Topi e konsideroi marrëveshjen e lehtësimit te procedurave te vizave për shtetasit shqiptarë një hop cilësor në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Ai tha se zbatimi me sukses i saj do të hape dritën e gjelbër për të propozuar masa të tjera lehtësuese në regjimin e vizave. Në fillim të këtj muaji Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmuth Lohan, tha se zbatimi i kësaj marrëveshjeje po haste probleme në pikat kufitare dhe ne zyrat konsulore të ambasadave të vendeve të BE në Tiranë.

Flughafen, Tirana, Albanien
AeroportiFotografi: DW

Jam në pritje të rezultateve konkrete të praktikimit të kësaj marrëveshjeje, tha Presidenti Topi , gjatë fjalës së tij në Forum. Strukturat përkatëse të Shqipërisë duhet të ndjekin me vëmendje zbatimin e kësaj marrëveshjeje në mënyrë që në një të ardhme jo të largët të propozohen hapa të tjera lehtësuese kërkon ai. "Por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se edhe Shqipëria duhet të ndërtojë sa më parë standarde në pajisjen e shtetasve të saj me dokumentat e identifikimit" vuri në dukje presidenti.

Përgjegjësia e politikës

Presidenti Bamir Topi tërhoqi vëmendjen e aktorëve vendas se angazhimet euroatlantike te Shqiperise kerkojne emancipimin politik të vendit, nxitjen e frymës së dialogut politik, bashkëpunimin mes partive politike për të kryer të gjitha reformat dhe sidomos atë në drejtësi dhe në sistemin elektoral. Nga pozicioni i kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë , Bamir Topi tha se reforma në drejtësi nuk zë vetëm një vend prioritar në angazhimet euro- atlantike të Shqipërisë por edhe përbën një çështje që ndodhet në qendër të vëmendjes së shqiptarëve.

Kinder verkaufen Zigaretten in Tirana
Fëmijë duke shitur cigare në TiranëFotografi: AP Photo

Ai preku një çështje shumë të ndjeshme në Shqipëri lidhur me raportet e politikës me qytetarin kur thase citoj,"shqiptarët presin nga politika që të jetojnë më mirë, të ndihen më të sigurtë, më të integruar dhe se realizimi i këtyre aspiratave është detyrim i politikanëve dhe i shtetit shqiptar, në rradhë të parë."

Ky perceptim i Presidentit Topi bëhet në një kohë kur në Shqipëri qytetarët kundërshtojnë rritjen e çmimit të bukës dhe artikujve të tjerë ushqimore dhe shteti pohon se nuk ndërhyn në treg.