1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Integrimi evropian është i mirëpritur, por jo pa kritika

Gjykata Kushtetuese gjermane vendosi që Marrëveshja e Lisbonës është në harmoni me kushtetutën gjermane, por duhet të sigurohet një angazhim më i madh i parlamentit dhe i Këshillit të Federatës, Bundesratit.

Quadriga tek Brandenburger ne Berlin dhe flamuri i BE

Sa herë cenohen sovraniteti gjerman, kontrolli përmes parlamentit apo të drejtat themelore, Gjykata Kushtetuese thotë 'stop'.

Pas këtij vendimi Marrëveshja e Lisbonës për momentin nuk mund të ratifikohet nga Gjermania dhe presidenti, Horst Këhler, mund ta nënshkruajë dokumentin e ratifikimit të marrëveshjes vetëm pasi të jetë siguruar një pjesëmarrje parlamentare e gjerë. Gjyqtarët e instancës më të lartë juridike në vend kërkojnë që ndryshimet në Marrëveshjen e Lisbonës të bëhen vetëm pas miratimit të Bundestagut dhe të Bundesratit. Kjo vlen edhe për legjislacionin penal, në kuadër të BE-së.

Pra sipas Gjykatës Kushtetuese në Karlsruhe Marrëveshja e Lisbonës është në harmoni me Kushtetutën gjermane. Çdo vendim tjetër i kësaj gjykate do të ishte një sensacion, një shuplakë fytyrës për qeverinë gjermane. Po gjykatësit nuk e patën këtë guxim edhe pse në 140 faqet e arsyetimit të vendimit panë me sy kritik shumëçka të Bashkimit Evropian dhe rrugët vendimmarrëse të tij. Megjithatë këto dyshime nuk mjaftuan që ankesat kushtetuese të vlerësohen si të drejta kundër vetë Marrëveshjes së re të BE-së. Në vend të saj shtatë prej tetë gjyqtareve dhe gjyqtarëve u përqëndruan dhe ia bënë tetë me dy ligjit shoqërues për Marrëveshjen e Lisbonës i cili rregullon të drejtat dhe bashkëveprimin e Bundestagut në Bashkimin Evropian.

Trupi gjykues i senatit të II të Gjykatës Kushtetuese në Karlsruhe

Trupi gjykues i senatit të II të Gjykatës Kushtetuese në Karlsruhe, që shqyrtoi çështjen e Marrëveshjes së Lisbonës


Sipas Gjykatës Kushtetuese në Karlsruhe ky ligj është antikushtetues. Kjo ishte një dackë që kërciti paq për parlamentin gjerman. Në të njëjtën kohë grupimi parlamentar i të majtëve i cili ka qenë grupi i vetëm parlamentar që ka votuar kundër këtij ligji në parlament mund ta ndiejë veten fitimtar. Tani ligji duhet të përmirësohet me shpejtësi të madhe. Nëse ky ligj do të bëhet më i mirë pritet të dëshmohet. Sidoqoftë pala ankuese nuk e përjashton mundësinë e një apelimi në gjykatën kushtetuese edhe kundër ligjit të përmirësuar.

Në rast se ligji i ri nuk do të miratohet para zgjedhjeve parlamentare në fund të shtatorit atëherë vihet në dyshim i tërë plani kohor i parashikuar për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Lisbonës në Bashkimin Evropian. Në tetor elektorati irlandez do të dalë për herë të dytë në referendum për Marrëveshjen e Lisbonës. Presidenti euroskeptik i Çekisë, Vaclav Klaus, do ta interpretojë vendimin e gjykatës kushtetuese në Karlsruhe në atë mënyrë që ta zvarrisë jashtë mase hedhjen e nënshkrimit të tij për ratifikimin e marrëveshjes nga pala çeke.

Në esencë gjykata kushtetuese gjermane i ka qëndruar besnik vijës së saj të deritanishme: integrimi evropian mirëpritet por shoqërohet me kritika. Gjithmonë kur cenohet sovraniteti gjerman, kontrolli përmes parlamentit apo të drejtat themelore, Gjykata Kushtetuese thotë 'stop'. Përderisa Bashkimi Evropian mbetet në sytë e gjyqtarëve vetëm një konfederatë shtetesh dhe jo një shtet federal, ruajtësit e kushtetutës nuk kanë asgjë kundër anëtarësimit të Gjermanisë.

E re është që ata kërkojnë një të drejtë më të fortë rezerve nga ana e parlamentit për të gjithë hapat të cilat do t'i jepnin BE-së kompetenca të reja. Këtë të ashtuquajtur kompetencë-kompetencash BE-ja sipas këndvështrimit të gjyqtarëve nuk duhet ta marrë kurrë. Pas shpalljes së vendimit të Karlruhes si ankuesit ashtu edhe të paditurit e shohin veten ngadhënjimtar. Pra një vendim parimor i shpallur me urtësinë prej Solomoni, vendim i cili i bën të lumtura të gjitha palët.

Mosrefuzimi në tërësi i Marrëveshjes së Lisbonës është një lajm i mirë edhe për vendet e Ballkanit, kandidatë për antarësim, të cilat mund ta ndjejnë veten më të lehtësuar. Këto tani i janë afruar edhe më tepër pranimit në BE. Kjo për faktin se pa Marrëveshjen e Lisbonës nuk do të mund të ketë më zgjerim të Bashkimit Evropian.

Autor: Bernd Riegert
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 01.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IesZ
  • Data 01.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IesZ